Lajme

Marjana Semini emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Dvorani mori vetëm 14 vota

Profesore e shkencave juridike, Marjana Semini, u emërua anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, në mbyllje të votimit, që zhvilloi Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit për këtë vit.

Ajo mori 58 vota nga 80 deputetë, që morën pjesë në votim, kandidati Ardian Dvorani mori 14 vota, kandidatja Arta Vorpsi mori 2 vota, ndërsa 6 u cilësuan si të pavlefshme nga komisionit të votimit.

Drejtuesja e komisionit, deputetja Klotilda Bushka, deklaroi që “nga votimi doli se asnjë nga kandidatët nuk i ka marrë dot votat e kërkuara nga ligji, megjithatë sipas Kushtetutës, Marjana Semini, e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese”.

Kushtetuta përcakton në nenin 125 që, nëse asnjë prej kandidatëve të përzgjedhur nga KED nuk merr shumicën e cilësuar prej 3/5, ose 84 vota të deputetëve, atëherë kandidati i renditur i pari nga KED emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Deputetët e opozitës shprehën dyshime se shumica socialiste po përpiqej të ndikonte me presione mbi votat e opozitës në votimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se “ishte e pakuptueshme ngutja e socialistëve për të kryer këtë votim, kur Partia Socialiste nuk i ka 84 vota” dhe se “po përpiqej të peshkonte vota rreth e rrotull”.

Ndërsa deputeti Gazmend Bardhi tha se opozita ishte e shqetësuar, “mbi përpjekjen e socialistëve për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në seksion të Partisë Socialiste, duke porositur truke dhe presione nga oligarkë ndaj deputetëve opozitarë, për të favorizuar kandidaturën e Ardian Dvoranit”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kjo ishte një fantazi në kokën e deputetëve të opozitës”, dhe se “deputetët socialistë do të votonin krejt të lirë zgjedhjet e tyre midis kandidatëve”, sepse grupi i tyre parlamentar nuk kishte marrë ndonjë vendim për të mbështetur njërin prej kandidatëve.

Deklaratat mohuese të zotit Rama shkaktuan nervozizëm tek deputeti Bardhi, i cili këmbënguli se shumica kishte bërë presion ndaj deputetëve opozitarë dhe, pas ngritjes së toneve fyese mes palëve, ky i fundit u përjashtua nga seanca.

Anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, profesore Marjana Semini ishte për mëse 22 vjet drejtuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe në Shkollën Kombëtare të Avokatisë.

Autore e një serie botimesh profesionale e akademike, ajo është po ashtu eksperte në një mori projektesh të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi të drejtat njerëzore, civile dhe të pronësisë intelektuale, avokatisë, noterisë, të drejtës tregtare.

Me emërimin e zonjës Marjana Semini Gjykata Kushtetuese u plotësua me të gjithë anëtarët e saj. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë dhe deri sot kishte 8 anëtarë.

Sipas Kushtetutës, tre anëtarë emërohen nga Presidenti, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Gjykata Kushtetuese u plotësua 10 ditë më parë edhe me një tjetër anëtar të ri, juristi Gent Ibrahimi.

Ai u betua më 13 dhjetor përpara presidentit Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme.

Zoti Ibrahimi ishte për 5 vite drejtuesi i parë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një nga organet e reja të sistemit gjyqësor pas reformës.

Për një kohë të gjatë ka qenë drejtues i Institutit të Studimeve Publike dhe Ligjore (ISPL), një prej organizatave të njohura, që trajtojnë çështjet e drejtësisë.

Ai u rendit i pari në listën e Këshillit të Emërimeve, në përfundim të një procesi të tejzgjatur verifikimesh, për gati 10 muaj.

Gjykata Kushtetuese nuk ushtroi dot funksionet e veta për disa vite, sepse procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dorëheqjet që pasuan, e lanë atë vetëm me kryetaren Vitore Tusha. Ndërsa tashmë gjykata është me numrin e plotë të anëtarëve për të trajtuar një mori çështjesh që dorëzohen nga palë të ndryshme./VOA

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close