Categories Lajme

Përse librin tim për Kosovën ia kushtova Bujar Leskajt

Këto ditë do të dalë libri i ri, “Triada e Kosovës”. I është kushtuar një figure të njohur, që është pjesë e politikës, por që në thelbin e tij ka shumë më tepër se kaq.

Në fakt, zotin Bujar Leskaj nuk e kam parë asnjëherë si pjesë e politikës dhe, kjo e fundit, pak herë, tepër pak, ka qenë pjesë e bisedave të gjata, që natyrshëm edhe me miq të tjerë kemi bërë. Ka një shkas përse këtë libër, që ka në thelb tri momentet më të rëndësishme të Kosovës në dekadat e fundit, Pranverën e vitit 1981 dhe lidhja e saj me shtetin shqiptar, enigma e eliminimit të Mehmet Shehut lidhur me këto ngjarje, qëndrimi i Enver Hoxhës dhe i Ramiz Alisë, por jo vetëm i tyre në kryengritjen e vitit 1981, një bisedë e gjatë me njërin nga protagonistët, Ali Ahmetin; pastaj nëntoka e Rambujesë, përplasjet dhe të fshehtat, qëndrimi i Berishës dhe përse Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria Politike nuk u prononcuan për deklaratat e tij; roli i diasporës, sidomos në SHBA dhe, si bashkëngjitje letra e fundit e Adem Jasharit,dhjetor 1997; letra e Ilir Konushevcit, dhe për shqiptarin që takoi shtatë presidentë amerikanë. Unë vazhdoj të mendoj se çështja e kombit ka përmasa të tjera kur kalon përmes njerëzve, pavarësisht se çfarë rryme politike apo mendësi kanë për përplasjet partiake.

Ja çfarë kam shkruar në parathënien e librit tim:

Parathënia e parathënieve

Kur miku im i vyer, profesor Bujar Leskaj më tregoi se kishte ndër mend të ngrinte në Vlorë një muzeum vetjak për Kosovën, nuk u ndjeva i çuditur. I pasionuar për të gjitha viset e kombit tonë, kudo ku shtrihen tani, përherë i lëvizshëm dhe fisnik, më është dukur dhe e di se ishte njëra ndër gjërat më të natyrshme në jetën e tij.

Hashim Thaçi, ish presidenti i Kosovës dhe Drejtori Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një bisedë mes tyre, i kishte thënë : -Po sikur të bësh një muzeum vetëm për UÇK-në?

-Unë e dua të gjithë Kosovën dhe të gjithë historinë e saj, i dua të gjithë, megjithëse UÇK-në e kam më për zemër. Natyrisht që pjesa më e rëndësishme e muzeut do të jetë për luftën dhe qëndresën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga një lab si ai nuk mund të pritej përgjigje tjetër.

Dhe kështu filluam të bisedojmë për Kosovën dhe muzeun e saj të ardhshëm në qytetin e Vlorës, që jo shumë larg në kohë, do të ngrihet në qendrën historike të saj. Do të jetë pikërisht në udhën historike, ku, shumë vite më parë, në ditët e shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë, do të takoheshin dhe do të ecnin sëbashku Ismail Qemal bej Vlora dhe Isa Boletini me luftëtarët e tij. Në asnjë vend tjetër, ky muze, nuk do të ndjehej më mirë dhe nuk do të ishte më domethënës.

Përse nuk ishte e papritur dëshira dhe mendimi i tij? E kam njohur prej shumë vitesh Bujar Leskajn, e kam njohur në ndenja të gjata dhe biseda të pamatshme, kemi folur për paraluftën, luftën dhe ditët e tanishme, për drejtuesit e saj dhe ecurinë e ngjarjeve, se si, që herët mendimi i tij ishte i trefishtë: për vendin ku jeton, për pjesën jugore të Shqipërisë së humbur, ndoshta jo pafundësisht, Çamërinë, për të cilën ai kishte shkruar se ishte plaga e hapur e kombit, për Kosovën, veriun apo çatinë e kombit, që edhe pse i rrudhur nga agresioni fqinj, vazhdon të jetë qendër vitale e nacionalizmit fisnik dhe të denjë për secilin komb.

Kombet dhe popujt e vegjël duhet të jenë nacionalistë fisnikë, më thonte dikur poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu dhe kjo është një e vërtetë vitale. Të duash vendin tënd, pa dëmtuar të tjerët, është fisnikëri dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Nëse shqiptarët e kanë patur këtë, kjo rrjedh edhe nga konceptimi i drejtë se atdheu të dhemb edhe kur je jugor dhe të cënohet veriu, por edhe kur përpjekjet e tua shkojnë drejt ripërtëritjes së kombit.

Bujar Leskaj është ndër të tillët që, në të gjithë jetën e tij, punët që ka bërë, rrugëtimet që ka ndërmarrë, takimet që ka organizuar është i pranishëm në Kosovë. Jo vetëm se në një shesh të Prishtinës është edhe shtatorja e Ismail Qemal Vlorës, nismë e zotit Leskaj dhe e institucionit atdhetar që ai drejton, pra e lebërve të mirë, por edhe se koncepti i tij për Kosovën është më i gjerë se sa kilometrat ku shtrihet aktualisht dheu i Arbërit. “17 Shkurti 2008 do të shënohet përkrah 28 Nëntorit 1912”, ka shkruar ai në njërin nga botimet e tij të posaçme për Kosovën, duke bërë ndërlidhjen mes dy datave që do të mbeten në historinë moderne të kombit. Si i pasionuar pas trevave të Lumit të Vlorës, ai nuk e ndan Drashovicën nga Prekazi, nga vendi, si ka shkruar ai, “ ku edhe burrat derdhin lot”, pasi kanë bërë një luftë që nga përmasat do të jetë përherë frymëzuese.

