Lajme

Nano e Çuçi takim me drejtorët e Tiranës, Elbasanit, Dibrës, Durrësit e Korçës

Në Drejtorinë e Policisë ka nisur takimi i drejtorit të përgjithshëm Gledis Nano, ministrit Bledi Çuçi dhe drejtorëve të Tiranës, Elbasanit, Dibrës, Durrësit e Korçës.

Në fokus të takimit do të jenë diskutime për çështjet e kanabisit, rritjen e kontrolleve në territor për zbulimin e paligjshmërisë.

Tiranë – Lufta kundër kanabisit, Çuçi mbledh drejtuesit e policisë së 5 qarqeve: Zero mbështetje politike dhe asnjë tolerancë. Legalizimi për qëllime mjekësore një iniciativë që s’duhet ngatërruar me trafikimin

Pas takimit të para dy ditëve në Lezhë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka mbledhur sot në Tiranë drejtuesit e Policisë së Shtetit të 5 qarqeve të tjera; Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Korçë. Bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi kërkoi të jetë në fokus lufta kundër kultivimit të kanabisit.

“Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë dhe mënyrat për ta minimizuar në maksimume historike këtë fenomen negativ. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit. Zero mbështje politike për këtë aktivitet kriminal”, tha Çuçi.

Lidhur me iniciativën mbi legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, ministri Çuçi tha se nuk ka asnjë lidhje me kanabisin për qëllime trafikimi apo për përdorim.

“Ka një tendencë për ta konfonduar disi këtë iniciativë me kultivimin për qëllime trafikimi apo rekreative. Nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Ne shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit që të mos abuzojë askush, qoftë i keqkuptuar apo qoftë dikush që e përdor këtë iniciative për të krijuar një terren për të rritur kultivimin. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm që s’ka të bëjë fare me iniciativën e legalizimit për qëllime mjekësore dhe industriale”, tha ministri Çuçi.

Gjatë takimi Ministri i Brendshëm kërkoi nga drejtuesit e policisë të ketë një vëmendje të shtuar dhe rritje të forcës goditëse edhe ndaj formave alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura. Njëkohësisht të intensifikohet bashkëpunimi dhe komunikimi me kryetarët e fshatrave dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Sot në mesditë pritet të ketë një takim tjetër me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet Berat, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Prononcimi i plotë për media:

Pyetje: Z. Çuçi, çfarë u diskutua sot në takim dhe si paraqitet situata antikanabis?

Ministri Çuçi: Sot ishte takim për të bërë një analizë më Drejtorin e Përgjithshëm dhe me të gjithë drejtorët e qarqeve qendrore, qoftë rajonalë, qoftë shefa komisariatesh. Bëmë një analizë të planit të veprimit që kishim për 4-mujorin e pare, e për të lënë detyrat për 4-mujorin e ardhshëm.

Sigurisht fokusi në këtë periudhë lidhet me luftën kundër kultivimit të kanabisit e bëmë të qartë edhe njëherë, që këtu toleranca është zero. Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë, mënyrat për ta minimizuar në maksimumin historik këtë fenomen negativ. Kështu që ishte një takim pune, i zakonshëm, siç ju thashë. Besoj se përbën interes, sigurisht, për publikun kjo gjë, por nuk është ndonjë takim i jashtëzakonshëm, është takim i zakonshëm.

Pyetje: Z. Ministër, së fundi është edhe diskutimi për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. A ka një fushatë sensibilizuese apo një udhëzim që ju jepni për drejtorët e policisë, për ta përcjellë më pas edhe në strukturat e tjera?

Ministri Çuçi: Pa diskutim, kjo është një çështje që diskutohet edhe me strukturat. Ka pasur dhe gjithmonë ka një tendencë, për ta konfonduar disi iniciativën e qeverisë, edhe pas marrjes së përgjigjeve nga Këshillimi Kombëtar, në lidhje me legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, me kultivimin apo trafikimin për qëllime përdorimi apo rekreative. Nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën. Siç e kam përmendur edhe në qëndrimet e mia publike, e siç ua përmenda sot edhe të gjitha strukturave, që kjo nuk ka asnjë lidhje. Përkundrazi, ne shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit në mënyrë që të mos të abuzojë askush, qoftë i keqkuptuar, qoftë duke e përdorur si një mundësi për të krijuar një terren poshtë, për të rritur kultivimin. Pra, kjo gjë është shumë e qartë, qëllimi ynë është shumë i qartë TOLERANCË ZERO ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm dhe nuk ka të bëjë fare me legalizimin për qëllime mjekësore dhe industriale.

Pyetje: Z. Çuçi në nëntor të vitit të kaluar ju keni premtuar rritje deri në 150 % të rrogës së atyre efektivëve policie, të cilët punojnë jashtë vendbanimit të tyre. Çfarë ka ndodhur me këtë premtim? Si është parashikuar?

Ministri Çuçi: Po mbyllen procedurat me akte nënligjore, kemi pasur një ngadalësim të këtij procesi le të themi, me krizën që ndodhi, por shumë shpejt besoj, në mos gaboj do jetë në muajin tjetër, të gjitha ato që ne kemi premtuar e që në fakt i kemi parashikuar në buxhetin e shtetit do të realizohen për punonjësit e policisë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close