Lajme

Larje hesapesh për drogën/ Vrasja e Edmond Papës në Tiranë dhe vrasja e dyfishtë në Athinë 2 ditë më vonë nga e “njëjta dorë”

Lidhja e Edmond Papës, i vrarë me 9 plumba më 16 dhjetor në një lokal në zonën e Selitës në Tiranë me dy shqiptarët, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, të ekzekutuar në Athinë vetëm dy ditë më vonë, ka detyruar Policinë e Shtetit t’u kërkoj autoriteteve greke informacion mbi ngjarjet. Hetuesit shqiptarë kërkojnë të sqarojnë nëse eliminimi i dy bashkëkombësve është vijimësi e vrasjeve të të njëjtit grup mbi dyshimet e prishjes së pazareve të drogës.

Jo vetëm kaq, por policia kërkon të mësoj nëse Çerkizaj dhe Organja janë ekzekutorë të Papës dhe nëse njerëzit e këtij të fundit janë autorë të vrasjes në Athinë. Policia është e rezervuar në dhënien e detajeve, të cilat i konsideron sekret hetimor, teksa nuk flet për sasinë e 700 kg kanabis të zhdukur, e cila sipas mediave greke ka qenë nën përgjegjësinë e Edmond Papës.

Burime nga policia bëjnë me dije se vrasja e Papës është drejtë zbardhjes, por i rezervuar ishte drejtori i ri i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në daljen e tij të parë për mediat në këtë detyrë.

“Për ngjarjen kriminale po punon një grup, por nuk mund të komunikojmë gjë për median për momentin. Po punojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi rezultate pozitive në lidhje me hetimet.”- tha Vocaj.

Por, hetuesit po verifikojnë për vrasjen e Papës edhe me atë të ekzekutimit me tritol të Aleksandër Sadikajt, ngjarje kjo e qershorit të këtij viti. Dyshimet janë ngritur për shkak të njohjes që kanë pasur dhe krisja të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës në Shqipëri dhe Greqi.

Për vrasjen e Papës policia po vijon me verifikimet e kamerave të sigurisë, por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se është hasur vështirësi për shkak të mbulimit tejet minimalist me kamera sigurie të zonës ku autori zgjodhi për të kryer vrasjen. Autori ka qenë me kapuç dhe identifikimi bëhet i vështirë. Fokus i verifikimeve janë edhe udhëtimi i Papës nga Saranda drejt Tiranës, për të parë nëse është ndjekur rrugës.

Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u ekzekutua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment autori ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes po në këmbë. Ka dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, por akoma nuk ka asnjë të dyshuar. Papa kishte ardhur nga Saranda në Tiranë mesditën e së premtes bashkë me nënën e tij, të cilën do ta dërgonte tek mjeku për ta vizituar pasi ishte e sëmurë. 49-vjeçari njihej në Sarandë me mbiemrin Hoxha, të cilin e kishte ndryshuar në kur kishte shkuar në Greqi në Papa.  Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri. Për ngjarjen ka dy pista hetimesh, konflikte të mundshme në Greqi dhe konflikte për pronën. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.

Vrasja e dyfishtë në Athinë
Dy viktima dhe një e plagosur ka qenë bilanci i një atentati mafioz i ndodhur mbrëmjen e së dielës në Athinë. Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Kreshnik Çerçizaj dhe 44-vjeçarin Armando Organajën. Sipas mediave greke, ekzekutimi i dy shqiptarëve mund të ketë lidhje me vrasjen në Tiranë të Edmond Papës, biznesmenit nga Saranda i cili ishte i dënuar më parë në Greqi për trafik droge. Pavarësisht se Edmond Papa nuk përmendet, të gjitha detajet e dhëna në artikull e lidhin ngjarjen me emrin e tij, duke bërë me dije se mes palëve mund të ketë pasur përplasje për trafikun e drogës. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit në një zonë mjaft të populluar të Athinës. Dy miqtë, Kreshniku dhe Armando ishin në lokal në momentin kur autori i maskuar me maskë kirurgjikale dhe kapuç të zi qëlloi me breshëri plumbash në mes të lokalit. Për pasojë Kreshnik Çerçizaj mori dy plumba në kokë dhe vdiq në vend ndërsa Armando Organaja mori një plumb në gjoks, por me të mbërritur në spital nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra. Kanë qenë pikërisht plumbat drejtuar dy personave në fjalë ato që kanë plagosur edhe një 31-vjeçare e cila thjesht ishte kliente në lokalin e njëjtë me ta. Ajo mori një plumb në bark dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close