Ai e ka lidhur gjithnjë kullën e Jasharëve në Prekaz të Skënderajt me Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë, ka gjetur të përbashkëtat mes gjenocidit të popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe asaj që ndodhi në Kosovë, ku gjenocidi serb dukej dhe ishte i njëjtë me atë që kishte ndodhur në Çamëri, përkulet me të njëjtin respekt ndaj Përmendores së Rugovës dhe të Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi – Lladrovci, ndoshta çifti më legjendë në historinë tonë moderne; nderon luftëtarët dhe intelektualët, bashkëbisedon me Ali Ahmetin në Shkupin e vjetër, ku sëbashku marrin vendimin për vendosjen e Statujës së Ismail Qemalit në sheshin qendror të kësaj pjese së kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, ku banojnë shumica shqiptarë dhe qeverisin shqiptarë, po ashtu si bashkëbisedon me Arbën Xhaferin, ideologun mendimtar, ndoshta të fundmin Rilindas të mendimit politik shqiptar.

Gjendet në Tetovë, rrëzë Malit të Sharrit dhe në Prizren, në vendin e lidhjes së besës shqiptare, në Shpellën e Mermerit të Gadimes së Ferizajt dhe, aty ku i pushon shpirti qetësisht, në Galerinë e Arteve në Prishtinë, dhe, kur mendon se tani është koha që të dihet më shumë dhe të ketë një lidhje më të njohur, organizon vizitën e gazetarëve vlonjatë në Kosovë, çka nuk e ka bërë asnjë personalitet politik tjetër, asnjë qeveritar.

Si thotë një mik i tij, Lutfi Haziri, figurë e njohur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Leskaj ngre ura bashkëpunimi dhe pak kush e bëjnë këtë. Nëse asaj kohe krye ministri Hashim Thaçi, e falënderon publikisht për vizitën e gazetarëve vlonjatë në Kosovë, ai organizon takimin e vlonjatëve me akademikun Rexhep Ferri; shkon në Gjakovë, në vendlindjen e mikut të tij, ish-ministri i kulturës së Kosovës, Astrit Haraçia, bashkëbisedon me Ramush Haradinaj, është i ftuar në përurimet e Statujave të Heronjve të Kosovës në Drenicë.

Ad by Valueimpression

Ndoshta momenti më interesant i pasionit të tij për Kosovën lidhet me një ngjarje të veçantë: pranimin e Kosovës, institucionit të saj të Kontrollit të Shtetit, në strukturat ndërkombëtare, nismë e zotit Leskaj dhe e miqve të tij në botën ndërkombëtare dhe, duke e bërë këtë, aty ku edhe nuk pritej, në Moskë.

Është hera e parë që Kosova pranohet në këtë institucion të rëndësishëm dhe, si për të dashur të saktësojë se mes dy vendeve nuk ka asnjë ndarje, në godinën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në njërën nga mjediset e saj, ngre sallën e veçantë për Kosovën. Kam udhëtuar shpesh me Bujarin në Kosovë apo në trevat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Jemi takuar me personalitete të ndryshme politike dhe luftëtarë e drejtues të luftës.

Kemi biseduar për përmendoret që i mungojnë Kosovës dhe Shqipërisë. Për njerëzit që ndërtuan paqen dhe bënë luftën. Shpesh herë na kanë pyetur se nga është fillesa e miqësisë sonë. Në njërën nga ditët e panairit Kombëtar të Librit, ku ishim së bashku, një botues i njohur, mik i yni i përbashkët, duke qeshur, me humor na pyeti se çfarë na lidh ne të dyve: njëri i së djathtës politike dhe tjetri, i së majtës.

Nganjëherë njerëzit e kanë të vështirë të mendojnë, e aq më tepër, të perceptojnë se si dy burra, që, të paktën janë të njohur si të dy anëve të ndryshme të politikës, mund të jenë miq të mirë. Për mua, Bujar Leskaj është njëri nga miqtë më të afërt dhe te i cili besoj pafundësisht. Fillesa e miqësisë sonë ka qenë Kosova. Unë e pranoj këtë.

Një fillesë e tillë është kurdoherë e qëndrueshme. Bujar Leskaj është një figurë e admirueshme, të cilin e kam mik shtëpie dhe ku nëna ime e pret gjithnjë si njërin ndër të afërmit tanë. Ai e do Kosovën dhe njerëzit në Kosovë e duan atë. Një lidhje e tillë është parathënie e asaj që kanë ëndërruar njerëzit prej shumë dekadave: bashkimi i kombit. Prandaj e quajta këtë hyrje, Parathënia e parathënieve, pasi bashkimi i kombit fillon nga bashkimi i njerëzve. Edhe kur njëri është nga Vlora, tjetri nga Shkodra. Dhe mes tyre, fillesa është Kosova.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngacmimi nga interneti, Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve. Kuçova renditet e dyta

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi, 29 Mars 2024

Dashi Kjo ditë do ju gjejë më produktiv dhe krijues, qoftë në sferën profesionale edhe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME