Categories Lajme

“Medalje e Artë” për gjimnazistët me rezultate të shkëlqyera

Nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera morën sot në prani të Kryeministrit Edi Rama “Medalje të Artë”.

Gjatë ceremoniesë së zhvilluar në këtë kuadër në Kryeministri, Rama inkurajoi të rinjtë, teksa tha se është forca e karakterit ajo që e bën realitet ëndrrën që shihet me sy hapur.

“Dikush i tha Moxartit se si duhet të bëjë një simfoni. Ai iu përgjigj: Pse simfoni, filloje me një sonatë. Po ti e bëre 10 vjeç, – i tha tjetri. Moxarti ia ktheu: unë e bëra, po nuk pyeta njeri si ta bëj”, e nisi fjalën Kryeministri Rama para të rinjve.

Duke e konsideruar si pjesën më të mirë e më të bukur të shoqërisë sonë, kryeministri u shpreh se janë vajza dhe djem që nuk i vënë kufij imagjinatës së tyre dhe nuk kapen pas 100 e më shumë justifikimeve të mundshme, por bëjnë sukses.

Sipas Ramës, medaljet e arta që ata marrin sot, pa asnjë diskutim do të mbeten në jetën e tyre dhe të prindërve të tyre një shenjë e një krenarie të madhe. Por shtoi ai, edhe e një besimi të madh se asgjë nuk është e pamundur kur njeriu është i vendosur për të realizuar ëndrrën që sheh me sy hapur.

Para të rinjve, Rama solli shembullin e Ermonela Jahos, për të cilën tha se askush nuk e besonte ëndrrën e saj për t’u ngjitur në “La Scala”.

“Nuk është e tepërt ta ripërsëris sot para jush shembullin e Ermonela Jahos. Ishte si ju, një vajzë në Liceun Artistik që nuk kishte asgjë tjetër përveç ëndrrës së vet për t’u ngjitur në majën që sot gjendet dhe nga ku rrezaton si një yll i posaçëm në qiellin e muzikës operistike botërore. Vinte nga një familje e varfër dhe për më tepër, në grupin e vajzave që studonin bashkë me të në Liceun Artistik, profesorët nuk e shquanin si njeriun që do të shkëlqente në skenën e botës, por si një njeri me vullnet e një vajzë që fliste për një ëndërr, që iu dukej për të qeshur”, tha Rama.

Ëndrra e saj, vijoi Rama, ishte se një ditë do të këndonte në “La Scala”.

“Dhe duke tejkaluar të gjitha parashikimet më optimiste për talentin e saj arriti të këndojë jo vetëm në “La Scala”, por në të gjitha skenat më prestigjioze të botës. Dhe sot është në luftë për një rekord tjetër. Ka ambicien të jetë sopranoja që të qëndrojë më gjatë në majë, të thyejë të gjitha limitet e moshës. Është e re, por në botën e operas, në karrierën e sopraneve ka një limit kohor për të qenë në majë dhe konkurrenca është e llahtarshme”, shtoi Kryeministri.

Parafytyroni, theksoi ai, sa shumë vajza në botë lindin me talentin për të arritur të ngjiten në majë dhe sa pak vend ka në skenë për të gjithë atë mori talentesh.

“Kam biseduar me Ermonelën dhe jam pataksur nga orët e stërvitjes fizike që ajo bën dhe tregimi i saj për stërvitjen e muskujve të thellë, një stërvitje që praktikisht e ka shpikur vetë duke bashkëpunuar me trajnerë të famshëm dhe sot e gjithë ditën është në majë”, deklaroi Rama.

Rama tha se është forca e karakterit ajo që të bën të realizosh ëndrrën me sy hapur.

“Dallimin e bën forca e karakterit, që të bën t’i rezistosh lodhjes, të lësh pas krahëve erërat që fryjnë kundër, të ngrihesh pasi rrëzohesh, të jesh shumë i përgatitur për të humbur dhe për të mos e parë humbjen si fundin, po si mundësinë për të rifilluar edhe një herë nga e para”, u shpreh Rama.

Rama ndau me të rinjtë edhe historinë e një familjeje nga Postriba (Shkodër), e cila ishte e varfër e jetonte në kushte të mjerueshme, por fëmijët ishin të shkëlqyer në mësime.

“Të gjithë keni histori të ndryshme, mes jush ka vajza e djem që vijnë nga familje me të ardhura modeste dhe të varfra. Nuk e harroj kurrë një vizitë në një shtëpi në Postribë, shumë e varfër. Babai, një i ri që punonte karrocier e me karrocën e tij mbante fëmijët, të cilët, besojeni ose jo, mësonin në një dhomë që kur binte shi, çatia pikonte dhe mësonin me çadër dhe ishin me të gjitha 10-ta”, u shpreh Kryeministri.

Vajza, tha ai më tej, ishte një nga nxënësit më të mira të Shqipërisë. Sipas Ramës, në atë fshat për të shkuar në shkollë bënte një rrugë aspak të lehtë.

“Keni patur mundësinë dhe të drejtën që të gjeni justifikime për të mos qenë më të mirët, që edhe qëndrojnë, por ju nuk i keni kërkuar justifikimet, nuk keni besuar për asnjë sekondë se ëndrra juaj mund të sakrifikohet për shkak të kushteve që kanë qenë kundër jush, sepse me siguri ka edhe vajza e djem me kushte optimale këtu”, deklaroi Kryeministri.

Dhe kjo, tha ai, është arsyeja pse ju jeni shumë më tepër sesa ajo çka jeni për veten e prindërit tuaj.

“Jeni më tepër, sepse ju jeni rrezatim frymëzimi, shprese, besimi për të tjerët e mua pesonalisht. Mos t’ju duket e çuditshme, por momentet kur unë kam nevojë për të gjetur arsyet për të rezistuar kujtoj vajzën e Postribës e Ermonela Jahon e të tjerë shembuj që ia kanë dalë, kur asgjë s’ka qenë në favorin e tyre, ëndrrës së tyre”, theksoi ai.

Sipas tij, talenti është një dhuratë e Zotit, por njeriu është ai që e ndan nëse talenti arrin të shpërthejë deri në fund, apo mbetet një flakë që shuhet gjatë rrugës me zjarrfikësen e justifikimeve.

“Bravo! Gjithçka që ju keni bërë dhe të gjitha vështirësitë që keni kaluar mos i harroni. Sa herë të gjendeni para një sfide të re, kujtohuni se ato nuk kanë arritur tek ju, por ju te rezultatet. Sa herë ndjeheni në vështirësi e mendja ju thotë ‘këtu është e vështirë’, thirrini kujtesës dhe kujtoni prindërit tuaj, veten tuaj, ato momente kur keni marrë frymë lirisht, pas një përjekjeje të madhe e keni arritur aty ku të tjerët nuk arrinin dot. Kujdes nga ëndrrat me sy hapur, aty për ju nuk vijnë rastësisht, por për një arsye, sepse ju thonë se ju jeni bërë ekzaktësisht për ta realizuar”, u shpreh Kryeministri.

Të gjithë ata që na ndjekin, vijoi Rama, duhet të marrin shembull.

“Mund të jenë si ju, e kanë nevojë për shembullin tuaj. Ka edhe plot cinikë që do të gjejnë përsëri justifikimet, por bota nuk është e tyre, bota është e guximtarëve, këmbëngulësve, të duruarve. Në botë ka vend për të gjithë, ne jemi të gjithë udhëtarë që kalojmë e ikim, por ka shumë rëndësi udhëtimi. Nuk është stacioni ku mbërrij, por rruga, që të dallon”, theksoi Rama.

Rama kujtoi edhe historinë e Odisesë.

“Ju besoj e njihni historinë e kërkimit të Itakës. Odiseja, janë shkruar shumë libra e refleksione dhe në fund emëruesi i përbashkët nuk është Itaka, por rruga drejt Itakës që i jep njeriut frymëzimin dhe mundësinë që të lërë gjurmën e vet. E ndërkohë ta jetojë këtë pjesë të udhëtimit që i është përcaktuar me pasionin e të jetuarit me gjithsej”, iu drejtua ai të rinjve.

Rama u kërkoi atyre të rezistojnë e të vazhdojnë të bëjnë realitet ëndrrën e tyre.

”Do keni plot njerëz që nuk do të duan suksesin tuaj e do t’i bëjnë armiqësorë ndaj jush. E mos e harroni çfarë ka thënë Faik Beu: shqiptarët falin çdo gjë, përveç suksesit. Rezistoni e vazhdoni, se bota do të jetë e juaja, jo e atyre që do t’ju ndeshin në rrugën e mjedisin ku punoni e jetën tuaj e do t’ju pengojnë apo përqeshin. Ata janë udhëtarë që do të mbeten sa ç’mbetet era. Ju jeni udhëtarë që do të lini pas me forcën e shembullit tuaj shumë arsye për të tjerët që të përballojnë justifikimet e të ngjiten në të njëjtën majë për ku jeni nisur”, theksoi Kryeministri Rama.

Rama u tha atyre se “Medalja e Artë” që ata marrin sot do të jetë jo shenjë e fatit, por e forcës që ju keni brenda. “Sa herë të ndjeheni se forcat po ju lënë shikoni medaljen e të jeni të sigurtë që do të japin forcë”, deklaroi ai. /j.p/r.e/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi për ditën e Premte, 19 Prill 2024

Dashi Do të jeni të shqetësuar për shkak të disa debateve që keni pasur së…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

‘Koka’ e mafias/ Prokuroria ekuadoriane lidh shqiptarin Dritan Gjika dhe 4 persona të tjerë me pastrimin e 31 milionë dollarëve

Një gjykatës kundër korrupsionit vendosi të lidhë këtë të enjte, pesë persona të tjerë me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrasja e Gentian Bejtjas: Zbulohet një mjet tjetër i autorëve, dyshohet ka lëvizur drejt Kamzës

Hetimet për vrasjen e Gentian Bejtajt të kryer më 15 mars të këtij viti, kanë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shqipëria e 6-ta në Evropë për aksidentet, ekspertët: Shkak, sinjalistika në rrugë

Raporti më i fundit i Institutit Europian të statistikave e rëndit vendin tonë të gjashtin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dyshohet se dhunoi bashkëshorten e tij, arrestohet 62-vjeçari në Korçë

Policia në Korçë ka arrestuar një 62-vjeçar, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij.…

LEXO ME SHUME