Categories Lajme

Lulzim Basha prezanton planin ekonomik të PD-së. Ja çfarë ndodh nëse opozita vjen në pushtet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar Programin Ekonomik dhe premtimet elektorale të kësaj force politike. Ai ka premtuar 110 mijë vende të reja pune, pagë minimale 36 mijë lek dhe zhdukjen e varfërisë ekstreme. Basha ka përsëritur premtimin për taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare, uljen e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%. Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros.

Kreu i PD-së premtoi gjithashtu, se një nga vendimet e para të qeverisë së re, do të jetë anullimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin.

Pjesë nga fjala e Bashës: 

“Për muaj të tërë, – tha Basha, – së bashku kemi punuar me ekspertët më të mirë të vendit, me ndihmë të jashtëzakonshme nga ekspertët më të mirë të ekonomisë, të financave, turizmit, të arsimit, të shëndetësisë, çështjeve sociale, por po kështu edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare, partive tona simotra, instituteve dhe fondacioneve, nga Gjermania deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe në Itali, në Greqi e kudo. Kemi punuar për t’i sjellë Shqipërisë një plan serioz zhvillimi, që do të rimëkëmbë dhe do ta gjallërojë ekonominë tonë dhe që do t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.

I kemi kushtuar shumë kohë, themi muaj po në fakt po mbushen dy vite. Sepse këtë herë duam të sjellim para jush një program pune, një program qeverisjeje, një program të zbatueshëm që do t’u shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë, dhe jo thjesht një partie politike apo një fushate elektorale. Ky është një program që do ta çojë Shqipërinë përpara, menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit.

Megjithatë jam i vetëdijshëm se çfarë ju shkon ndërmend shumë prej jush dhe çfarë po ju kujtohet tani. Keni dëgjuar kaq shumë premtime këto tetë vite, jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë.

Ndodhi me kryeministrin në ikje i cili premtoi qindra, mijëra vende pune, por në fakt me të dhe nën të, radhët e të papunëve u shtuan dhe mijërave të pamundurve për punë iu hoq edhe buka e gojës, ndihma sociale. Premtoi të ulte koston e jetës për 97% të shqiptarëve, por me të kostoja e jetës për shqiptarët është rritur në shifra rekord. 40% gjatë viteve të sundimit të tij.

Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia jonë është në kolaps dhe krizë totale dhe është tërësisht e shkatërruar dhe e paaftë të përballet me sfidat e përditshme të shqiptarit. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia u shkatërrua dhe shqiptarët po e paguajnë ditë për ditë në xhepat e tavolinat e tyre të zbrazura. Kjo do të marrë fund. Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe pastaj braktisjes së tyre totale do të marrë fund.

Ndaj nuk kam dalë sot para jush të premtoj gjëra që nuk bëhen kurrë realitet. Planet që po nisim të shpalosim sot dhe javët në vijim nuk janë premtime. Janë angazhime të padiskutueshme të miat si kryeministër dhe të ekipit tim përpara jush, përpara çdo shqiptari dhe si të tilla do të përmbushen.

Një kryeministër që nuk është i aftë t’i përmbushë angazhimet që merr përsipër duhet të largohet. Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush. Jo pas 8 vitesh por direkt në katër vitet e para sipas një plani të detajuar muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite. Ka ardhur koha për ndryshim.

Ka ardhur koha ta ndryshojmë Shqipërinë. Ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri e të sjellim një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj. Edhe unë sot nga kjo foltore mund t’ju premtoj 500 mijë vende pune, pagën minimale 500 euro, por ky do të ishte manipulim dhe unë nuk kam ndërmend të fitoj besimin tuaj me gënjeshtra.
Koha e matrapazëve politikë që shesin shpresa boshe për të blerë pushtet për vete ka mbaruar.

I keni parë çfarë kanë bërë për ju dhe çfarë kanë rrëmbyer për vete, por para se të shpalos angazhimet e qeverisë së re, dua të flas për objektivat e planit tonë që do t’i arrijmë përmes këtij programi dhe kur them objektivat, e kam fjalën për objektivat e Shqipërisë.

Objektiva nga të cilat do të përfitojmë të gjithë, të gjitha familjet tona. Dyfishimi i të ardhurave për frymë është objektivi ynë parësor, pasi kjo prek dhe përmirëson jetët e të gjithë shqiptarëve, të çdo familjeje, të çdo shtëpie, të çdo fëmije, prindi, gjyshi e gjysheje. Koalicioni ynë qeverisës angazhohet përmes programit tonë që shënjestron sektorë të caktuar të dyfishojmë të ardhurat për frymë.

Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme. Nuk do të ketë më familje shqiptare që do të vuajnë për bukën e gojës, ujë dhe drita.

Kjo plagë e tmerrshme është zmadhuar dhe dhëmbë sot më shumë se kurrë më parë. Nuk do të kemi më ministra që shumëfishojnë pasuritë si në administratën e Ramës, por do të punojmë fortë për të zhdukur mjerimin, varfërinë ekstreme në familjet shqiptare, dhe hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Për të gjitha familjet në nevojë, shumë prej të cilave sot janë jashtë skemës së ndihmës ekonomike.

Me zbatimin e programit tonë varfëria në tërësi do të ulet brenda mandatit tonë të parë me 50% ndërsa të gjithë treguesit e varfërisë do të përmirësohen me masat tona konkrete dhe të prekshme.

Javët në vijim shpalosja e ofertës tonë do të bëjë qartë kategori për kategori, familje për familje për çdo trevë shqiptare, për çdo fasho të të ardhurave të çdo individi apo familje, profesione, moshë, benefitet direkte të këtij programi për ju dhe familjet tuaja. Shtresa e mesme është motorri i zhvillimit, sepse nxit transformimin e shoqërisë, nxit inovacionin dhe ecjen përpara të ekonomisë.

Një shtresë e mesme e fortë është po kështu garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.

Një shtresë e mesme e fortë është faktor kyç për nxitjen e rritjes ekonomike. Rritja e mirëqenieve të familjeve shqiptare nuk është slogan sepse mirëqenia lidhet direkt me shëndetësinë, me shëndetin, pra me jetëgjatësinë dhe me gjithçka që ka të bëjë me të përditshmen e shqiptarëve, ndaj dhe programi ynë do ta bëjë Shqipërinë një vend ku zhvillimi të marrë hov në çdo fushë, dhe përfitimi të ndihet nga çdo shqiptar. Një Shqipëri e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm e 10 vetëve siç është sot. Familja është në qendër të politikave tona.

Familja shqiptare është qendra, shtylla e politikave tona. Shqipëria do të fitojë me familje më të arsimuara, ma familje me të ardhura të sigurta, me familje që marrin mbështetje nga shteti dhe që paguajnë taksa të ulëta, të cilat do të ulin shpenzimet familjare dhe do të rrisin mirëqenien. Rinia ka qenë është dhe do të jetë në këtë program fokusi kryesor i imi personal dhe i politikave tona.

Rinia shqiptare është fokusi i këtij programi dhe e ardhmja e vendit, çdo masë, reformave fiskale, taksave, fushës së arsimit, politikat e nxitjes së investimeve të punësimit kanë për qëllim kryesor promovimin e të talentuarve dhe të aftëve dhe thithjen e talenteve të reja.

Largimi i të rinjve, largimi i potencialeve njerëzore është një katastrofë kombëtare dhe ndoshta çështja më e rëndësishme që do të ndikojë në të ardhmen tonë. Kjo qeveri jo vetëm e la këtë çështje në harresë të plotë, por nxiti emigrimin më masiv ndër dekada, si rezultat çdo familje shqiptare është prekur nga ky fat, çdo prind pyet çdo ditë, si do t’ja bëjmë me fëmijët? Si do të mundësojmë që ata të ndërtojnë një jetë të mirë dhe normale në Shqipëri.

Zgjidhjet e planit tonë i japin përgjigje këtyre dilemave jetike, të çdo prindi, të çdo familje shqiptare dhe tani ë lejoni të ndaj me ju disa prej çështjeve kryesore të planit tonë, të cilin do ta vëmë në zbatim së bashku duke nisur nga dita e parë e punës si kryeministri juaj. Angazhimi i parë i programit tonë është minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, përmes përmirësimit klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Në shpalosjen e këtij programi, sot dhe në ditët në vazhdim ne do të shpjegojmë ofertën tonë në të gjitha rrafshet, do të përmirësoj klimën e biznesit për biznesin dhe sipërmarrjen shqiptare, por po kështu për investitorët e huaj. Krijimi i vendeve të punës është jetik për stabilitetin ekonomik dhe çelësi që njerëzit të investojnë tek vetja e tyre dhe fëmijët e tyre. Unë angazhohem të rris pagën minimale dhe ta çojë atë në 36 mijë lek të reja në muaj, zotimi im i para 2 viteve para bashkimit të sindikatave shqiptare, është sot pjesë e planit tonë ekonomik. Rritja e pagës do të bëhet duke krijuar lehtësira për biznesin, duke e mbështetur atë, që jo vetëm të rritet paga minimale, por edhe numri i të punësuarve dhe jo siç ndodh sot, ku për shkak të kostove, taksave, gjobave, biznesi detyrohet të shkurtojë vende pune.

Në qofte se biznesi shkurton vende pune nuk ka asnjë vlerë rritja e pagës minimale, ndaj qeveria jonë do të mbështesë dhe do të mbrojë të gjithë punonjësit dhe të vetpunësuarit, sepse kjo është detyrë bazë e qeverisë të mbrojë interesat e njerëzve, por njëkohësisht përmes masave tona fiskale dhe ekonomike qeveria do të garantojë konkurrueshmërinë e të gjithë punëdhënësve, të cilët jo vetëm nuk do të humbin, por do të përfitojnë nga masat e planit tonë ekonomik, duke bërë të mundur që të gjithë të dalin të fituar nga ky plan.
Për 8 vite Rama jua rriti taksat shqiptarëve dhe i varfëroi ata, unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja.

Unë angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%. Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros. Ky është angazhimi im dhe i qeverisë sime për biznesin e vogël e të mesëm.

Dua ta përsëris fare qartë sot në nisje të prezantimeve tona, se një nga vendimet e para të qeverisë të dalë nga vota e 25 prillit do të jetë anullimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin.

Për të gjithë operatorët e transportit shqiptar, për çdo pronar automjeti, nga më i riu tek më i vjetri, për të gjithë ata që nuk kanë një automjet po e ndiejnë pickimin në lëkurën e tyre sa herë ju duhet të udhëtojnë brenda qytetit, nga një qytet në tjetrin, për këdo që e di apo e mëson sot se karburanti është pjesë e çmimit të gjithçkaje që blejnë në treg dua tua them fare qartë se prej ditës së parë të qeverisë së re të dalë nga vota juaj më 25 prill çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra sesa ju kushton sot.

Taksa Rama mbi karburantin do të eliminohet. Këto nuk janë thjesht shifra. Ky është një ndryshim që do të prekë çdo shtëpi, çdo familje, çdo individ. Këto janë paratë tuaja për të cilat punoni dhe këto para do të jenë tashmë në xhepat tuaja dhe në duart tuaja, nga Vermoshi në Konispol, dhe kjo do të bëjë të mundur që çdo qytetar shqiptar me qeverinë e dalë nga vota e 25 prillit të ketë më shumë lekë në xhepat e tij, në duart e tij se sa ka sot.

Më shumë para për veten tuaj dhe jo për të shumëfishuar pasuritë e qeveritarëve të Ramës. Me këto masa shqiptarët do të kenë, por edhe do të shpenzojnë më shumë për veten e tyre dhe për familjen e tyre, për arsim më të mirë, për kushte më të mira jete, për shëndet më të mirë për çdo shqiptar. E përsëris janë paratë tuaja të cilat sot padrejtësisht vidhen dhe shpërdorohen, paratë për të cilat punoni dhe rropateni dhe nesër këto para do të jenë në dorën tuaj, do të jenë në xhepat tuaja, për veten tuaj, për familjen tuaj. Angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit.

Kudo në Shqipëri takoj njerëz, bashkëmoshatarë apo më të rinj që ndajnë të njëjtën brengë, pamundësinë e prindërve pensionistë për të mbyllur muajin.

Kush nuk e di këtë brengë, kush nuk e njeh këtë brengë. Edhe ata që mundohen ta fshehin duke kontribuar nga të ardhurat e veta të pakta , qindra e mijëra prej vëllezërve e motrave, kushërinjve që kemi në emigracion që janë shpresa e vetme, filli i vetëm që i mban prindërit e tyre pensionistë në këmbë.

Boll më! Boll më! Ka ardhur koha t’ju garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respektin dhe dinjitetin që meritojnë.

Dhe ne do të garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respekt, që tu plotësohen nevojat bazë, që çdo gjyshe dhe çdo gjysh të jetë i sigurt dhe të ketë vendin e vetë në shoqërinë tonë.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngacmimi nga interneti, Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve. Kuçova renditet e dyta

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi, 29 Mars 2024

Dashi Kjo ditë do ju gjejë më produktiv dhe krijues, qoftë në sferën profesionale edhe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME