Categories Lajme

Nga “non grata” në azilant politik! Rrugëtimi i ish-kryeprokurorit, që i ka borxh Shqipërisë 2 vite burg

Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm i dënuar me dy vite burg nga drejtësia shqiptare fiton statusin e azilantit politik në Itali. Vendimi që miratoi kërkesën e tij për azil u miratua nga Gjykata e Apelit Romë. Ish-kryeprokurori shfaqi interes për të përfituar azil prej shtatorit të vitit 2021. Ai e motivoi këtë kërkesë me një proces të parregullt ligjor ndaj tij në Shqipëri. Llalla ka mbi shpatulla një vendim fajësie nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, që në shtator 2021 e shpalli fajtor për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë”. Ndonëse ky vendim detyronte vajtjen e tij në qeli, Llalla i shpëtoi burgut pasi pak ditë para shpalljes së vendimit ishte larguar drejt vendit fqinj.

I dyshuari Llalla

Statusin e personit “të dyshuar për kryerjen e një vepre penale” Adriatik Llalla e mori në vitin 2018. Më 15 mars të këtij viti Prokuroria e Durrësit regjistroi një hetim penal në emër të tij për katër vepra penale “refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurisë , interesave private të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”,  “Pastrimit të produkteve të veprës penale “ dhe të “Shpërdorimit të detyrës”. Disa muaj më vonë hetimi ndaj tij u zhvendos në Prokurorinë për Krimet e  Rënda. Pas disa zgjatjesh të afatit të hetimeve, dosja në ngarkim të tij u dërgua për gjykim në nëntor të vitit 2020. Ndryshe nga dyshimet fillestare, ish-Prokurori i Përgjithshëm u dërgua për gjykim vetëm për akuzën e “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.

Llalla “non grata”

Paralelisht me hetimin penal ndaj tij, Adriatik Llalla mori të tjera “ndëshkime”. Në ditë para nisjes së hetimit penal ndaj tij në Shqipëri, Llalla u shpall “non grata” Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i bërë një nga tre zyrtarët e parë të lartë shqiptarë që merrnin këtë masë nga Departamenti i Shtetit. Pengimi i hyrjes së tij në territorin amerikan u motivua me artikullin 7031 (c), që flet për rastet e dyshimeve për përfshirje në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut. Bashkë me Llallën iu ndalua hyrja në SHBA edhe bashkëshortes dhe dy fëmijëve.

“Përplasja” me SHBA

Shpallja “non grata” e Llallës u parapri nga një klimë e tensionuar mes kryeprokurorit në detyrë dhe ambasadorit të kohës të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, z. Donald Lu. Gjatë fjalës së tij në një konferencë në shkurt të vitit 2017 ambasadori Lu hodhi akuza publike drejt Llallës, si person që ishte kundër Reformës në Drejtësi. Akuzave Llalla iu përgjigj me një deklaratë për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, ku pretendonte se ambasadori po ushtronte shantazh me pikëpamje “sorosiane”.

Pak ditë para kësaj përplasjeje publike, Llalla ishte listuar mes emrave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu ishte revokuar viza amerikane. Për këtë fakt Llalla i ishte drejtuar me një notë ankese Presidentit Bujar Nishani dhe kreut të Parlamentit, Ilir Meta. “Nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme”, thuhej ndër të tjera në shkresë.

Procesi gjyqësor

Ndonëse u hetua nga Prokuroria për Krimet e Rënda, akuza në sallën e gjyqit kundër Adriatik Llallës u përfaqësua nga prokurorët e SPAK. Në përfundim të përballjes gjyqësore, SPAK kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë” në tre raste dhe dënimin e tij me 2 vjet burg. Si dënim plotësues u kërkua heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Llalla në vijimësi mbajti qëndrim mohues ndaj akuzës. Njëkohësisht ai paraqiti dokumentacion para gjykatës, përmes të cilit, pretendonte të provonte se vuante nga probleme shëndetësore.

Në 20 maj 2021, në një seancë ku ishte prezent edhe ish-kryeprokurori, Gjykata e Posaçme pranoi dënimin e kërkuar nga SPAK. Përveç 2 viteve burg dhe pengimit të ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite, gjykata vendosi konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës. Vendimi i Shkallës së Parë u la i pandryshuar në Apel në shtator të të njëjtit vit. Sipas këtij vendimi, Llalla duhet të shkonte në burg, por pak ditë para shpalljes së tij, ish-kryeprokurori ishte larguar nga vendi.

Një ish-kryeprokuror në kërkim

Pas vendimit të Apelit të Posaçëm oficerët e policisë zbarkuan në shtëpinë e Llallës, ku u kthyen duar bosh. Pasi u ezauruan të gjitha kërkimet brenda vendit, ish-kryeprokurori u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Tre muaj më vonë, Llalla u ndalua në Romë, Itali, në zbatim vendimit gjyqësor të dënimit të tij me burg. Në më pak se 24 orë, ai fitoi lirinë. Për shkak argumenteve shëndetësore të paraqitura, pala italiane caktoi ndaj tij vetëm masën e sigurisë “ndalim për dalje nga territori”. SPAK nuk humbi kohë. Një ditë më vonë i përcolli Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Adriatik Llallës nga Italia në Shqipëri. Procesi i ekstradimit në vendin fqinj, ngeli në “vend numëro”, pasi paralelisht Llalla kishte kërkuar të përfitonte statusin e azilantit politik.

Ish-kryeprokurori azilant

Vendimi gjyqësor i Apelit të Romës mbi pranimin e kërkesës së Adriatik Llallës për azil zbeh shpresën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e tij dhe njëkohësisht për vuajtjen e dënimit me 2 vite burg.

Sipas avokatit të tij, Sokol Hazizaj, Llalla mundi të bindë palën italiane se i ishte nënshtruar një procesi jo të rregullt ligjor në Shqipëri. Ish-kryeprokurori ka pretenduar se procesi ndaj tij ishte i ndikuar nga politika.

Në verdiktin e saj, pala italiane ka ngritur dyshime mbi bazueshmërinë e vendimit të Gjykatës së Posaçme. Duke iu referuar problemeve shëndetësorë të ish-kryeprokurorit dhe dënimit me burg ndaj tij, Apelit i Romës, ka nënvizuar se legjislacioni shqiptar për dënime të tilla nuk mund të aplikojë dënimin me burgim.

A2CNN /

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

EMRI/ Vdes në punë shqiptari në Itali, baba i katër fëmijëve

Një shqiptar vdiq i shtypur nga një ngarkesë që peshonte mbi një ton ndërsa po…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak të Himarës, zgjidhet kryetari i komanduar

Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngjarja në Memaliaj, policia: 41-vjeçari qëlloi në ajër për të kanosur dy persona

Një person ka qëlluar në ajër në Memaliaj ditën e djeshme dhe si pasojë e të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME