Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të mos hapë hetime ndaj pretendimeve për humbjen e deklaratës origjinale të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte avokati Kujtim Cakrani, i cili denoncoi në Prokurori Arkivin Qendror të Shtetit dhe Bankën e Shqipërisë.
Në përgjigjen që Prokuroria i ka çuar avokatit thuhet se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Cakrani depozitoi padinë e tij më 10 shtator të këtij viti ndërsa është shprehur se institucionet përkatëse janë treguar të papërgjegjshme në ruajtjen e një dokumenti kaq të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë.
Sipas tij, publikut i jepet dhe i prezantohet si version zyrtar vetëm fotokopja e deklaratës së pavarësisë. Më tej, Cakrani shpreh në dokumentin e denoncimit se humbja e Deklaratës Origjinale të Pavarësisë dëmton rëndë historinë e kombit tonë.