
Ministrja Evis Kushi ka bërë me dije se është firmosur marrëveshja për punonjësit e arsimit parauniversitar. Kjo kontratë, vjen me disa risi në interes të mësuesve por edhe të nxënësve.
Sipas ministres, çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj.
“Kjo risi do t’u sjellë nxënësve fillimin dhe përfundimin e mësimit të një tremujori me të njëjtin mësues, si një faktor pozitiv për zhvillimin psiko-social të nxënësve dhe rezultate më të mira në mësimnxënie”, shkruan më tej Evis Kushi.
Gjithashtu, mësuesit e cilësuar si “invalidë pune” jo vetëm ngarkesën mësimore, por dhe kohën e qëndrimit në punë do ta kenë në përputhje me vendimin e KMCAP.
Kryetarja e Komisionit të Gruas dhe Kryetari i Komisionit të Rinisë në nivel kombëtar, përfitojnë normë mësimore të reduktuar nga 6-8 orë në javë.
Sipas Ministrisë së Arsimit, për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira të OECD, duke e përafruar këtë kontratë me kontratat e vendeve të BE.