Lajme

Pas një viti nga seanca e fundit, dalin para gjykatës Ukë Rugova dhe të tjerët…

Pas një viti e pothuajse dy muaj, me 11 mars, para gjykatës pritet të dalin ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të akuzuar për krim të organizuar lidhur viza italiane. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se gjyqtarja që tani do të gjykojë këtë rast, Fatime Dermaku, e ka caktuar datën për këtë seancë e se ajo datë është 11 marsi. Ndryshe, më  14 janar 2020, është data kur për herë të fundit u mbajt gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve.

Ndërkaq, 5 mars 2020 është data e fundit, në të cilën u mbajt seanca ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami. Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë të lartcekur janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të jetë më efikas, raporton “Betimi për Drejtësi”. Tentative për mbajtjen e gjykimit ndaj Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarve tjerë ishte bërë me 26 shkurt 2020, por gjykimi nuk ishte mbajtur pasi trupi gjykues nuk ishte në përbërje të plotë.

Paraditen e pasditen e 4 gushtit 2020 ishte paraparë që të mbaheshin seancat për këtë lëndë, ku paradite pritej që para gjykatës të dilte Ukë Rugova, Astrit Haraqija,  Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri. Kurse, pasdite ishte paraparë të mbahej seanca ndaj të akuzuarve tjerë, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami. Mirëpo, gjykatësja Krasniqi- Jashanica kishte bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se seancat ishin anuluar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia globale, COVID-19.

Për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, kishte kaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, kishte dështuar të mbahet gjykimi i paraparë për 7 shtator ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, dhe tre të akuzuarve të tjerë. Pas kalimit të gjykatëses Krasniqi-Jashanica në Departament të Përgjithshëm, këtë rast ishte caktuar gjykatësja Fatime Dermaku e cila ishte caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda. “Ju njoftojmë se gjyqtarja Naime Krasniqi është caktuar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale, ndërsa lëndën në fjalë do ta gjykojë gjyqtarja Fatime Dermaku e cila me vendim të Kryetares së Gjykatës është caktuar në Departamentin për Krime të Rënda”, kishte thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për “Betimi për Drejtësi” lidhur me këtë çështje.

“Betimi për Drejtësi”, kishte kërkuar të informohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nëse gjykatësja Fatime Dermaku ka caktuar seancën për këtë rast, e nëse jo pse ka ndodhur një gjë e tillë. “Duke ju referuar kërkesës tuaj për informacione  ju njoftojmë se lidhur me lëndën ku i akuzuar është U.R etj, nga gjyqtarja e kësaj çështje jemi informuar se e njëjta është duke e shqyrtuar lëndën dhe së shpejti pritet të caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësorë, ku edhe do të njoftohen palët me kohë nga gjykata. Ju njoftojmë se gjyqtarja e çështjes me lëndën në fjalë është ngarkuar në muajin tetor 2020, pasi që këtë lëndë e ka trashëguar nga një gjyqtare tjetër, ndërsa në fund të muajit nëntor 2020 e njëjta ka rezultuar me COVID-19”, thuhej në përgjigjen e zëdhënëses së gjykatës, Mirlinda Gashi.

Ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët. Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën. Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017. Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator. Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami. Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. 

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: