Lajme

Policia mësyn në Fushë-Kuqe dhe Patok, kërkohet Gëzim Çela, ‘baroni’ i drogës! Trafikantët dorëzojnë vetëm 23 kg kanabis

Sinjali që një mjet ujor i dyshimtë ishte pikasur në ujërat e Malit të Zi me drejtim ujërat tona territoriale ka vënë në lëvizje disa skuadra policore.

Përpos policisë sonë, në operacion kanë marrë pjesë edhe DEA dhe Guardia di Finanza. Mjeti, në fakt, ka vijuar rrugën në drejtim të zonës së Patokut, një ndër pjesët bregdetare që konsiderohet edhe pronë e ‘të fortëve’ të zonës.

Me të përcaktuar koordinatat, Policia ka ndërhyrë në zonën e Fushë-Kuqes, nga ku rruga e vetme e asaj zone të dërgon në Patok, aty ku gjenden edhe bizneset e dy prej emrave më të përfolur në vendin tonë, Ervis Martinajt dhe Gëzim Çelës.

Mjeti ujor që po i drejtohej zonës së Patokut u bë me dije se kishte brenda kokainë dhe heroinë, ndërkohë që në kthim thuhej se do të merrte një ngarkesë me kanabis, që rezultoi të mos ishte e madhe. Kur u pikas policia në zonë, ose kështu u la të kuptohej ditën e djeshme nga zyrtari i Policisë që ishte përzgjedh për të dhënë të dhënat e pakta të atij operacioni, personat që transportonin drogën i vunë flakën mjetit.

Policia nuk raportoi të ishte kap asnjë sasi lënde tjetër narkotike përveç 23 kileve hashash. Kështu, u la të kuptohej që malli që gjendej në mjetin që vinte drejt Patokut ishte djegur bashkë me velierën me të cilën u tha se udhëtonin dy shtetas ukrainas, si korrierë të drogës.

Policia e Shtetit i mbajti të kyçura të dhënat për më shumë se 24 orë, ndërkohë që përveç dy transportuesve u bë me dije se në pranga u vunë edhe katër shtetas shqiptar, një prej të cilëve njeri i afërt i Gëzim Çelës, kurbinasit që prej më shumë se një dekade autoritetet e drejtësisë e konsiderojnë si ‘baronin e drogës’!

Në fakt, Çela rezulton i shumëkërkuar prej më shumë se 8 vitesh dhe madje rezulton edhe i dënuar nga Gjykata por që jo vetëm që asnjëherë nuk u arrestua, por policia disa herë tha se ka ndërmarrë operacione për ta vënë në pranga por nuk është gjendur brenda territorit tonë.

6 trafikantë, mes tyre 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas, kanë rënë në pranga të Policisë nga një operacion ndërkombëtar antidrogë, i zhvilluar dy net më parë në qarkun e Lezhës, në det të hapur (Adriatik), rreth 18 milje larg Lagunës së Patokut. Policia goditi trafikantët e drogës, të cilët po bënin shkëmbimin e lëndës narkotike, të kokainës me kanabis, në mes të detit Adriatik dhe vuri në pranga shtetasit Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë, ishshef policie; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, nipi i Gëzim Çelës i njohur si ‘baroni i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2014, pasi forcat speciale gjetën në vilën e tij 18 kilogramë kokainë, 150 kilogramë kanabis dhe një laborator lëndësh narkotike. Në të njëjtin aksion në Kosovë u sekuestruan 50 kilogramë heroinë dhe kokainë që dyshohej se ishin paketuar në Fushë-Kuqe.

Në pranga kanë rënë edhe Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë. Po ashtu u arrestuan edhe dy shtetas nga Ukraina Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç. Dy ukrainasit, të cilët udhëtonin me velierën me drogë, ishin nisur nga Mali i Zi. Ata i vunë flakën velierës dhe tentuan të ikin me një varkë shpëtimi, por u arrestuan. Në det policia gjeti 23 kg kanabis pranë vendit ku u fundos veliera e djegur.

Operacioni antidrogë u zhvillua nga policia shqiptare në bashkëpunim me Gurdia di Finanza. Në një konferencë për mediat, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, tha se operacioni nisi pasi strukturat monitoruese në terren, vunë re lëvizjen me shpejtësi të një gomoneje, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin. Gomonia është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas trafikantët që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike. Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries. Trafikantët e drogës që ndodheshin në velerie, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë. Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.

Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;
Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;
Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;
Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;
Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;
Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.

2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”;
200 fishekë pistolete model 54;
një automjet tip “Audi”;
4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike;
45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000
lira, 25 celularë;
Sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e
gjetur në afërsi të velierës së djegur;
1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in;

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close