
Ndarja nga jeta e mjekes dhe pedagoges së mirënjohur Iliriana Ruka ngjalli dëshpërim tek ata që e njihnin, por edhe zemëratë për heshtjen mediatike.
Dr. Erjona Shehu, prezantuese lajmesh në vite në Top Channel, shkruan se e mori vesh rastesisht humbjen e saj:
“Nuk kish asnjë lajm, asgjëkund. Nje mjeke si Prof. Iliriana (Profesoreshë e vërtetë, jo e titulluar me qoka), që ka bërë breza të tërë studentësh ta dashurojnë Mjekësinë, nuk ngjall interes në këtë vend të mbushur me llum e zhul që vetëquhen dhe quajnë njëri-tjetrin VIP-a, me pushtetarë dhe shërbyes të pistë të tyre.
E vogël në staturë, e brishtë, me syzet me xhamat e trashë, na merrte nga pas dhomë më dhomë të semurësh, na shpjegonte me durim dhe po me aq durim dëgjonte përgjigjet tona.
E perulur, e ditur, nuk kishte nevojë të fryhej e të delironte, ishte “e urtë gjer në dhembje, e thjeshtë gjer në madhështi”.
Faleminderit Prof Iliriana per dijet qe me dhe, nuk do e harroj kurrë krepitacionin (një shaka mes nesh, me të cilën ndoshta do qeshim në botën tjetër)!”, – përfundon reagimi i mjekes dermatologe, Erjona Shehu. /noa.al
Është ndarë nga jeta Prof. As. Dr. Iliriana Shehaj Ruka, mjeke dhe pedagoge, ikonë e idealizmit human dhe mjekësor, një ndër ekspertet më të mira të diagnostikës së sëmundjeve të brendshme.
Ajo punoi plot pasion dhe me një përkushtim të admirueshëm si mjeke në Shërbimin e Hematologjisë, Spitali Nr. 1 që nga viti 1964 dhe si pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë në lëndën e Propedeutikës, sot Semiologjia Klinike, që nga viti 1967.
Për shkak të angazhimeve familjare jashtë shtetit, Ruka u shkëput disa vjet për t’u rikthyer në vitin 1990 në Shërbimin e Hematologjisë, QSU “Nënë Tereza” dhe si pedagoge e njëkohësisht drejtuese e Katedrës së Semiologjisë Klinike deri me daljen në pension në vitin 2003.
Ajo kontribuoi në edukimin e studenteve të Fakultetit të Mjekësisë si dhe formimin profesional të specializantëve në fushën e Hematologjisë dhe Sëmundjeve të Brendshme.
Universiteti i Mjekësisë së Tiranës shkruan sot në një In Memoriam se Prof. Iliriana ishte modeli i mjekut, pedagogut, familjarit dhe simbol i mirësisë e qytetarisë, duke gëzuar respekt tek kolegët, studentët dhe pacientët.
Ajo karakterizohej nga një disiplinë e fortë profesionale, përkushtim ndaj pacientëve dhe studentëve, por dallohej dhe për shpirtin e saj artistik.
Prof. Iliriana ishte autore e disa teksteve dhe moduleve mësimore, me të cilët studentët e Fakultetit të Mjekësisë studiojnë ende