Lajme

“Mbyllëm 22 universitet fantazëm dhe vendosëm ligjshmërinë në sistemin arsimor”, Kushi: 835 studentë ekselentë, të punësuar në administratë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi  deklaroi se gjatë qeverisjes socialiste u mbyllën 22 universitete dhe u vendos ligjshmëria në sistemin arsimor.

Në fjalën e saj, Kushi tha se 8 vite më parë, iu bashkova PS si një pedagoge që punoja prej shumë vitesh në Universitetin e Elbasanit, qytetin e Normales së famshme, qytetin e gjuhëtarëve të shquar, ku kontributi dhe dashuria për arsimin triumfon absolutisht mbi çdo gjë tjetër. Situatën në Arsimin e Lartë e njihja edhe nga pozita e dekanes së sapozgjedhur në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Elbasanit, si dhe pas 5 vitesh studime të doktoraturës në Angli.

“Kjo përvojë me ka ndihmuar padiskutim t’i njihja më mirë problematikat e shumta me të cilat përballesha çdo ditë. Ku pa dyshim, një plagë shumë e rëndë ishte prezenca e universiteteve private, të cilat ishin kthyer fatkeqësisht në piramida fatkeqe për shitjen e diplomave. Mjerisht, ky ishte dëmi më i madh që i është bërë ndonjëherë arsimit të lartë, por edhe tregut të punës, në Shqipëri. Asokohe ishte një një sfidë e guximshme dhe e jashtëzakonshme të përballeshe me atë katrahurë. Ndërsa sot jam shumë krenare që kemi një panoramë tjetër”, tha ajo.

Kushi shtoi se “kjo, edhe falë përkushtimit të Linditës në krye të proceseve transformuese, ne arritëm të mbyllim 22 universitete fantazmë dhe të vendosim më në fund në shinat e duhura ligjshmërinë në sistemin tonë të arsimit të lartë”.

“Shumë universitete private humbën licensën dhe të tjerë u pezulluan deri në plotësimin e kushteve të ligjshmërisë. Dhe sot kemi 100% universitete publike dhe private të akredituara ndërkombëtarisht në bashkëpunim me Agjencinë Britanike të Sigurimit të Cilësisë.Realizuam reformën e arsimit të lartë si një proces model konsultimi, e jo vetëm me universitetet tona, por edhe me ekspertizën më të mirë të huaj.

Miratuam Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, i cili nxit rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe siguron autonominë e universiteteve deri në njësitë bazë. Bëmë të mundur ndarjen e administrimit të universiteteve nga jeta akademike, që do të thotë ndarje e qeverisjes financiare dhe administrative nga veprimtaria akademike, duke siguruar një llogaridhënie të dyfishtë sipas funksioneve.Zbatuam një sistem të ri pranimesh në universitet, vetëm në bazë të meritës dhe në kushtet e një transparence të plotë dhe standardi në hyrje, dhe ky standard është realizuar jo vetëm nëpërmjet sistemit të ri të pranimeve, por edhe me rritjen graduale të notës mesatare hyrëse”, tha ajo.

Po ashtu, Kushi shtoi se kemi mbështetur programet e studimit 2-vjeçare sipas zhvillimit rajonal të orientuara nga tregu i punës, duke u ofruar studentëve, mundësinë për vijimin e studimeve në programet profesionale. Sot kemi 89 programe 2-vjeçare ku studiojnë 2259 studentë, të cilat do të jenë në prioritet tona.

“Realizuam Reformën në Fakultetet e Edukimit, duke përafruar kurrikulat në masën 80 % në të gjitha programet e studimit të fushës së mësuesisë në vend, duke rritur notën mesatare për maturantët që zgjedhin këto programe si dhe duke ofruar mbështetje financiare për ekselentët sepse duam të nxisim maturantët më të mirë të studiojnë për mësues.

Ndërkohë që “Pakti për Universitetin” solli një epokë të re në arsimin e lartë shqiptar, si përgjigje e zërit të studentëve dhe si vullnet i plotë i qeverisë për të reaguar dhe përmbushur kërkesat e drejta të studentëve”, tha ajo.

Në vijim Kushi tha se falë këtij Pakti, sot kemi 835 studentë ekselentë, me mesatare mbi 9, të punësuar në institucione të ndryshme të administratës publike, proces i cili nuk do të ndalet sepse është në vëmendjen tonë të vazhdueshme që t’i hapim rrugë punësimit me meritokraci, duke shfrytëzuar edhe energjinë pozitive të të rinjve për të kontribuar në Administratën që Duam të gjithë.

“Po ashtu, konsoliduam “Programin Kombëtar të Praktikave të Punës”, falë të cilit u jepet një hapësire të rinjve për të zhvilluar përvojat e tyre profesionale. rezultatet e këtij programi ambicioz flasin shumë qartë: Çdo vit janë 1000 studentë që përfitojnë një përvojë pune, ndërsa 200 më të mirëve u ofrohet punësim i drejtëpërdrejtë. Ndërkohë, vetëm përgjatë 5 thirrjeve të këtij programi janë zhvilluar mbi 3 mijë praktika 3-mujore dhe janë punësuar rreth 1 mijë praktikantë në institucione të ndryshme.

Kemi përfunduar rikonstruksionin, sipas standardeve më të mira europiane, të një numri rezidencash studentore që ishin në gjendje të mjeruar në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Elbasan, e Gjirokastër, me rreth 1 mijë studentë përfitues. Çdo vit, 12 mijë studentë përfitojnë nga bursat që kanë një efekt financiar prej 9-10 milionë dollarë në buxhetin e shtetit.

Ndërkohë që në dy vitet e fundit akademike kanë përfituar përkatësisht 88 dhe 42 mijë studentë nga reduktimi apo përjashtimi nga tarifat. Në kuadër të “Paktit për Universitetin” u krijua gjithashtu biblioteka digjitale, kontrolli antiplagjiaturë, transparenca financiare në universitete, ndërsa gjer më sot është realizuar shpërndarja e rreth 55 mijë kartave studentore për studentët e të gjitha institucioneve arsimore në Shqipëri”, tha ajo.

Po ashtu Kushi tha se vëmendja jonë për arsimin e lartë do të vazhdojë, për të pajisur studentët shqiptarë me dije dhe aftësi të konkurrueshme me bashkëmoshatarët e tyre në BE, për të përgatitur qytetarin e mirë dhe punonjësin e suksesshëm të vitit 2030-të.

“Me investimet në laboratore për kërkimin shkencor, si dhe me sigurimin e integritetit akademik dhe shkencor të universiteteve, do të përmirësohet cilësia e produktit universitar, dhe diploma e secilit student do të mbartë vlerën e duhur. Do të mbështesim hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit, midis universiteteve shqiptare dhe atyre të Bashkimit Europian, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, programe që do të realizohen tërësisht në gjuhën angleze.

Me investimet infrastrukturore në kampuset universitare, do të përmirësohet eksperienca atudentore dhe do të inkurajohen të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre në kampuset universitare shqiptare.Jam e ndërgjegjshme që përsëri kemi sfida të mëdha përpara, një pjesë që lidhen edhe me vështirësitë e pandemisë, sikurse në të gjithë globin. Por, sot mendoj se më shumë se kurrë, çdo pedagog e punonjës i universiteteve duhet të votojë PS, për të vazhduar betejat që kemi nisur së bashku, për të thelluar reformat rrënjësore, e për të rritur akoma më shumë investimet në arsim”, tha ajo.

Në fund, Kushi tha se diferenca mes PS dhe partive të tjera është shumë e qartë:  ata prishin, ne ndërtojmë; – ata nxisin paligjshmërinë dhe e duan fitoren për pushtet, ndërsa ne nuk kemi kohë për pushim, ne duhet të vazhdojmë të punojmë, për arsimin, për rininë, për brezin e ri, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e Shqipërisë.ATSH

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close