Lajme

Njëri nga pasagjerët e autobusit që u përmbys: Pashë njerëz pa krah, pashë gjithçka

Një nga udhëtarët e autobusit që doli nga autostrada afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci këtë mëngjes dhe u përmbys duke i lënë të vdekur 10 persona e lënudar mbi 40 të tjerë, e përshkroi momentin tronditës para kamerës së Radio Televizionit Kroat (HRT). Ramo Gashi tregoi se si i dukeshin momentet e para pas aksidentit të tmerrshëm.

“Diçka shpërtheu për një sekondë, pashë gjithë ata njerëz nëpër gjithë livadhin atje poshtë, në atë kanal pranë autostradës”, tha Gashi. Ai përshkroi pamjen e tmerrshme që pa.  “Unë i pashë të lënduarit, të vdekurit, pashë gjithçka, njerëz pa krah, pashë gjithçka, gjithçka”, tha ai për HTV. Policia kroate ka lëshuar ​​një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike, raporton Index.hr. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave është nisur drejt Kroacisë, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona që u lënduan nga aksidenti në autostradën A3 Zagreb – Lipovac, i autobusit kosovar të “Deva Tours”, që ua mori jetën 10 personave.

Ai është parë i përlotur, teksa ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se ata dhe të aksidentuarit që mbetën të lënduar “janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani”. Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh ishin po ashtu në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr. Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit. Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur, ndërsa ai i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin, po qëndron në stacionin rajonal të Policisë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: