
Merr jetë projekti i rrugës Vllahinë-Poçem!
Të dashur miq, me kënaqësi të madhe po ju lajmëroj se një nga investimet më të shumëpritura në zonë, rruga Vllahinë-Poçem, do të bëhet së shpejti realitet.
Pas negociatash të suksesshme është nënshkruar kontrata mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kompanive ndërtuese “Shkëlqimi 07” dhe “Fusha”.
Pas rrugës së Lumit të Vlorës, një perlë infrastrukturore që ka rivitalizuar gjithë zonën, ky është investimi më i madh, i cili e lidh zonën me rrugën Levan-Tepelenë dhe iu vjen në ndihmë të gjithë banorëve të bashkive Selenicë dhe Himarë.
Vlera e projektit është 4.7 milionë euro dhe ajo përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugës në gjatësinë e saj prej 15.9 kilometrash.
Sipas projektit, është parashikuar ndërtimi i rrugës me gjerësi 5.5 metra asfalt dhe 7 metra së bashku me dy bankinat me çakëll.
Gjithashtu, do të kryhet riparim i urave ekzistuese, ndërtim i bokseve dhe tombinove, mbrojtje me pilota të rrëshkitjeve dhe kullim i ujërave, si dhe trotuarë të ndriçuar në zonat e banuara.
Kjo rrugë e shumëpritur për banorët e kësaj zone, do t’i japë frymëmarrje ekonomike e sociale Vllahinës, Koculit, Gorrishtit, Karbunarit, Rromësit dhe të gjithë qendrave të banuara pranë të cilave kalon rruga.
Ky investim vjen edhe si mirënjohje për këtë zonë, e cila i ka dhënë naftë prej dekadash gjithë Shqipërisë, por dëshirën e komunitetit për rrugë të asfaltuar po e bën realitet vetëm qeveria e Partisë Socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Suksese dhe me krahë të lehta në ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore!