Lajme

Nga protesta në mosbindje civile, studentët: Rrugët do të bllokohen pa afat

Studentët deklarojnë se do të bllokojnë pa afat disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke e drejtuar protestën tanimë drejt një mosbindjeje civile.

Në një prononcim për “Shekulli”-n studentët thonë se “zhbllokimi do të bëhet vetëm nëse do të kaloj ambulanca ose ndonjë shërbim tjetër që është i domosdoshëm. Vetëm për rastet emergjente, në të kundërt nuk mund të kalohet në këto pika”.

Ka nisur të përshkallëzohet protesta studentore, pasi tanimë studentët po shkojnë drejt mosbindjes civile duke bllokuar disa akse kryesore të kryeqytetit.

Përshkallëzohet protesta, studentët drejt mosbindjes civile, bllokohen disa rrugë

Protesta nisi si një marshim nga fakultetet drejt Kryeministrisë. Tanimë studentët kanë marrë vendim për t’u zhvendosur tek kryqëzimi i Zogut të Zi dhe janë duke përshkuar mespërmes sheshin “Skënderbej” e më tej rrugën e Durrësit.

“Shekulli” mëson se studentët janë shpërndarë në tre grupe, një grup është përqendruar te Zogu i Zi, një grupim tjetër te Kryeministria, dhe një grup i tretë në zonën e njohur si “Dollari”.

(13:30) Tensionohet situata te Kryeministria

Është tensionuar  protesta e studentëve të Kryeministria. Disa prej tyre janë përpjekur të çajnë kordonin policor, duke u konfrontuar me uniformat blu.

Disa studentë janë kapur krah për krah dhe kanë shkuar pranë kordonit të policisë duke tentuar të kalojnë atë.
Një pjesë e studentëve ka bërë të mundur shmangien e përplasjes. Kujtojmë që mijëra studentë qëndrojnë prej disa orësh para Kryeministrisë.

Ata marshuan nga fakultetet përkatëse drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke bllokuar disa nga akset kryesore në kryeqytet. Protestës i janë bashkuar dhe studentë nga Korça, Elbasani, Durrësi e Shkodra.

Studentët nuk pranojnë negociata dhe as dialog për plotësimin e 8 kërkesave, ndërkohë që vihet re prani e shtuar e forcave policore.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama denjon t’i takojë ndonëse i ka poshtë zyrës, por i fton për dialog përmes “Instagramit”.

(12:00)

Mijëra studentë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria kanë “pushtuar” sot bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke protestuar para Kryeministrisë.

Studentët thërrasin në kor: “S’ka gëzime s’kemi festa; Ky fundit ka veç protesta; Do marshojmë do protestojmë; Derisa ligjin ta rrëzojmë”.

“Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, jemi të gatshëm të shkojmë deri në grevë urie”, u shpreh një tjetër student.

Protestuesit kanë lëshuar tymuese, ndërkohë që vihet re një prani e shtuar e uniformave blu, që janë vendosur barrikadë para Kryeministrisë.

(10:00)

Ka nisur rreth orës 09:00 marshimi studentor nga fakultetet në drejtim të Kryeministrinë. Në formë simbolike studentët kanë vendosur shirita dhe dryna në fakultetet përkatëse.

Studentët kanë paralajmëruar sot një përshkallëzim të protestës, duke lënë të hapur mundësinë për grevë urie.

Ditën e sotme po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në Rektorat me studentët, ndërsa nuk dihet nëse këta të fundit do të shkojnë.

Studentë thanë se protesta nuk do të marrë ngjyrime politike, ndonëse parti si LSI-ja, u ka bërë thirrje të rinjve që të lënë kartat e anëtarësimit për t’iu bashkuar protestës.

Studentët theksojnë se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.

Thirrjet për protestë masive duket se kanë frikësuar Edi Ramën, pasi Kryeministria është rrethuar nga dhjetëra efektivë policie.

09:40) Studentët e “Ekonomikut” i vënë drynin fakultetit, ja çfarë ndodh te “Drejtësia”

Një protestë masive studentore pritet sot para Kryeministrisë.

Pas dy javësh protestë studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se 8 kërkesat e tyre janë të panegociueshme.

Studentët e Fakultetit Ekonomik i vunë sot në mënyrë simbolike drynin derës së fakultetit, të lidhur me zinxhirë.

Kujtojmë se ditën e shtunë studentët e këtij fakulteti kërkuan shkarkimin e dekanit Dhori Kule.

Ndërkaq,  studentët i ka vënë shiritin Fakultetit të Drejtësisë për të ndaluar hyrjen në mësim.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close