Lajme

Meta thirrje Kuvendit: Ndërprisni urgjent hetimin për shkarkimin tim!

Presidenti Ilir Meta sqaron përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të gjitha arsyet pse Komisioni Hetimor Parlamentar nuk mund të marrë vendim për shkarkimin e tij. Mes të tjerash, në letër, Kreu i Shtetit përmend edhe faktin që ky Kuvend nuk ka opozitë, një tjetër arsye që, sipas tij, e bën jo legjitim për të kryer veprimtari hetimore.

“Ky Kuvend, si në asnjë vend tjetër demokratik, që prej muajit shkurt 2019, nuk ka opozitë reale brenda tij. Ndaj dhe mungesa e opozitës në Kuvend, është një arsye më shumë, se përse Kuvendi aktual njëpartiak, në këto kushte, në këtë periudhë/kohë, e në këto rrethana, nuk gëzon asnjë legjitimitet për të ngritur, dhe as për të kryer veprimtari hetimore”, shkruan Meta.

Më tej, Meta i kërkon Kuvendit të reflektojë dhe të shfuqizojë vendimin për miratimin e raportit dhe ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij, të ndërpresë menjëherë të gjitha procedurat hetimore parlamentare që po zhvillon ky komision, si dhe të mos ndërmarrë vendime të rëndësishme që cenojnë interesat e shtetit.

Pjesë nga letra e Metës:

Një arsye tjetër e mungesës së legjitimitetit të këtij Kuvendi, është dhe mungesa e opozitës. Roli i opozitës së mirëfilltë dhe reale brenda veprimtarisë së Kuvendit, është thelbësor.

6.2 Gjykata Kushtetuese ka pranuar në jurisprudencën e saj se, përmes hetimit parlamentar, kontrollohet zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e qeverisjes dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eleminimin e fenomeneve negative, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.

6.3 Ndërsa qeveria formohet nga shumica parlamentare, qëllimi i komisioneve hetimore është të shërbejnë si një mjet më shumë për pakicën parlamentare (opozitën e vërtetë), që duke i patur të kufizuara mjetet e saj, ta shndërrojë në një instrument të fuqishëm kushtetues kontrolli.

6.4 Me shkresën nr. 1520/2 prot., datë 5.5.2021, Presidenti i Republikës, ka vënë në dijeni Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut dhe Kryetarin e Kuvendit se, nëse Kuvendi e mendon veten të aftë, nëse kishte kohë dhe legjitimitet, dhe dëshiron të zbardhë krimet zgjedhore, të realizuara përgjatë këtij procesi zgjedhor të 25 prillit 2021, apo për të hetuar se përse autorët e krimeve zgjedhore nuk u dërguan përpara drejtësisë, atëherë mund të fillonte një proces me mbledhjen dhe vlerësimin e disa fakteve ulëritëse, duke i dhënë përgjigje pyetjeve konkrete, të cilat i risjell edhe një herë në vëmendjen e Kuvendit.

Këto pyetje dhe të dhëna duhen zbardhur, pasi siç po rezulton dita ditës, qeveria dhe funksionarët e kësaj shumice, brenda në Kuvend, apo jashtë tij, në këtë proces zgjedhor ka qenë e përfshirë tërësisht, me çdo mjet dhe ka përdorur çdo mënyrë, që kapërcen kufijtë e ligjit dhe të moralit, duke shpërdoruar autoritetin publik, vetëm me qëllimin për të krijuar avantazhe për partinë në pushtet, për mbajtur pushtetin, dhe jo për të zhvilluar një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe të ndershëm, siç qytetarët e Republikës së Shqipërisë meritojnë.

Ndaj pyetjet e parashtruara nga Presidenti, ngelen ende për t`u zbardhur, janë aty, vijojnë të mbeten pa përgjigje dhe shtohen përditë:

– Kush punonte me krimin dhe shoqërohej e mbështetej hapur prej tij?
– Kush u ofronte mbrojtje kriminelëve?
– Kush ka shpërdoruar pushtetin publik dhe administratën shtetërore për favorizim politik në zgjedhje?
– Kush dhe si i ka intimiduar qytetarët?
– Kush shfrytëzoi çdo burim e fond publik për qëllime të favorizimit të partisë së tij?
– Kush e krijoi rrjetin e patronazhistëve dhe si u keqpërdorën në mënyrë kriminale dhe u ekspozuan të dhënat personale të 910.000 qytetarëve shqiptarë?

– Kush ka nxitur dhunën, pasigurinë dhe terrorin përgjatë këtij procesi zgjedhor?
– Kush e keqpërdori të drejtën legjitime të qytetarëve për t`u vaksinuar, për përfitime elektorale?
– Si shpërndaheshin leje legalizimi me urdhra ministrorë?
– Kush shkeli ligjin përmes keqpërdorimit me materialet propagandistike?

– Kush shpërndante fonde të rindërtimit deri 2 ditë para zgjedhjeve?
– Kush miratoi Kontrata Koncesionare skandaloze gjatë periudhës zgjedhore?
– Kush i pengoi emigrantët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut të vinin në Shqipëri për të votuar?
– Kush tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve?

– Kush e keqpërdori Policinë e Shtetit në këtë proces zgjedhor në funksion të mbajtjes së pushtetit, dhe intimidimit/dëmtimit të kundërshtarëve politikë dhe mbështetësve të tyre?
– Kush institucion nuk veproi në kohën e duhur për të hetuar krimin zgjedhor? Mosveprimi erdhi si pasojë e neglizhencës, paaftësisë, apo me urdhër të dikujt?

Lista e çështjeve që kërkojnë zbardhje është e gjatë.

6.5 Por Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse iu dha mundësia nga Presidenti i Republikës për të vlerësuar objektivisht dhe për të kërkuar hetimin apo për të denoncuar të paktën këto fenomene, nuk e shfrytëzoi këtë mundësi. Por nisur nga fakti që urdhërues dhe autor i këtyre shkeljeve të ligjit është po vet mazhoranca që publikisht ka marrë në mbrojtje personat e përfshirë në këto shkelje zgjedhore, vijuan me një proces fiktiv, në shkelje të çdo norme juridike në fuqi.

6.6 E gjithë kjo farsë proceduriale dhe politike, nuk ishte një suprizë, pasi është pikërisht kjo mazhorancë, kjo shumicë qeverisëse e përfaqësuar nga Kryetari i saj që:

– Prishi marrëveshjen e 5 qershorit 2020, dhe realizoi ndryshime të njëanshme në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, pa konsensus dhe me një procedurë të përshpejtuar, me qëllim favorizimin e pandershëm të saj në garën politike të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe dëmtimin e qëllimshëm të opozitës së bashkuar në garën elektorale.

– Është ky Kuvend në ikje dhe kjo mazhorancë, që përgjatë këtyre 2 viteve ka miratuar ligje antikushtetuese, duke minuar parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, kontrollit dhe balancës mes institucioneve, barazisë përpara ligjit, në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në dëm të interesit publik;

– Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që përmes ligjeve klienteliste, ka dhënë me koncesion pasurinë publike të shtetasve shqiptarë, në përdhunim të interesave të tyre;

– Është kjo mazhorancë, që përmes strukturave dhe përfaqësuesve të saj në Kuvend dhe KQZ, pas dorëheqjes në bllok nga mandatet prej deputetëve të opozitës, nxitoi brenda ditës të mbyllte procedurat e zëvendësimit të këtyre deputetëve, në shkelje të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit;

– Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që së bashku me anëtarët e tij në KQZ, realizoi votimet një partiake në 30 qershor 2019 për pushtetin vendor, pa garë, për të emëruar përfaqësuesit e tyre;

– Është pikërisht ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që në bashkëpunim me përfaqësuesit e tij të emëruar në pushtetin vendor, prishi Teatrin Kombëtar në 17 maj 2020, përgjatë periudhës kur vendi i nënshtrohej masave kufizuese për shkak të situatës së pandemisë;

– Është ky Kuvend që në dy vite, ka iniciuar hetimin parlamentar për Presidentin e Republikës për të tretën herë, ndërkohë që nuk ka kërkuar dhe as nuk ka kryer ndonjë proces hetimor parlamentar ndaj veprimtarisë së qeverisë (shumicës) apo organeve/institucioneve në varësi të saj, që nuk ka ditë, që nuk prodhon çështje, me skandalet publike korruptive, që janë denoncuar nga opozita reale jashtë parlamentit dhe nga media e lirë.

6.7 Lidhur me ngritjen dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore në Parlament, dhe mënyrës së ushtrimit të kontrollit parlamentar, ka folur disa herë dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Në disa vendime të saj, kjo Gjykatë pohon se:

“E drejta e hetimit parlamentar është zhvilluar në kuptimin e së drejtës të pakicave në parlament, pavarësisht nga pozicionimi i tyre politik me qëllim, që t’u japë atyre një pushtet më të fortë. Së bashku me mjetet e tjera si pyetjet, interpelancat, apo mocionet për debat, ngritja e komisioneve të hetimit përbën një instrument të rëndësishëm kontrolli që ushtrohet nga parlamenti.

E drejta e hetimit realizohet vetëm, brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që parlamentarët kryejnë si përfaqësues të popullit për sqarim, apo hulumtim të hollësishëm në çështjen konkrete.

Kjo e drejtë shërben njëkohësisht edhe si një mjet në duart e pakicës parlamentare për të ushtruar kontroll kryesisht kundrejt ekzekutivit dhe për të kërkuar vënien përpara përgjegjësisë të mbajtësve të pushtetit.

Në një sistem parlamentar, duke qenë se qeveria formohet nga shumica parlamentare, e cila ka në dorë shumë mjete të tjera ligjore, e drejta e kontrollit hetimor i është njohur sidomos pakicës, që duke i patur të kufizuara mjetet e saj, ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues.

Nga ky këndvështrim i problemit, Gjykata Kushtetuese çmon se e drejta e pakicës vetëm përsa i përket kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor mbetet një e drejtë e pakufizuar nga vullneti i shumicës”.

6.7 Ndërkohë që, në Shqipëri, në vend që të kërkohet dhe të hetohet veprimtaria dhe paligjshmëria e qeverisë, ndodh e kundërta!

Qeveria dhe shumica brenda 2 vjetësh, inicion fiktivisht për të tretën herë një proces të pambështetur në Kushtetutë dhe ligje, për të hetuar Presidentin e Republikës, si të vetmin autoritet dhe organ Kushtetues, që i ka dalë përballë kësaj shumice dhe Kryetarit të saj, për të frenuar paligjshmërinë e shumicës/qeverisë, në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar.

6.8 Kjo ndodh sepse ky Kuvend, si në asnjë vend tjetër demokratik, që prej muajit shkurt 2019, nuk ka opozitë reale brenda tij!
Nëse do të kishte opozitë, nisur nga numri i madh i skandaleve, veprimtaria korruptive e ekzekutivit, e denoncuar publikisht nga opozita reale dhe media, atëherë kjo “opozitë” të vetmin mjet kontrolli që kishte/ka ndaj shumicës dhe që është ngritja e Komisioneve Hetimore Parlamentare, do ta kishte shfrytëzuar të paktën sa për sy e për faqe?!

Fakti është që nuk ka kërkuar hetimin e skandaleve të rënda, por për më tepër me shumë zell, deputetë rrogëtarë në Kuvend, i bashkohen në votim çdo nisme legjislative e çdo vendimmarrjeje.

Kjo reflekton qartë, në një formë apo në një tjetër se, Kryeministri i shumicës ka gjetur një partneritet të ri, dhe ia ka arritur t’i përfshijë brenda gjirit të tij thuajse të gjithë deputetët e Kuvendit në ikje, duke i përfshirë shumë nga këta të fundit edhe në listat konkurruese të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit 2021 .

Duhet kujtuar që janë po këta lloj deputetësh të vetëquajtur “opozitar”, që u vetofruan dhe u keqpërdorën në 15 qershor 2020, për të iniciuar, e realizuar ndryshimet e njëanshme Kushtetuese të 30 korrikut 2020 , dhe sot çuditërisht, përfaqësuesi i tyre në këtë iniciativë, gjendet po me dëshirë, dhe si anëtar aktiv e Zëvendëskryetar i Komisionit Hetimor.

Janë po këta deputetë që “dëshironin” dhe kërkuan lista të hapura dhe nënshkruan një kërkesë për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë të njëanshme, e që më pas derivuan në ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor në 5 tetor 2020 , që gjenden dhe sot në përbërje të “Komisionit Hetimor”, të cilët edhe pse rezultati paraprak zgjedhor tregon se, nuk siguruan as dhe një mandat të vetëm përfaqësues, janë të gatshëm dhe bëjnë çmos që të mos hetohet qeveria dhe krimi zgjedhor, por me kënaqësi i bashkohen veprimtarisë fiktive dhe antikushtetuese të shumicës, për të “hetuar” Presidentin e Republikës!

Kjo është kriza më e rëndë e legjitimitetit të përfaqësimit të popullit në Kuvend, të realitetit të këtij Kuvendi, në ikje, që pas braktisjes së parlamentit nga opozita reale.

Ndaj dhe mungesa e opozitës në Kuvend, është një arsye më shumë, se përse Kuvendi aktual njëpartiak, në këto kushte, në këtë periudhë/kohë, e në këto rrethana, nuk gëzon asnjë legjitimitet për të ngritur, dhe as për të kryer veprimtari hetimore.

Fakti që Kuvendi aktual ka 0 (zero) opozitë, rezultoi e provuar nga vet procesi zgjedhor i 25 prillit 2021, ku asnjë deputetë i vetquajtur “opozitar”, që kandidoi si i tillë në këto zgjedhje, nuk arriti të fitonte qoftë dhe një mandat të vetëm përfaqësimi në Kuvend.

Të gjitha këto fakte, u renditën më sipër për t`ju rikujtuar, jo vetëm se Kuvendi ka shkelur procedurën kushtetuese dhe ligjore në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, në shqyrtimin e saj dhe në finalizimin e këtij procesi antikushtetues me një vendim konkret për ngritjen e tij; por dhe për t`ju sjellë në vëmendje se nëse ju si Kuvend njëpartiak nën diktatin e Kreut të Partisë Socialiste, dëshironi të vazhdoni “sa për sy e faqe” farsën e nisur me urdhër të tij për mbulimin e masakrës zgjedhore, Kreu i Shtetit, si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garant i Kushtetutës, ka detyrimin të vazhdojë ushtrimin e qetë të funksionit të tij kushtetues, duke injoruar çdo kërkesë që vjen nga një organ antikushtetues dhe i paligjshëm, që e keni emërtuar Komisioni Hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”.

Instrumentet hetimore

arlamentare nuk mund të përdoren në mënyrë abuzive dhe tej hapësirës kontrolluese që Kushtetuta dhe ligji ia njeh Kuvendit.
Kuvendi as në kushtet e legjitimitetit të plotë nuk mund të sillet si një super-organ i pushtetit të shtetit. Në një demokraci parlamentare, ku funksionon parimi i ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, Kuvendi nuk mund ta konsiderojë veten të aftë të ushtrojë kontroll mbi çdo institucion, të nisë procedura për ti vendosur ata nën trysni, apo presion në ushtrimin e funksioneve, apo të marrë vendime në emër të institucioneve të tjera.

Një interpretim ndryshe i kësaj kompetence kontrolli që i njihet Kuvendit, do të çonte në mohimin e parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës, ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve.

Antikushtetutshmëria, paligjshmëria, dhe mungesa e legjitimitetit të Kuvendit, theksohet edhe më shumë në rastin konkret, pasi Kuvendi përmes forcës politike që përbën shumicën e tij, është aktor kryesor i jetës politike, i konkurrimit politik të 25 prillit, dhe shkaktari kryesor i realizimit të një procesi zgjedhor ku vullneti i zgjedhësit u shtrembërua, dhunua, dhe tjetërsua me të gjitha format, sidomos në këtë situatë post zgjedhore.

Kuvendi në marrjen e kësaj iniciative, në një periudhë post zgjedhore, ku kallëzimet penale për krime zgjedhore ndaj shumicës dhe aktorëve kryesor të saj që nga Kryeministri, deputetët, deri tek drejtorët më të thjeshtë, janë të panumërta dhe ende të pashqyrtuara nga organi i akuzës, është në mungesë të theksuar legjitimiteti.

Kjo pasi, përveçse po kryhet një proces jashtë afateve dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, por nga ana tjetër Kuvendi në kushte të tilla, ka ndërmarrë një rol aktiv, duke cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke dëmtuar kompetencat dhe rolin kushtetues të Presidentit të Republikës, por dhe duke intimiduar e ndërhyrë të paktën publikisht dhe në pavarësinë dhe detyrën që duhet të përmbushin organet e drejtësisë penale, të cilët do të duhet të hetojnë krimet zgjedhore të denoncuara tashmë nga Presidenti i Republikës, shoqëria civile, opozita, etj.

Kuvendi përmes kësaj iniciative, tenton që të delegjitimojë, apo kufizojë veprimtarinë e Kreut të Shtetit, si institucion mbi palët, si përfaqësues i Unitetit të Popullit dhe garant të Kushtetutës, duke tentuar që në publik të hedhë idenë se është Kuvendi i Shqipërisë, ai që e ka këtë rol, ai qëndron mbi palët, dhe ai e ka të drejtën.

Në këtë mënyrë Kuvendit njëpartiak, kërkon njëkohësisht të ndikojë tek organet e drejtësisë, për të mos hetuar krimet zgjedhore, për të cilat përfaqësuesit e shumicës qeverisëse janë kallëzuar.

