Lajme

Pronari i “Casa Italias” nuk pranon të dëshmojë: S’jam mirë psikologjikisht…

Magazina e qendrës tregtare “Casa Italia” u përfshi nga flakë të mëdha pasditen e 24 marsit, të cilat vijuan për 3 ditë me radhë. Fatkeqësisht, roja i sigurisë së objektit, 32 vjeçari Arjan Sala, shpëtoi të gjithë kolegët por vetë mbeti brenda.

Trupi i “Dëshmorit të Atdheut” u gjet pas tre ditësh betejë të zjarrfikësve të Tiranës me flakët. Sipas kreut të Repartit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxha, magazina ku shpërthyen flakët nuk kishte marrë licensim për veprimtari të tillë, por për parking makinash. Pronarët më pas e kishin përshtatur atë si magazinë për dyqanet që ushtrojnë aktivitetin te Casa Italia.

Mësohet se në këtë objekt jashtë çdo kriteri licensimi dhe të sigurisë në punë, paketoheshin dhe pampers (pelena) për fëmijët e vegjël. Prokuroria e Tiranë ka nisur një hetim për ngjarjen e rëndë, për të zbuluar shkakun e flakëve që i morën jetën Arjan Salës dhe rrezikuan të shkaktoinin një tragjedi të madhe nëse punonjësit që ishin brenda nuk do të ishin shpëtuar nga 32 vjeçari.

Në kuadër të këtij hetimi, prokurori që po merret me këtë çështje i ka marrë dëshminë administratorit të magazinës, shtetasit me inicialet A.H, i cili ia ka lënë përgjegjësinë për masat e mbrojtjes nga zjarri pronarit të Casa Italias Pëllumb Alimadhi. Sipas tij, Alimadhi ishte qiradhënësi dhe ai duhet të siguronte masat e sigurisë.

Ndërkohë, vetë pronari i qendrës tregtare nuk ka dhënë detaje për ngjarjen në Prokurorinë e Tiranës. Pëllumb Alimadhi i ka kërkuar prokurorit që të merret në pyetje në një moment tjetër pasi “nuk ishte mirë psikologjikisht”.

Një inxhinier elektrik i pavarur i është bashkuar grupit të oficerëve dhe prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, që po hetojnë për shkaqet e zjarrit që ra në magazinën e qendrës tregtare “Casa Italia”. Ai do të japë ndihmën e tij dhe pritet të zbardhë shkakun dhe origjinën e flakëve, që i morën jetën rojes së sigurisë. Ndërkohë, në rrjetet sociale qendra tregtare vazhdon reklamimin, duke u bërë thirrje blerësve që të vizitojnë “Casa Italian”për trendet më të fundit të modës.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: