Categories Lajme

Marjana Semini emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Dvorani mori vetëm 14 vota

Profesore e shkencave juridike, Marjana Semini, u emërua anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, në mbyllje të votimit, që zhvilloi Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit për këtë vit.

Ajo mori 58 vota nga 80 deputetë, që morën pjesë në votim, kandidati Ardian Dvorani mori 14 vota, kandidatja Arta Vorpsi mori 2 vota, ndërsa 6 u cilësuan si të pavlefshme nga komisionit të votimit.

Drejtuesja e komisionit, deputetja Klotilda Bushka, deklaroi që “nga votimi doli se asnjë nga kandidatët nuk i ka marrë dot votat e kërkuara nga ligji, megjithatë sipas Kushtetutës, Marjana Semini, e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese”.

Kushtetuta përcakton në nenin 125 që, nëse asnjë prej kandidatëve të përzgjedhur nga KED nuk merr shumicën e cilësuar prej 3/5, ose 84 vota të deputetëve, atëherë kandidati i renditur i pari nga KED emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Deputetët e opozitës shprehën dyshime se shumica socialiste po përpiqej të ndikonte me presione mbi votat e opozitës në votimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se “ishte e pakuptueshme ngutja e socialistëve për të kryer këtë votim, kur Partia Socialiste nuk i ka 84 vota” dhe se “po përpiqej të peshkonte vota rreth e rrotull”.

Ndërsa deputeti Gazmend Bardhi tha se opozita ishte e shqetësuar, “mbi përpjekjen e socialistëve për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në seksion të Partisë Socialiste, duke porositur truke dhe presione nga oligarkë ndaj deputetëve opozitarë, për të favorizuar kandidaturën e Ardian Dvoranit”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kjo ishte një fantazi në kokën e deputetëve të opozitës”, dhe se “deputetët socialistë do të votonin krejt të lirë zgjedhjet e tyre midis kandidatëve”, sepse grupi i tyre parlamentar nuk kishte marrë ndonjë vendim për të mbështetur njërin prej kandidatëve.

Deklaratat mohuese të zotit Rama shkaktuan nervozizëm tek deputeti Bardhi, i cili këmbënguli se shumica kishte bërë presion ndaj deputetëve opozitarë dhe, pas ngritjes së toneve fyese mes palëve, ky i fundit u përjashtua nga seanca.

Anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, profesore Marjana Semini ishte për mëse 22 vjet drejtuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe në Shkollën Kombëtare të Avokatisë.

Autore e një serie botimesh profesionale e akademike, ajo është po ashtu eksperte në një mori projektesh të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi të drejtat njerëzore, civile dhe të pronësisë intelektuale, avokatisë, noterisë, të drejtës tregtare.

Me emërimin e zonjës Marjana Semini Gjykata Kushtetuese u plotësua me të gjithë anëtarët e saj. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë dhe deri sot kishte 8 anëtarë.

Sipas Kushtetutës, tre anëtarë emërohen nga Presidenti, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Gjykata Kushtetuese u plotësua 10 ditë më parë edhe me një tjetër anëtar të ri, juristi Gent Ibrahimi.

Ai u betua më 13 dhjetor përpara presidentit Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme.

Zoti Ibrahimi ishte për 5 vite drejtuesi i parë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një nga organet e reja të sistemit gjyqësor pas reformës.

Për një kohë të gjatë ka qenë drejtues i Institutit të Studimeve Publike dhe Ligjore (ISPL), një prej organizatave të njohura, që trajtojnë çështjet e drejtësisë.

Ai u rendit i pari në listën e Këshillit të Emërimeve, në përfundim të një procesi të tejzgjatur verifikimesh, për gati 10 muaj.

Gjykata Kushtetuese nuk ushtroi dot funksionet e veta për disa vite, sepse procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dorëheqjet që pasuan, e lanë atë vetëm me kryetaren Vitore Tusha. Ndërsa tashmë gjykata është me numrin e plotë të anëtarëve për të trajtuar një mori çështjesh që dorëzohen nga palë të ndryshme./VOA

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Media zviceriane jep lajmin: Shqipja mund të bëhet gjuhë e tretë, anglishtja i merr vendin italishtes

Gjuha angleze sikurse edhe ajo shqipe po fitojnë terren të ndjeshëm në Zvicër. Këtë e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Mjekët pro dhe kundër projektligjit të ri për nënat surrogato, ja çfarë propozojnë

Projektligji i ri mbi shëndetin riprodhues, i cili ligjëron nënat surrogate në Shqipëri, po kundërshtohet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vau i Dejës, Dyshohet se qëlloi me armë zjarri, vijon kontrolli i zonës për kapjen e 35 vjeçarit

Vau i Dejës, Dyshohet se qëlloi me armë zjarri pistoletë, në drejtim të një automjeti,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Interpol Tirana, Në kuadër të bashkëpunimit me homologët, ekstradohen 6 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale

Interpol Tirana, Në kuadër të bashkëpunimit me homologët, ekstradohen 6 shtetas të shpallur në kërkim…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zhdukja e djalit 10-vjeçar të zyrtarit të SHISH-it 12 vite më parë, dëshmitarët: E pamë me dy persona….

Emisioni “Në Shënjestër” i është rikthyer historisë së zhdukjes pa gjurmë të 10-vjeçarit Julian Çela…

LEXO ME SHUME