
Në vijim të vizitës së tij në Francë, Presidenti Ilir Meta është ndalur në “La Maison de l’Albanie”, që e cilëson si shtëpinë e ngrohtë të shqiptarëve dhe e kulturës shqiptare në Paris.
Kreu i shtetit, duke ndarë kënaqësinë e këtij takimi me ndjekësit e tij në Facebook, shkruan se është takuar aty me përfaqësues të shoqatave të komunitetit tonë të dashur, të mirëintegruar në Francë.
Postimi i Presidentit Meta:
Shumë i lumtur të vizitoja “La Maison de l’Albanie”, shtëpi e ngrohtë e shqiptarëve dhe e kulturës shqiptare në Paris, ku pata kënaqësinë të takoja përfaqësues të shoqatave të komunitetit tonë të dashur, të mirëintegruar në Francë.
Ky komunitet ka potencialet intelektuale për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona historike e miqësore me Francën, dhe njëkohësisht të kontribuojë për një zhvillim më të mirë, më të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të imazhit dhe të përkushtimit europian të Shqipërisë.
Mbështes përpjekjet e tyre për mësimin e gjuhës shqipe përmes teatrit, dhe projektet e tjera për njohjen e vlerave, kulturës dhe historisë shqiptare në Francë. 🇦🇱🤝🇫🇷