
Banorët e Astirit u përplasën ditën e djeshme me policinë jashtë sallës së Parlamentit, brenda të cilit po zhvillohej seanca për projektbuxhetin e vitit 2019.
Protestuesit hodhën drejt policisë, shashka dhe mjete të ndryshme piroteknike, duke plagosur 12 prej tyre.
Ndërkohë policia u kundërpërgjigj duke arrestuar 11 persona, në mesin e tyre edhe një grua shtatzënë.
Nisur nga dëshmitë e banorëve, Erjona Dozhani, 5 muajshe shtatzënë, ka dështuar fëmijën që kishte në bark, për shkak të dhunës së ushtruar nga policia.
Aktualisht ajo ndodhet në spital, ndërsa bashkëshorti i saj është arrestuar.
Denoncimin e ka bërë sot deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila në një postim në faqen e saj në Facebook, shkruan se nëna që e pësoi kaq keq nga dhuna e policisë quhet Erjona Dozhani.
POSTIMI I VOKSHIT:
“Ndërsa e gjithë bota prej 25 shtatorit është aktivizuar kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, policia e shtetit në Shqipëri dhunon nënën shtatzënë. Erjona Dozhani humbi fëmijën në muajin e 5-të, pas dhunimit nga policia, të cilët i arrestuan një ditë më parë edhe bashkëshortin, gjatë protestës para Parlamentit, për mbrojtjen e shtëpive, “të kryqëzuara” për shembje, për llogari të një vjedhje kryeministrore, miliona euro!”