Lajme

Përplasje mes Melania dhe Ivanka Trump në Shtëpinë e Bardhë

Stafi i Shtëpisë së Bardhë po përballet me një dinamikë të komplikuar në menaxhimin e aktiviteteve të “Zonjës së Parë” dhe “Vajzës së parë”. Kështu raportoi në një shkrim të gjatë të dielën “New York Times” që kishte zbuluar një përplasje mes Melania dhe Ivanka, gruas dhe vajzës së presidentit Donald Trump.

“Sfida e menaxhimit të kësaj përplasjeje – dhe çdo çështje të mundshme – është manifestuar në udhëtimet e veçanta të dy grave në Afrikë” – shkruan NYT që vijon: “Zonja e Parë Melania Trump ndërmori udhëtimin e saj të parë ndërkombëtar në Afrikë në tetor, duke vizituar Ganën, Malavinë, Kenian dhe Egjiptin në një javë dhe duke e quajtur iniciativën e saj “Be Best”. Por edhe vajza e presidentit dhe këshilltarja e lartë e tij, Ivanka Trump, po planifikon një udhëtim në Afrikë në janar, duke synuar të theksojë interesin e saj për fuqizimin ekonomik” – shkruan gazeta.

“Për udhëtimin e zonjës së parë në Afrikë, zyra e saj u kërkoi zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që të sigurojnë hapësirën e saj për të shfaqur punën që ajo po bënte, ku përfshihej edhe një foto e zonjës së parë duke mbajtur një fëmijë” – thanë gazetës dy burime të brendshme.

“Dy ditë më vonë, Ivanka Trump postoi një video në Instagram të udhëtimit të saj në Karolinën e Veriut, pasi u godit nga Uragani Michael, i cili përfundoi me një pamje të ngjashme ku ajo duket duke mbajtur në krahë një fëmijë të vogël.

Shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, që supozohej të ndihmonte në menaxhimin e marrëdhënieve midis dy zyrave të grave, u njoftua për videon dhe më vonë e diskutoi atë me stafin e Ivanka Trump”, – shkruan gazeta duke cituar burimet e saj.

Zonja e parë dhe vajza e parë e shohin punën e tyre ndryshe dhe bashkëjetojnë me pak mbivendosje në rolet e tyre. Ato rrallëherë janë shfaqur së bashku dhe nuk kanë organizuar asnjëherë një iniciativë të përbashkët të organizuar nga stafet e tyre.

Të dyja iu bashkuan Presidentit Donald Trump në një udhëtim në Vatikan për t’u takuar me Papën, udhëtimin e parë të Presidentit në Arabinë Saudite vitin e kaluar dhe kohët e fundit për të vizituar sinagogën e Pittsburgh ku 11 vetë u vranë në një shpërthim masiv muajin e kaluar.

Miqtë e Ivanka Trump thonë se ajo “është dukshëm e bezdisur” kur i bëjnë pyetje apo e informojnë për përgjegjësitë e “Zonjës së parë” duke u shprehur se ajo ka detyra të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i cili foli me NYT me kushtin e anonimitetit tha se nuk ka tension mes Melania dhe Ivanka Trump dhe se të dyja kanë një “marrëdhënie të mirë”.

“Si gra të forta të pavarura, secili ka portofolin e saj unik por ato gjithmonë mbështesin njëra-tjetrën personalisht dhe profesionalisht,” – i tha zyrtari gazetës.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close