Lajme

“Prindi 1 dhe prindi 2” Debat mes pastorit Akil Pano dhe Aleancës LGBTI+ për gjuhë urrejtjeje

Një debat ka shpërthyer mes Aleancës LGBTI+ dhe pastori Akil Pano. Aleanca e ka çuar te Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit pastorin Pano për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe të diskriminimit.

“Zoti Akil Pano, pastor i Kishës “Ungjilli i Krishtit” ka nisur një fushatë keqinformimi të mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI+, duke përdorur median, rrjetet sociale dhe mbështetjen e ndjekësve të tij. Në daljen publike të datës 02.09.2021, Z. Akil Pano na akuzoi se kishim ndërtuar një ankesë për diskriminim dhe gjuhë urrejtjeje ndaj tij mbi deklarata të nxjerra nga konteksti. Në fakt, ankesa jonë bazohet vetëm në fakte të njohura publikisht, lehtësisht të verifikueshme dhe në argumente të mbështetura në ligj.

Në faqen e vet në facebook, idhtarët e kishës së pastorit që duhet të ishte një institucion fetar ku promovohet dashuria për njeriun, në mënyrë të përsëritur fyejnë dhe bëjnë thirrje për urrejtje ndaj komunitetit LGBTI+, duke u larguar kështu nga fryma disa shekullore e feve në Shqipëri që nuk i fryjnë asnjë zjarri përjashtues” – shprehet Aleanca LGBTI+.

Ndërkohë, nga ana e tij, pastori Akil Pano thotë se seanca dëgjimore cenoi rëndë lirinë e fjalës dhe besimit.

“Dje në orën 10:00 do të zhvillohej seanca dëgjimore tek Institucioni i Komisionerit Kundër Diskriminimit mbi hetimin e nisur ndaj meje për diskriminim, mbi pretendimet e Komisionerit dhe grupit LGBTQI+ në daljet e mia publike në mbrojtje të familjes në debatin mbi zëvendësimin e fjalës NËNË dhe BABA me PRINDI 1 dhe PRINDI 2. Komisioneri në shkelje të plotë të ligjit dhe procedurave, duke thyer parimet e pavarësisë, paanësisë, drejtësisë, transparencës dhe të drejtës për informim publik, imponoi një seancë antiligjore me dyer të mbyllura ku nuk lejoi jo vetëm median por as avokatin tim, me gjithë detyrimet ligjore të përcaktuara shprehimisht në Nenin 40 “Seanca Dëgjimore Publike”. Kjo ngjarje e shëmtuar nuk është një goditje vetëm ndaj një Pastori që i qëndron besnik besimit dhe mbrojtjes së fjalës së lirë, por ndaj vetë konceptimit të ligjit si paanshmëri, ndaj çdo qytetari të lirë teist apo ateist, ndaj çdo kleriku dhe sigurisht, ndaj institucioneve të cilat janë në shërbim të qytetarëve dhe ligjit.” – u shpreh Pano.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: