
Gjermania po monitoron nga afër tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, tha sot ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
“Ne jemi duke vëzhguar situatën dhe do të reagojmë nëse është e nevojshme”, tha Pistorius, ndërsa bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të situatës.
Ai nuk përjashtoi rritjen e kontributit të ushtarëve gjermanë për misionin paqeruajtës të NATO-s KFOR, siç ka bërë Britania e Madhe, por tha se nuk ka plane për ta bërë këtë për momentin
Duke folur në qytetin e Braunschweig, Pistorius theksoi se Gjermania do të ishte e gatshme të vepronte shpejt nëse do të ishte e nevojshme.
Më herët, kryetarja e komisionit të mbrojtjes në parlamentin gjerman, Bundestag, ngriti idenë për dërgimin e më shumë ushtarëve gjermanë në misionin e KFOR-it.
“Sipas mandatit, tavani i personelit është 400 ushtarë”, tha Marie-Agnes Strack-Zimmermann për RND.
Aktualisht janë 85 ushtarë nga Gjermania që shërbejnë në misionin e KFOR-it. “Pa ndryshuar mandatin, ka ende vend për përmirësim”, theksoi ajo.