
Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Vushtrri të Kosovës.
Sipas burimeve nga Policia e Kosovës, një fëmijë 5-vjeçar ka ndërruar jetë në spital, pas plagëve të marra, të dyshuara nga një armë zjarri.
Policia gjithashtu thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur një armë e llojit pistoletë dhe një gëzhojë.
Ngjarjen e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:20, është raportuar se në Spitalin e Vushtrrisë, një fëmijë i moshës 5 vjeçar, është sjellë për ndihmë mjekësore, ndërkohë nga autoritetet mjekësore është bërë e ditur se si pasojë e lëndimeve që dyshohen të jenë nga arma e zjarrit fëmija ka vdekur. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së fëmijës.
Zahiti bëri të ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë dhe një pistoletë teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe një armë e llojit pistoletë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksionin në IML.