Lajme

Mori jetën e 19 fëmijëve të shkollës fillore në Teksas, 18-vjeçari fillimisht vrau gjyshen e tij

19 fëmijë dhe dy të rritur u vranë gjatë të shtënave në një shkollë fillore në Teksas të martën, tha guvernatori Greg Abbott. Mësohet se autori i sulmit është një 18-vjeçar i cili ishte i armatosur dhe që hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde para se të vritej nga forcat e rendit.

Hetuesit thonë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë. Salvador Ramos vrau fillimisht gjyshen e tij, dhe më pas ka bërë një aksident automobilistik pranë shkollës fillore.

Ai doli nga makina me një pushkë dhe hyri në ndërtesën e shkollës duke hapur zjarr në disa nga klasat. Pak dihet për Ramos: ai ishte një gjimnazist në zonë dhe pak para masakrës kontaktoi me një të vajzë të panjohur në Instagram duke i thënë se kishte një sekret që donte ta tregonte: “Unë jam gati të …”.

Megjithatë, ai nuk i ka rrëfyer vajzës se cili ishte gjesti i çmendur që kishte në mendje dhe që e përfundoi disa orë më vonë. Në llogarinë e tij në Instagram, vrasësi ka postuar një selfie dhe foto të armëve, mes të cilave një me dy pushkë.

Nuk dihet nëse këto janë armët e përdorura për masakrën. Ajo që dihet është se djali ka blerë dy pushkë për ditëlindjen e tij të 18-të. Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se sulmuesi, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr “të tmerrshëm, në mënyrë të pakuptueshme”. Një nga të rriturit e vrarë ishte një mësuese, e cila është përmendur në mediat amerikane si Eva Mireles.

Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se një zyrtar i Patrullës Kufitare të SHBA-së, i cili ishte afër kur filluan të shtënat, hyri me shpejtësi në shkollë dhe qëlloi dhe vrau personin e armatosur, i cili ndodhej pas një barrikade.

Dy agjentë kufitarë thuhet se u qëlluan gjatë shkëmbimit të zjarrit me të riun, një prej të cilëve mori plumb në kokë, por fatmirësisht në gjendje stabël për jetën. Një grua 66-vjeçare dhe një vajzë 10-vjeçare janë në gjendje kritike në një spital në San Antonio, thonë zyrtarët e spitalit Universitar Shëndetësor.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close