Categories Lajme

Përgatituni për një vit të vështirë! Projektet e mëdha dhe tërmeti ‘rëndojnë’ ekonominë, menaxhoni financat

Për 11 mujorin 2019, eksportet ranë me 4%, tkurrja më e lartë që nga 2015-a. Të tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, që përbëjnë 71% të totalit të eksporteve, kishin tendencë negative.

Tekstilet dhe këpucët, që zënë 40% të eksporteve totale, të dobësuara prej dy vitesh nga nënçmimi i euros, presin sërish tendencë negative. Flamur Hoxha, i kompanisë Kler, në prodhimin e këmishëve, parashikon se sektori fason vitin që vjen do të performojnë me rënie dhe falimente për kompani të vogla dhe te mesme.

As eksportuesit e mineraleve nuk janë optimistë, për shkak të konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Albchrome, një prej kompanive kryesore të mineraleve në vend parashikon që këtë vit tregu të jetë në luhatje dhe me mundësi të paketa për rritje. Prodhuesi më i madh i naftës në vend, Bankers Petroleum, dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend, nuk pret që të investojë në hapjen e puseve të paktën në gjashtë muajt e parë të vitit. Vetëm nëse çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare arrijnë në 90-100 dollarë për fuçi, atëherë mund të konsiderojnë një kthesë në investime.

Kurum, eksportuesi më i madh në vend në 2018-n, nuk është shumë optimist për tregjet e eksporteve, sidomos në Kosovë e Maqedoni, për shkak të konflikteve politike në këto dy shtete. Më pozitivë janë eksportuesit e çimenton që presin një rritje të qëndrueshme.

Sektori që po ecën më mirë është ai industrisë automotive, që është rritur ndjeshëm së fundmi dhe po tërheq investime të reja. Eksportet e këtij grupi kishin performancën më të mirë në 2019-n, me një zgjerim prej gati 20% me bazë vjetore. Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial në Shqipëri i grupit francez Delmon thotë se plani i biznesit në afatmesëm u hartua akoma me ambicioz, duke filluar që nga 2-fishimi i prodhimit në 2020 e duke ruajtur një rritje dyshifrore në vitet në vazhdim. Por, ky grup ka një peshë të ulët në totalin e eksporteve, me 7%.

Performanca fiskale

Banka Botërore është e shqetësuar për performancën fiskale të qeverisë. Përfaqësuesja e saj, Salim, thotë se të ardhurat mund të jenë më të ulëta, ndërsa qeveria do të detyrohet të kryejë shpenzime dhe për shkak të rindërtimit pas tërmetit.

Ecuria e të ardhurave buxhetore për 11 mujorin nuk ishte shumë optimiste. Rritja nominale ishte rreth 3%, dhe ajo reale zero, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen ekonomike. TVSH-ja e brendshme një tregues direkt i konsumit në ekonomi ra me ritme dy shifrore, e ndikuar nga përjashtimi nga TVSH i nënkontraktorëve të TAP, por duke treguar se sa e varur ishte ekonomia e vogël vendase nga ky projekt madhor. Buxheti 2020 u hartua mbi pritshmëritë e 2019-s, kur realiteti pritet të jetë të paktën rreth 120 milionë euro më pak, duke e zhbërë atë që në nisje. Përvoja ka treguar se për të ruajtur parametrat e deficitit, mosrealizimi i planit të të ardhurave kompensohet me reduktimin e investimeve kapitale.

Koncesionet po e gërryejnë ndërkohë buxhetin, me pagesat që pritet të arrijnë 15 miliardë lekë, ose 17% e shpenzimeve kapitale. Teksa qeveria, nën presionin e institucioneve ndërkombëtare ka shtuar transparencën e tyre, po rezulton se në pjesën më të madhe ato janë të keq hartuara, me kosto që rriten vazhdimisht e mundësi të pakta negocimi, ndërsa riskun financiar e mban shteti.

Sektori bankar i vakët

Sektori bankar do të jetë në linjë me zhvillimet e ekonomisë. Bankierët nuk presin që të ketë rritje të lartë të kredive nga konsumatorët, për shkak të fenomenit të emigracionit. Individët, që kanë në plan të ikin, janë të tërhequr nga blerjet e mëdha dhe kjo pritet të ndikojë në kërkesën për hua. Turizmi ka qenë një sektor, që ka orientuar ekonominë dhe ka rritur kërkesën për kredi, po ai do të varet nga ecuria e pas tërmetit. Bankat kanë qëndruar larg dhe nga ndërtimi, për shkak të riskut të lartë të tij në të kaluarën dhe frikës për një flluskë në të ardhmen. Në bujqësi bankat nuk preferojnë të hyjnë për shkak të riskut të lartë të saj. Energjia, që ka tërhequr financime vitet e fundit, po shkon drejt ezaurimit.

Projektet e infrastrukturës po realizohen kryesisht përmes partneriteteve publike private, por edhe ato vështirë të tërheqin financime të mëdha për shkak të bilanceve jo shumë të mira të kompanive të përfshira në to (kujtojmë rastin e koncesionarit të Milot-Balldre që nuk po arrin të sigurojë financim, duke rrezikuar dështimin e projektit).

Të gjithë kërkojnë reforma dhe qeverisje të mirë

Me shumë sektorë të ekonomisë që duket se i kanë ngadalësuar motorët, karburanti mund të vijë vetëm nga politikat nxitëse të qeverisë për të zhvilluar një ekonomi konkurruese dhe për të tërhequr investime afatgjata. Si asnjëherë tjetër, drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare, por edhe atyre vendase e vunë theksin tek ky fakt, të shoqëruar natyrisht me një qeverisje të mirë, edhe si një parakusht për të frenuar emigracionin masiv që po gërryen vendin.

Shefi i Misionit per Shqiperine Jan Kees Martijn rekomandon që Shqipëria ka nevojë për reforma ambicioze ekonomike për të përshpejtuar rritjen në afatin e mesëm. Rritja më e lartë është e nevojshme për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të reduktuar incentivat që njerëzit të emigrojnë në vende të tjera të Europës.

Znj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, thotë se është e nevojshme të ketë një klimë biznesi miqësore dhe një mjedis ligjor të parashikueshëm, që do të nxiste vendimet për investime afat-gjata.

“Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese, të tilla si turizmi, agrobiznesi, prodhimi fason dhe shërbimet e nënkontraktuara të biznesit”, thotë Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri.

Edhe Banka e Shqipërisë mendon se vendi ka nevojë për një strukturë ekonomike më të diversifikuar dhe më konkurruese. Ky objektiv nënkupton përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, zgjerimin e tregjeve dhe nxitjen e promovimin e konkurrencës në to, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e administrimit të bizneseve, si dhe zgjerimin dhe rritjen e efektivitetit të tregjeve financiare.

Profesor Selami Xhepa, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës mendon se mungesa e standardeve të qeverisjes demokratike, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, përgjegjshmëri në nivelet më të ulëta nga strukturat e institucioneve publike, kanë dëmtuar rëndë besimin tek klasa politike dhe veçanërisht tek rinia e vendit që po vazhdon të braktisë vendin, në kërkim të një shprese më të mirë jashtë vendit.

Sipas prof. Sherefedin Shehu thekson se qeverisja e dobët dhe madhësia e vogël gjeografike përbëjnë dy faktorë të rëndësishëm që pengojnë ardhjen e investuesve të mëdhenj strategjikë./Monitor

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi për ditën e Martë, 16 Prill 2024

Dashi Përqendrohuni në realizimin e një plani efikas për punën tuaj, pasi ky është një…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Himarë, Po ndërtonte pa leje një objekt, në tokën e një shtetasi tjetër, në plazhin e Livadhit, vihet në pranga 38-vjeçari

Livadh, Himarë, Po ndërtonte pa leje, një objekt, në tokën e një shtetasi tjetër, në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

“Unë jam steril, ajo ngeli shtatzënë”/ Gruaja përzë burrin nga shtëpia: Theri qenin në vendin tim

Mani Sula tregon për emisionin “Stop” se pas një martese 30-vjeçare, prej gati një viti…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dentisti i prish dhëmbët dhe nofullën, harron frezën në rrënjë dhe kërcënon qytetaren në Korçë

Nuk janë të pakta rastet e denoncimeve që qytetarët kanë kundrejt stomatologëve të cilët nuk…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestohet brenda burgut të Drenovës një person, shkoi për t’i dhënë çantën me ushqime…

Një person është arrestuar brenda ambienteve të burgut të Drenovës në Korçë.  Sipas informacioneve nga…

LEXO ME SHUME