Categories Lajme

Një mjeshtër në politikën e jashtme. Jo dhe aq si administrator i Rusisë

Viti i ri shënon një datë të rëndësishme për Vladimir Putinin. Eshtë përvjetori i njëzetë i ardhjes së tij në pushtet në Rusi. Prandaj është koha, sipas shumë gazetave ndërkombëtare, të nxirren disa përfundime nga këto njëzet vite.

Associated Press, për shembull, ka zgjedhur titullin “Putin peshon opsionet e së ardhmes, teksa shënon 20 vjet në pushtet”, ndërsa Harvard Gazzette zgjedh “Analistët diskutojnë mbi qeverisjen 20-vjeçare të Vladimir Putinit”. Dhe në fund, Bloomberg zgjedh të trajtojë këtë temë në formë pyetëse: “Rusia e Putinit mbush 20 vjeç dhe është më e fortë se kurrë. Apo nuk është?”.

Dy janë temat kryesore të këtij diskutimi.

Marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë ‘mbretërimit’ të Putinit, Rusia u kthye të luante rolin e një fuqie të madhe mes kombeve të botës. Ngjarjet e fundit tregojnë se fjalët e famshme të Obamës, se Rusia është thjesht një “fuqi rajonale”, domethënë e vogël, siç shkruante The Guardian në vitin 2014, dolën të gabuara. Putini ka luajtur me të vërtetë një rol udhëheqës në shumë ngjarje të politikës së jashtme. Disa shembuj të suksesit të tij janë pushtimi dhe më pas aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetja për Asadin në Siri, dy ngjarje të politikës ndërkombëtare, që demonstrojnë aftësinë e Rusisë për të peshuar jashtëzakonisht shumë në tabelën ndërkombëtare të shahut.

Siç vëren Nju Jork Tajmsi, Rusia e Putinit është e aftë të bëjë atë që në anglisht përshkruhet si “të grushtojë më shumë se sa pesha e vet”. Vini re, për shembull, që vlera e shpenzimeve të Rusisë për armatime, 66.3 miliardë dollarë, nuk është as e krahasueshme me Shtetet e Bashkuara, të cilat shpenzojnë 610 miliardë dollarë për shpenzimet ushtarake (të dhënat e 2017 të përpunuara nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqess në Stokholm). Përkundër kësaj pabarazie të dukshme, Putini arriti të pozicionojë Rusinë në qendër të shumë grindjeve dhe problemeve gjeopolitike, duke ndërhyrë me forcat e tij të armatosura.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Banka Botërore, PBB-ja nominale ruse ishte rreth 1.3 trilion dollarë në vitin 2018, ndërsa ajo kisih qenë vetëm 259 miliardë dollarë në vitin 2000. Kjo shifër paraqet një përmirësim thelbësor me kalimin e kohës; por kur të njëjtat të dhëna hidhen në krahasim me vendet e tjera, brishtësia strukturore e Rusisë në aspektin ekonomik, shfaqet shumë qartë. Në të vërtetë, Rusia nuk është as në 10 vendet e para, me PBB-në më të madhe në botë.

Përveç kësaj, që nga pushtimi i Ukrainës e në vazhdim, ajo i është nënshtruar sanksioneve të rënda ekonomike, si dhe dëbimit nga G7. Siç shkruante Nju Jork Tajms në atë kohë, këto dy ngjarje do të kufizonin aftësinë e Rusisë për të rritur ekonominë e saj në të njëjtën kohë me vendet e tjera të industrializuara, një parashikim që rezultoi kryesisht i saktë. Për këto arsye, Rusia e Putinit mbetet një vend i varfër, me pabarazi të mëdha ekonomike deri më tani: 1% e popullsisë kontrollon mbi 74% të pasurisë së vendit, ndërsa 1 në 8 rusë fitojnë më pak se 200 dollarë në muaj, siç raportojnë The Independent dhe The Times.

Si përfundim, gjatë këtyre 20 viteve në pushtet, Putin ka provuar se është një mjeshtër i vërtetë në politikën e jashtme, por një administrator i keq i ekonomisë ruse. GJë e cila paraqet një problem të madh për Rusinë në vitet në vazhdim. Fuqia ekonomike, në të vërtetë, përkthehet pothuajse automatikisht në fuqi efektive në tabelën ndërkombëtare të shahut, siç shkruan historiani i njohur anglez Paul Kennedy në “Ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha”. Kur pasuria dhe prosperiteti ekonomik i vendit bien, atëherë statusi i tij prej fuqie të madhe vihet gjithashtu në rrezik. Rusia e Putinit, me fjalë të tjera, është shumë më e brishtë sesa mendohet, dhe kjo pavarësisht sukseseve të saj të dukshme në politikën e jashtme. / BusinessInsider – Bota.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi për ditën e Premte, 19 Prill 2024

Dashi Do të jeni të shqetësuar për shkak të disa debateve që keni pasur së…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

‘Koka’ e mafias/ Prokuroria ekuadoriane lidh shqiptarin Dritan Gjika dhe 4 persona të tjerë me pastrimin e 31 milionë dollarëve

Një gjykatës kundër korrupsionit vendosi të lidhë këtë të enjte, pesë persona të tjerë me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrasja e Gentian Bejtjas: Zbulohet një mjet tjetër i autorëve, dyshohet ka lëvizur drejt Kamzës

Hetimet për vrasjen e Gentian Bejtajt të kryer më 15 mars të këtij viti, kanë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shqipëria e 6-ta në Evropë për aksidentet, ekspertët: Shkak, sinjalistika në rrugë

Raporti më i fundit i Institutit Europian të statistikave e rëndit vendin tonë të gjashtin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dyshohet se dhunoi bashkëshorten e tij, arrestohet 62-vjeçari në Korçë

Policia në Korçë ka arrestuar një 62-vjeçar, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij.…

LEXO ME SHUME