Ndërkohë që, është pikërisht Kuvendi aktual dhe forca politike e vetme përbërëse e tij, Partia Socialiste, një nga aktorët pjesëmarrës në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021, ajo që ushtron pushtetin ekzekutiv (qeverisjen) dhe që ka përgjegjësinë për gjithë shkeljet e ligjit dhe shpërdorimin e pushtetit dhe aseteve publike në këtë proces zgjedhor.

Ndërkohë që, kjo mazhorancë dhe forcë qeverisë do duhet të përgjigjet përpara shqiptarëve dhe organizmave ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë, për këtë proces zgjedhor, të kthyer në një masakër elektorale, ku vullneti i shqiptarëve duket qartë se u shtrembërua përmes çdo lloj mjeti e pushteti të ushtruar në mënyrë të paligjshme nga qeveria, kjo shumicë parlamentare në ikje, në kundërshtim me gjithë parimet e shtetit të së drejtës inicion procese të tilla fiktive, ndaj Presidentit të Republikës!

Presidenti i Republikës përgjatë gjithë veprimtarisë së Tij, me qëllim mbrojtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese, ruajtjen e integritetit të këtij procesi zgjedhor, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, fakti, apo rrethane që lidhet me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, apo që përbën krim zgjedhor.

Presidenti i Republikës, në mbrojtje të këtij procesi zgjedhor me qëllim vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit zgjedhor, ka denoncuar në organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, mbi 28 denoncime të përcjella nga qytetarët, ndërkohë që ka bashkëpunuar dhe ka informuar në mënyrë të vazhduar misionin e OSBE/ODIHR, trupin diplomatik në Tiranë, për të gjithë këto kallëzime, si dhe për problematikat e tjera, apo shkeljet e ligjit, të shfaqura apo të konstatuara përgjatë procesit zgjedhor dhe fushatës elektorale.
Gjithashtu Presidenti i Republikës, ka bashkëpunuar me shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata që kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor, për të sensibilizuar dhe për të garantuar se çdo fenomen negativ që përbën vepër penale, krim zgjedhor, apo shkelje të ligjit, të evidentohet, regjistrohet, dhe hetohet brenda një afati të arsyeshëm.

Të pretendosh ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e Presidentit të Republikës, si të vetmin autoritet kushtetues, dhe të pakapur nga mazhoranca, që bëri çdo përpjekje për mbrojtjen e procesit zgjedhor, ndërkohë që gjithë institucionet e tjera, të urdhëruara apo ndikuara nga qeveria, nuk vepruan për të frenuar krimet zgjedhore, është përpjekja më e pastër, e mazhorancës për të ndërhyrë në kompetencat e Kreut të Shtetit, duke shkelur parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar parimet e funksionimit të shtetit demokratik të së drejtës, dhe për të bërë çdo gjë, për të kapur e marrë edhe institucionin e vetëm që i ka dalë mazhorancës përballë në këto 3 vite, duke e frenuar në paligjshmërinë e saj.

Kjo përpjekje e radhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, në këtë periudhë/kohë kur ngrihet dhe që pretendon të funksionojë, synon shmangien e vëmendjes nga problematikat e rënda reale që po evidentohen dita ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj.

Kjo nismë e Kuvendit, synon ndër të tjera të paralizojë, veprimtarinë kushtetuese të Presidentit të Republikës nëpërmjet mjetit të presionit, ndërkohë që Presidenti i Republikës përgjatë gjithë veprimtarisë së tij në ushtrim të funksionit dhe rolit të tij kushtetues, ka bërë të gjitha përpjekjet:

– Për krijimin e një klime të konkurrimit të ndershëm politik me pjesëmarrjen e gjithë spektrit politik në zgjedhjet e 25 prillit;
– Për të ruajtur balancat dhe klimën konsensuale ndërmjet palëve në këtë proces zgjedhor, ndërkohë që institucionet e tjera, rezultuan se nuk vepruan në kohë për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore;

– Për të sensibilizuar të gjithë, për të denoncuar çdo veprim të kundraligjshëm që cenonte të drejtën e votës, për ruajtjen e legjitimitetit të procesit zgjedhor dhe njohjen e rezultatit që do të dilte nga një procesi zgjedhor i lirë, i ndershëm, i pandikuar dhe demokratik;
– Për të kundërshtuar çdo veprimtari të shumicës për kapjen e shtetit dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë prej saj;
– Për të ruajtur të pacenuar, integritetin e vendit, interesat kombëtare të shqiptarëve kudo ndodhen, interesat e shtetit dhe të shtetasve nga ndërhyrjet, veprimet apo vendimmarrjet të pamenduara mirë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, të shumicës qeverisëse në këto 3 vitet e fundit;

– Ka denoncuar pranë institucioneve ligjzbatuese – Prokurorisë dhe partnerëve ndërkombëtarë çdo veprim apo fenomen që përbënte krim, apo shkelje të rregullave zgjedhore.

