Sot bëhen 29 vjet kur Anton Çetta nisi aksionin atdhetar e humanitar të faljes së gjaqeve, në familjet shqiptare të hasmëruara. Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa, shkruan Gazeta Metro.
Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare. Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë.
Tubimi në Verrat e Llukës do të mbetet si momenti bashkimit më të madh të shqiptarëve të Kosovës.
Më 2 shkurt 1990, nisma e Anton Çettës mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.
Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ia ofroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.