Policia e Shtetit informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
“Po ashtu, janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 22 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 17 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
“Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1762 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, informon Policia.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve, të mos shpejtojnë, mos të kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia informon se në çdo aks rrugor në të gjithë vendin ka patrulla të Policisë Rrugore për sigurinë e jetës.
“Shpejtësi që variojnë nga 130 km/h deri në 192 km/h në rrugën interurbane Levan-Vlorë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe më keq akoma në gjendje të dehur (nga 0.35 mg/l deri në 1.12 mg/l) dhe parakalime të rrezikshme duke mos qëndruar në radhë për shkak të fluksit apo për të arritur sa më parë në destinacion, janë rrezik i madh për jetën e të gjithë përdoruesve të rrugës”, thuhet në njoftim.