Kjo nismë e Kuvendit njëpartiak, është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e radhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, denoncimet e opozitës, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar më 25 prill 2021.
Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjet e saj vlerëson se:

“Kuvendi, kur cakton një komision hetimor, duhet të respektojë parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe limitet kushtetuese të kontrollit parlamentar, të cilat nuk lejojnë që ky kontroll të ushtrohet për çdo çështje dhe për çdo organ. Nga ana tjetër, objekti i kontrollit parlamentar duhet të jetë i tillë, që të mos çojë në shkeljen e rregullimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me organet e tjera. […] Gjykata Kushtetuese rithekson se, funksioni kontrollues i Kuvendit nuk mund të qëndrojë jashtë natyrës së tij ligjvënëse.”

Nisma të ndërmarra në forma dhe mënyra të tilla, janë të papranueshme për shoqëritë demokratike, konsiderohen hakmarrje, pse jo dhe puç institucional apo “grusht shteti”, për kapjen e institucioneve kushtetuese, që në rastin konkret, po tentohet të realizohet kundër institucionit të Presidentit të Republikës, që në mbrojtje të Kushtetutës dhe parimeve themelore të saj, ka qenë në një përballje 3 vjeçare me këtë mazhorancë qeverisëse që me veprimtarinë e vendimmarrjen e saj, i ka shkaktuar vendit në këto vite, një krizë të thellë shumëplanëshe dhe me pasoja shumë të rënda ekonomike, shoqërore, sociale duke cenuar në themel rendin kushtetues dhe demokracinë.

Në përfundim, për të evidentuar edhe një herë se çdo veprim i këtij Kuvendi në këtë drejtim është farsë, pasi vet procesi është ngritur në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme, do ju sillnim në vëmendje edhe për një fakt tjetër, që shfaq hipokrizinë e kësaj nisme:
– Me shkresën me nr. prot. 1081/23, datë 14.5.2021, të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, administruar pranë Institucionit të Presidentit të Republikës me nr. prot. 1533/5, datë 14.5.2021, është përcjellë shkresa e nënshkruar nga Alket Hyseni, cilësuar nën atributet e Kryetarit të Komisionit Hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, me lëndë “Thirrje për seancë dëgjimore”, e që i kërkon Kreut të Shtetit, Sh.T.Z. Ilir Meta, që “të paraqitet para Komisionit ditën e martë, datë 18.5.2021, ora 10:00, për t`u dëgjuar me rrethanat që lidhen me objektin e hetimit”.

Siç jua kemi bërë me dije me shkresën tonë nr. prot. 1533/2, datë 6.5.2021, Presidenti i Republikës, në datën 6 maj 2021, ka pritur e realizuar takime me përfaqësues të lartë shtetesh, si Ministren Federale për Çështjet Evropiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë znj. Karoline Edtstadler dhe Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor, e cila ka qenë publike dhe është njoftuar në rrjetin social, Presidenti i Republikës ka bërë prezent faktin që Sllovenia do të organizojë në ditët e ardhshme (17 maj 2021) Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që përkon me 10 vjetorin e kësaj nisme tepër të rëndësishme .

Ndërkohë që gjithçka ka qenë publike dhe e zyrtarizuar që më datë 5 maj 2021, Kuvendi e strukturat e tij, kujdesen që të hartojnë një plan e një kërkesë që reflekton një tjetër veprim farsë, pasi pikërisht duke qenë në dijeni të plotë, se në datën 17 maj 2021, zhvillohet Takimi i Kryetarëve të Shteteve të Nismës së Procesit Brdo-Brijunit në Slloveni, takim ky që organizohet nga zyra e Presidentit Slloven në kuadër të 10 vjetorit të krijimit të kësaj nisme, pikërisht caktojnë dhe datën 18 maj 2021, ora 10:00, kërkesën për takim me Presidentin e Republikës.
Jo vetëm që Protokolli i Shtetit është në dijeni të këtij fakti, por vetë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka informuar zyrtarisht Institucionin e Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 5406 prot., që në datën 5.5.2021, mbi këtë aktivitet, draft programin, informacionin e përgjithshëm dhe nevojën e ndjekjes së procedurave të regjistrimit të delegacionit me qëllim pjesëmarrjen.

