Lajme

Kush e mori? Zhduket kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit, SPAK: S’është në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë

Thellohet skandali në lidhje me çështjen e koncesionit të sterilizimit, që ka çuar pas hekurave me urdhër të SPAK ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit është zhdukur dhe nuk gjendet as në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë, fakt që e konfirmon vetë Prokurorisë së Posaçme e Antikorrupsionit, (SPAK).

Pritet që ky skandal të zgjerojë edhe më tej hetimet për aferën me koncesionin e sterilizimit. Kujtojmë se deri më tani 8 zyrtarë dhe biznesmenë janë akuzuar zyrtarisht nga SPAK për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim. Mësohet se Ministria e Shëndetësisë nuk gjen dot kontratën origjinale të sterilizimit. SPAK më herët kishte marrë vendimin për sekuestrimin e praktikës së plotë dokumentare origjinale të procedurës së koncesionit të sterilizimit por janë gjendur përpara një situate të papritur.

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse. Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/ 1 datë 19 shkurt 2020”, thuhet në dosje.

Ky koncesion është gjetur me shkelje për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim, ku deri më sot dëmi ekonomik përllogaritet në 76 milionë euro. Masat e arresteve për 8 të akuzuarit janë dhënë që më 23 qershor por zbatimi i tyre është zvarritur deri më sot duke hedhur edhe më tepër mjegull rreth kësaj afere. Kujtojmë se pas hekurave për këtë aferë është ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe është dhënë masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitje’ për 6 zyrtarë të MSH-së.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close