Lajme

Pazaret për blerjen e varreve në Durrës, arrestohet 60 vjeçari

Policia ka vënë në pranga shtetasin me iniciale A. S., 60 vjeçarin i cili mbante detyrën teknik i zbatimit të punimeve të varrezave në NSHK.

Ai dyshohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Një natë më parë u bë publik denoncimi në Fiks Fare për pazaret e blerjes së varreve në Durrës, ku Sadikllari shfaqet në një video duke biseduar me të infiltruarën nga stafi i emisionit investigativ për sigurimin e një vendvarrimi, në varrezat e vjetra të qytetit të Durrësit, kundrejt një shume parash.

Njoftimi i policisë:

Strukturat hetimore të DVP Durrës arrestuan shtetasin A. S., 60 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, me detyrë teknik i zbatimit të punimeve të varrezave në NSHK, bashkia Durrës, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ky shtetas është shfaqur në një video të transmetuar mbrëmjen e djeshme, gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetase tjetër (e infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për sigurimin e një vendi varrimi, në varrezat e vjetra të qytetit të Durrësit, kundrejt një shume parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close