Ky veprim është i njëjtë dhe i përsëritur tashmë nga deputetët e ngarkuar nga partia për të ndjekur misionin e paligjshëm, pasi i njëjti veprim u krye nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, kur kërkonte paraqitjen e Presidentit të Republikës për dëgjesë, në datën 6.5.2021, ndërkohë që sërish Protokolli i Shtetit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme , ishin në dijeni të agjendës zyrtare dhe takimeve protokollare të Kreut të Shtetit.

Kjo sillet në vëmendje, vetëm për të treguar fiktivitetin, qëllimet negative, dhe prapaskenat politike të veprimtarisë së Kuvendit, pasi Presidenti i Republikës jo vetëm që është në pamundësi objektive për t’u paraqitur, por nga ana tjetër nuk mund të bëhet palë me prezencën e tij, në një strukturë të krijuar në mënyrë antikushtetuese me vendimin nr. 45/2021 të Kuvendit, e cila nuk duhet të mblidhet, nuk duhet të ekzistojë, dhe nuk duhet të funksionojë.

Ky “komision hetimor” nuk po zhvillon asnjë veprimtari kushtetuese dhe ligjore, ndaj Ju, zoti Ruçi, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, keni detyrimin për orientimin e veprimtarisë së Kuvendit brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Zoti Kryetar i Kuvendit,

Në përfundim, siç rezulton sa më sipër, si rezultat i urdhërimeve politike të Kryeministrit, ndaj përfaqësuesve të tij, dhe pro tij, në Kuvendin e Shqipërisë, rezulton se:

– Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, ka ngritur një Komision Hetimor, në shkelje flagrante të parimeve kushtetuese për një proces të rregull ligjor dhe procedurave të detyrueshme për zbatim;

– I gjithë procesi që nga paraqitja e kërkesës, njoftimi, vlerësimi, ngritja dhe funksionimi i Komisionit Hetimor, ka cenuar rëndë parimet e funksionimit të demokracisë dhe çdo standard kushtetues, duke shkelur hapur të gjitha parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, për një proces të rregullt ligjor, të paanshmërisë e të paanësisë;

– Kuvendi i Shqipërisë me vendimet nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, ka ngritur një Komision Hetimor, pa identifikuar asnjë shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, apo kryerjen e ndonjë krimi të rëndë;

– Kuvendi i Shqipërisë me vendimet nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, ka ngritur një Komision Hetimor, në mënyrë fiktive, pa objekt;

– Vendimmarrja e Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e një Komision Hetimor, nuk përputhet me funksionin dhe qëllimet e kontrollit parlamentar të përcaktuar në nenin 77 të Kushtetutës;

– Ngritja nga Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, e një Komisioni Hetimor, dhe funksionimi i këtij organi, përveç shkeljeve të procedurave parlamentare, është kryer përtej afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore, shkel të gjitha parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, gjë që sjell pavlefshmërinë e tyre;

– Kuvendi i Shqipërisë, me ngritjen e Komisionit Hetimor, dhe funksionimin e kësaj strukture, ka kapërcyer kompetencat e ligjvënësit, duke krijuar realisht një përplasje të re me Institucionin e Presidentit të Republikës, si dhe krijimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese me Presidentin e Republikës, duke cenuar pavarësinë e këtij organi, funksionimin normal të tij, dhe duke penguar veprimtarinë kushtetuese dhe kompetencat e Presidentit të Republikës;

– Kërkesa, vlerësimi dhe vendimmarrja e Kuvendit për ngritjen e një Komisioni Hetimor, sipas vendimit nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, dëmton interesin publik, cenon kompetencat dhe rolin e Presidentit të Republikës, si Kreu i Shtetit, si garant i Kushtetutës, si moderator, si arbitër, mbi palët, me rol të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e krizave;

– E gjithë veprimtaria hetimore që Kuvendi i Shqipërisë, po kryen përmes strukturës së ngritur me vendimet nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, është përtej afateve dhe procedurave që përcaktohen nga Kushtetuta dhe ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”;

– E gjithë veprimtaria e Kuvendit, për paraqitjen e kërkesës, ngritjen dhe funksionimin e një Komisioni Hetimor, sipas vendimit nr. 44/2021 dhe nr. 45/2021, është realizuar pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë më datë 25 prill 2021. Duke qenë se kjo veprimtari ka për synim, shmangien e vëmendjes nga problematikat reale të fenomenit të krimeve dhe shkeljeve zgjedhore që janë konsumuar nga kjo mazhorancë politike në Kuvend, dhe pengimin e veprimtarisë Kushtetuese të Presidentit të Republikës, për të përmbushur rolin dhe misionin e tij Kushtetues, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale të të gjithë aktorëve politikë, por jo vetëm brenda apo jashtë mazhorancës socialiste të përfaqësuar në këtë Kuvend njëpartiak, atëherë e gjithë kjo nismë bie ndesh me parimet dhe parashikimet kushtetuese, dhe është krejtësisht jo legjitime për të kryer këtë funksion kontrolli parlamentar.

Kuvendi i Shqipërisë, duhet të reflektojë duke u mënjanuar nga qëllimet/urdhrat politikë. Në këtë periudhë tranzitore që përkon me përfundimin e mandatit të tij, Kuvendi mund dhe duhet të përmbushë vetëm ato detyra që i lejon/cakton Kushtetuta dhe ligji.
Kuvendi i Shqipërisë, për t`u rikthyer në veprimtari normale, dhe për të ndërprerë gjendjen e antikushtetutshmërisë dhe shkeljes së ligjit, duhet që pa vonesë të ndërmarrë këto vendime:

– Të shfuqizojë Vendimin nr. 44/2021 dhe Vendimin nr. 45/2021, datë 7.5.2021 për miratimin e raportit dhe ngritjen e Komisionit Hetimor;

– Të ndërpresë menjëherë çdo lloj procedure hetimore parlamentare që po zhvillohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur sipas përbërjes së vendimit nr. 45/2021, datë 7.5.2021 të Kuvendit të Shqipërisë;

– Të ndërpresë çdo veprimtari parlamentare, legjislative, politike, vendimmarrëse që cenon parimet e shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, dhe të mos ndërmarrë nisma legjislative apo vendime të rëndësishme që cenojnë interesat e shtetit dhe të shtetasve, në këtë periudhë në përfundim të mandatit të tij;

– Të ndërpresë çdo veprimtari që përbën tejkalim të funksioneve të Kuvendit dhe ndërhyrje në kompetencat e Presidentit të Republikës, apo kufizim të rolit të Tij, apo të veprimtarisë së organeve e institucioneve të tjera kushtetuese.

Ndaj për ta përmbyllur, me lejoni t`ju përsëris përfundimisht të njëjtën thirrje si për Komisionin e Ligjeve, përmes shkresave të dërguara, se:

Në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, të gjithë këto veprime, përveçse reflektojnë qartë se po realizojnë me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbartin dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavlefshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive, si dhe nxitjen e një klime konfliktuale institucionale, dhe jo vetëm, por do të prodhojë kosto, për qytetarët, për vendin, dhe institucionet e tij.
Ndaj i bëj thirrje këtij Kuvendi,

– me 0 (zero) opozitë, dhe pa asnjë forcë opozitare brenda tij, siç e konfirmuan dhe vet zgjedhjet e 25 prillit;
– që ka njollosur parlamentarizmin si asnjë Kuvend tjetër më parë;

– që vuri dorë me vetëdije mbi zgjedhjet e 25 prillit, duke nisur me dhunimin e njëanshëm të marrëveshjes së 5 qershorit, e deri te miratimet e njëanshme si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit, të ndryshimeve të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor;

– që harxhoi dy vite me fyerje, sharje, shpifje, hetime ndaj Presidentit, të bëra direkt nga podiumi ku duhej të uleshin përfaqësuesit e denjë të sovranit;

– që i ka humbur të tëra betejat me Presidentin e Republikës, edhe pse ka qenë i vetmi institucion në mbrojtje të Kushtetutës e rendit kushtetues;

se, duhet ta ketë të qartë që askush, brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të gënjehet e mashtrohet se kjo është çështje “etike” dhe “retorike”. Jo!

Kjo është vetëm çështje SOVRANITETI!

Edhe pse kjo nismë është një hakmarrje, ju garantoj se, Presidenti i Republikës, ishte dhe do të mbetet i vetmi institucion që nuk e frikësuat, që nuk e korruptuat, dhe që nuk e detyruat asnjëherë, që të shkelte Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Jam krenar që kam mbrojtur e do të vazhdoj të mbroj, deri në 24 korrik 2022, sovranitetin dhe unitetin e popullit, sovranitetin dhe integritetin e shtetit shqiptar që përfaqësoj, si President i Republikës së Shqipërisë. PRESIDENTI  ILIR META

 

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: