Categories Lajme

Në labirintet e korrupsionit: Si humbën 85 milion € të garancisë së privatizimit të Albpetrol

Nga Adi Darsi

Thonë se shteti e zë lepurin me qerre. Por shteti shqiptar nuk është qerre e tillë. Të paktën në rastin e arkëtimit të një garancie jo të vogël, por të plot 85 milion eurove, për 10 vjetë më radh zyrtarët shqiptarë vetëm sa kanë bërë gjasme. Një kalvar që ka kapur nivelet e një tragjikomedie. Si ka ndodhur? Mashtrimet e një privatizimi të dështuar 7 shtator 2012, ora 12.00. Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u hap gara për privatizimin e kompanisë Albpetrol. Më parë qe thënë se kishin tërhequr dokumentet e tenderit 19 kompani.

Para komisionit të drejtuar nga zv.ministri i ekonomisë i kohës Sokol Dervishaj, dhe i përbërë nga speacialistë të ministrisë së ekonomisë, financave, dhe asaj të drejtësisë, kishin mbërritur 6 oferta, Më e ulta 52 milionë euro nga kompania ruse Gazprom, më e larta plot 850 milionë euro nga një fond amerikan investimesh nga Çikago, nën konsorciumin Vetro Silk Road Equity Ltd. Katër ofertat e tjera mes tyre ishin: Amber Shine INC – 790 mln euro, Bankers Petrolium, 303. 8 milionë euro, konsorciumi kinez Win Bussines, 297.6 milionë euro dhe Ecolog International – Dubai (nuk u deklarua vlera e ofertës).

Një ditë më vonë agjencia “Reuters” shkruante se: “Vetro Energy, një konsorcium me bazë në SHBA, ka ofruar 850 milionë euro për Albpetrolin, më shumë se dyfishi i vlerës për asetet e kompanisë shtetërore shqiptare të naftës, thanë këshilltarët e shitjes. Oferta e Vetro Energy, e barabartë me 10 përqind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP)…. ” dhe më tej sqaronte se kompania amerikane e përmendur “nuk ka të bëjë me sektorin e hidrokarbureve, por është një ndërmjetëse financiare për investime të llojeve të ndryshme, e themeluar në 2003 në Çikago”.Më 3 tetor 2012 kryeministri Berisha njoftoi fituesin e tenderit. Ishte “kompania ndërkombëtare me bazë në Çikago Vetro Energy, përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor, Vetro Silk Road Equity.

Dy ditë më vonë biznesmeni Rezart Taçi mbajti një konferencë për shtyp dhe tha se konsorciumi fitues zotërohej 51% nga ai dhe se “e kishte mbajtur përfshirjen e tij sekret nga publiku për shkak se nuk donte që kjo të kishte ndikim në ofertë”.

Po atë ditë më 5 tetor 2012 dhe aksionerët e kompanisë bënë prezent planin e zhvillimit dhe pas një muaji komisioni i ngritur për negocimin e shitjes pritej të firmoste kontratën e shitjes.

Garancia financiare false

Shpejt rezultoi se jo vetëm që nuk kishte privatizim, por as garanci financiare për të. Më 1 nëntor blerësi i kërkoi ministrisë shtyrjen dhe për 30 ditë të tjera ttë afatit për lidhjne e kontratës. Më 2 nëntor iu kthye përgjigje pozitive.

Afati i fundit mbetej 3 dhjetori. Edhe një javë më pas kompania nuk kishte paguar garancinë e kontratës. Më 10 dhjetor Sokol Dervishaj, u tha gazetarëve se në rast se Vetro nuk do të arrinte të jepte paratë, qeveria do të pretendonte 10 për qind të ofertës, pra 85 milion euro. Në fakt garancia e kontratës duhej të ishte 20 për qind, pra 170 milion euro.

Më 13 dhjetor “Vetro Energy” njoftoi se një ditë më vonë do të paguante 170 milionë euro si garanci të kontratës duke i hapur rrugë privatizimit të Albpetrolit.

Diçka e tillë nuk ndodhi.

Ndërkohë u njoftua se sipas rregullave kontrata e privatizimit ishte garantuar nga një institucion i respektueshëm financiar, në këtë rast American Chartered Bank me bazë në Çikago. Pretendimi për një garanci bankare nga American Chartered bazua edhe në deklarimet e drejtuesve të privatizimit se ajo ishte konfirmuar edhe nga këshilltari i tenderit, Patton Boggs, një firmë ligjore me bazë në Uashington. Patton Boggs tha: “Patton Boggs në mënyrë kategorike mohon se ka pasur keqinterpretim të ndonjë çështjeje të klientit tonë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, dhe çdo sugjerim i kundërt thjesht nuk është i mbështetur.” Ndërkohë po nga SHBA u njoftua se “American Chartered Bank nuk është e përfshirë në transaksionin në fjalë”.

Ishte e qartë se gjithcka kishte marrë fund, ndonëse Vetro nuk u s’kualifikua menjëherë. Në shkurt 2013 çështja i kaloi prokurorisë dhe pas një letër-porosie u mësua se garancia ishte falsifikuar dhe shuma nuk ishte ngurtësuar kurrë.

“Qerrja e prishur”

Këtu hapet një kapitull i ri në kërkimin e garancisë. Ishte detyrë e qeverisë që përmes Avokatit të Shtetit të hapte procedurën dhe paditë për të arkëtuar garancinë. Pas një kontrolli të zhvilluar më 2015, KLSH me shkresë nr.264/8, datë 12.10.2015 I kërkonte Ministrisë së Energjisë që “Të vazhdojë me përparësi ndjekja e procedurave ligjore brenda dhe jashtë vendit, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në bashkëpunim të ngushtë me Avokaturën e Shtetit, për të mundësuar arkëtimin e kësaj shume”.

Tashmë në pushtet ishte një qeveri e majtë, me vullnet për të luftuar çdo abuzim të parardhësve, ndonëse një pjesë e tyre ishin në qeverisjen e re. (Ish ministri i energjetikës që kishte drejtuar privatizimin, Edmond Haxhinasto, ishte përsëri ministër në qeverinë e re). Por sidoqoftë, me vrullin e fillimit institucionet kishin nisur të lëviznin. Sipas KLSH: “Nga verifikimi pranë Avokaturës së Shtetit rezultoi se midis Avokaturës së Shtetit dhe ish-(MZHETTS), sot Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka pasur korrespondencë në lidhje me këtë problematikë” me një sërë shkresash që datojnë në vitet 2015 e 2016.

Por Avokatura e Shtetit nuk ndërmori asnjë veprim ligjor. Sipas KLSH “Kjo mënyrë veprimi nga Avokatura e Shtetit, ka sjellë tejkalimin e të gjitha afateve procedurale deri në atë fazë që çështja të kalojë në heshtje dhe të bëhet e pakërkuar, me justifikimin e artificave procedurale administrative të burokracisë së brendshme të institucioneve të Shtetit Shqiptar”. Tre vjet më vonë Avokatura e Shtetit pas rekomandimeve të KLSH-së, përsëri i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresat nr. 836, datë 13.02.2019 dhe nr. 836/2 datë 10.05.2019 një udhëzim të veçantë për marrjen e vendimeve takuese në ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm për ngritjen e padisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë përgjigjet me shkresën nr. 2594/4 prot, datë 14.06.2019 duke i janë deleguar të gjitha tagrat Avokaturës së Shtetit për ngritjen e padisë. Pas një kontrolli të radhës të KLSH, më 18.01.2021 Avokatura e Shtetit vë në dijeni autoritetin kontrollues sa ka “kryer një sërë korrespondencash me AKBN, MIE, MF, Kryeministrinë, nga ku statusi aktual i rekomandimit është në pritje të mbledhjes së grupi të punës më datë 21.01.2021, për marrjen e vendimit përfundimtar të grupit të punës”.

Por e gjithë korespondenca në fjalë ishte zhvilluar dy vjet më parë! Një shkresë nuk kishte munguar as për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë për informim dhe mbështetje (datë 26.12.2019). Por çfarë kishte ndodhur ndërkohë.

Sipas KLSH në korespondencë kishte çudira. “Vlen të përmendim se në disa prej shkresave të cituara më sipër vlera e detyrimit paraqitet jo e saktë, kështu në shkresën nr. 4057 prot, dhe nr. 4057/1 prot, ajo paraqitet 85,000 euro ndërkohë në shkresën nr. 4057/5 prot, ajo paraqitet 80 milion lekë dhe jo 85 milion Euro sa është në fakt”, thuhet në raportin e kontrollorëve.

KLSH e klasifikon procedurën për kërkimin e garancisë prej 85 milion euro si të pazbatuar dhe rirekomandon “Avokatura e Shtetit të veprojë urgjentisht në përmbushje të detyrimeve të saj që për mos arkëtimin e vlerës prej 85 milionë euro të njoftohet Këshilli i Ministrave, në mënyrë që Avokatura e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të marrin masa dhe të përshpejtojnë finalizimin e hapave dhe procedurat ligjore”. Një rekomandim që po pret 10 vjet për tu zbatuar.

A thua do zbatohet ndonjëherë?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi për ditën e Premte, 19 Prill 2024

Dashi Do të jeni të shqetësuar për shkak të disa debateve që keni pasur së…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

‘Koka’ e mafias/ Prokuroria ekuadoriane lidh shqiptarin Dritan Gjika dhe 4 persona të tjerë me pastrimin e 31 milionë dollarëve

Një gjykatës kundër korrupsionit vendosi të lidhë këtë të enjte, pesë persona të tjerë me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrasja e Gentian Bejtjas: Zbulohet një mjet tjetër i autorëve, dyshohet ka lëvizur drejt Kamzës

Hetimet për vrasjen e Gentian Bejtajt të kryer më 15 mars të këtij viti, kanë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shqipëria e 6-ta në Evropë për aksidentet, ekspertët: Shkak, sinjalistika në rrugë

Raporti më i fundit i Institutit Europian të statistikave e rëndit vendin tonë të gjashtin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dyshohet se dhunoi bashkëshorten e tij, arrestohet 62-vjeçari në Korçë

Policia në Korçë ka arrestuar një 62-vjeçar, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij.…

LEXO ME SHUME