
Baftjar Nela përmbarues privat u qëllua me thikë mëngjesin e sotëm teksa kishte shkuar për të dorëzuar njoftimin për masë sigurie në banesën e Aleksandër Camandioti. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Sarandë. Baftjar Nela u dërgua në spital për të marrë ndihëm mjekësore. Ndërkaq, bashkëshortja e Aleksandër Camandioti ka dhënë detaje për ngjarje. Vjollca Camandioti ka rrëfyer çfarë ndodhi mëngjesin e sot.
Ajo thotë se derë i trokiti përmbaruesi dhe ndërtuesi i pallatit.
“Dëgjuam që i bien derës me grushte dhe shqelma. U çuam, i tha burri kush jeni, çfarë doni. Jemi nga përmbarimi, edhe ai kësaj kompanisë. Firmos këtu tha se do ikni nga shtëpia. Ne jemi në Apel i thamë, kjo është një çështje shumë e ndërlikuar. Ai ndërtuesi i pallatit tha pabuksa do ikni nga shtëpia ime”, tha ajo.
Më tej ajo shprehet se bashkëshorti në mirëbesim i ka dhënë ndërtuesit të pallatit 72 mijë euro, me premtimin se do të merrte dy apartamente kur objekti të përfundonte. Po ashtu ajo thotë se nuk e ka parë që bashkëshorti të plagosë përmbaruesin.
Ndërkaq, Baftjar Nela nuk është një emër i panjohur. Në vitin 2017 ai është ndaluar nga policia, pasi në kundërshtim me ligjin, ai i kishte bllokuar tre prona private, edhe pse vetë i ishte hequr licenca. Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, pronat e bllokuara nuk kanë qenë në proces gjyqësor.