
Kryqi i Kuq i Malit të Zi ka mbledhur deri tani 42 522 euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Kryqi i Kuq rikujtoi se pas tërmetit në vendin fqinj u aktivizua një llogari bankare e posaçme dhe theksoi se ishte i kënaqur me përgjigjen e qytetarëve.
“Fondet e mbledhura do t’i përcillen Kryqit të Kuq të Shqipërisë, i cili ka qenë aktiv që nga fillimi në ofrimin e ndihmës së parë, mbështetjes psiko-sociale dhe shpërndarjen e ndihmës emergjente për popullatën e cenueshme dhe është vazhdimisht i pranishëm në terren”, theksoi Kryqi i Kuq. Më tej theksohet se Kryqi i Kuq i Malit të Zi është në kontakt të vazhdueshëm me Kryqin e Kuq të Shqipërisë.
“Hapja e llogarisë bankare ishte mënyra më e mirë për të ndihmuar në këtë situatë, meqë burimet financiare do të jenë më të nevojshme për rehabilitimin afatgjatë të efekteve të tërmetit. Nëse ka nevojë për forma të tjera të ndihmës, organizata jonë është e gatshme të përgjigjet, në përputhje me kapacitetin e saj”, theksoi Kryqi i Kuq i Malit të Zi.