Lajme

Po transportonte 8 afganë kundrejt pagesës, arrestohet 55-vjeçari

Një 55-vjeçar nga Lushnja u arrestua nga policia pasi dyshohet se po transportonte 8 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës.

Ai dyshohet se po transportonte drejt Tiranës, 8 shtetas nga Afganistani, të cilët kishin si synim kalimin ilegal të kufirit me Malin e Zi.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Roads”. 

Transportonte 8 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari. 
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte drejt Tiranës, emigrantë që kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Roads”. 

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Plepa-Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. H., 55 vjeç, banues në Lushnjë.  Ky shtetas po transportonte kundrejt pagesës, me automjet, drejt Tiranës, 8 shtetas nga Afganistani, të cilët kishin si synim kalimin ilegal të kufirit me Malin e Zi. 

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar afër banesës së 55-vjeçarit, u gjetën 82 bagëti të imëta (viça), të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar në Shqipëri.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close