Lajme

Psikologia e njohur i futet politikës, nën siglën e Bindjes Demokratike në qarkun e Korçës

Psikologia e njohur Denada Toçe, përmes një statusi në facebook, ka bërë me dije përfshirjen e saj në politik dhe kandidimin nën siglën e Bindjes Demokratike në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 Prillit. Teksa liston arsyet që e shtyn drejt përfshirjes në politikë, psikologia Toçe zbulon gjithashtu dhe arsyet e përzgjedhjes së Bindjes Demokratike si forcën e saj politike. Kujtojmë se po me këtë forcë politikë kandidon në qarkun e Tiranës dhe bashkëshorti i Toçes, muzikanti Arben Skënderi.

Postimi i plotë: Kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri. Jam edukuar në këtë vend, por edhe jashtë tij. Kam pasur fatin të vizitoj, të njoh dhe të përjetoj kultura të ndryshme, që më kanë lënë shumë mbresa. Por, megjithatë, përherë kam parapëlqyer të qëndroj dhe të jetoj në vendin tim. Me kalimin e viteve kam mësuar se Shqipërinë e dua, shumë madje.

Këtu kam pjesën më të mirë të historisë sime jetësore. Kjo tokë më përket mua. Familja që më rriti, që më do dhe më mban brengat edhe në këtë moshë, kur jam bërë prind edhe vetë, është këtu. Familjen e re që ndërtova me dashuri, e kam këtu. Miqtë e mi më të mirë janë këtu. Natyrën dhe klimën më të mirë e shijoj këtu. Këtu më duket sikur vjen një aromë tjetër, si ajo e nënës që e dallon mes shumë të tjerave dhe pa të cilën nuk bën dot. Këtu kam qeshur dhe qarë për herë të parë.

Këtu kam humbur dhëmbin e parë. Këtu jam gjakosur për herë të parë, ndërsa luaja shpenguar me fëmijët e lagjeve të varfra të viteve ’80-‘90. Këta ishim ne: kishim shumë pak, kënaqeshim me shumë pak, por urinë më të madhe e kishim për dije. Kjo na bënte të pasur mjaftueshëm për të qenë të lumtur mes njëri-tjetrit.

Këtu përjetova tranzicionet më të forta, dhe po këtu mësova të luftoj për jetën, edhe kur ka shumë padrejtësi. Këtu mësova të shkruaj emrin tim dhe e gdhenda në ndonjë pemë fatkeqe, që e mban edhe sot.

Këtu jam dashuruar për herë të parë. Këtu u kurorëzova, ndërsa im atë më shoqëronte në altar, i mallëngjyer në dashuri.

Ky vend më përket dhe është imi. Kam historinë time këtu. Ndaj dua të jem pjesë e së tashmes, që thërret për një të nesërme më të mirë. Nuk mund të besoj se Shqipëria dhe shqiptarët nuk ndryshojnë. Unë dhe të gjithë ata që ndihen si unë dhe kanë hyrë në rrugëtimin politik, me qëllimin që Shqipëria të mund të bëhet e shqiptarëve, duhet të jemi në parlament. Aty ku merren vendimet më të rëndësishme të jetës sonë.

Nuk dua të hyj në këtë rrugëtim me armiqësi ndaj partive të tjera politike, mbi të gjitha kur shumë prej kandidaturave të tyre i çmoj si mjaft dinjitoze, përkundrazi, jam në aleancë për një përfaqësim parlamentar me vlera. Çdo veprim partiak apo individual që synon të kundërtën, nuk meriton të jetë në parlament. Nuk ka më kohë, për aq kohë sa nuk ka një jetë të përjetshme në këtë tokë. Sot është koha për të ndërtuar shtëpinë tonë, familjen tonë! Sistemi zgjedhor më imponon të jem pjesë e një grupimi partiak, e nëse është kështu, Bindja Demokratike është zgjedhja që më përshtatet më së miri. Është ajo, e cila zhvlerësoi listën e mbyllur, duke e bërë atë të hapur për të gjithë kandidaturat dhe votuesit. Kështu, ju nuk zgjidhni numrin, por kandidatin që do të donit t’ju përfaqësonte në parlament.

Aty ku ju kërkoni t’ju përfaqësohen nevojat, që nga ato më minimalet, jetiket dhe deri tek ato që ngulmojnë në ndërtimin e cilësisë së jetës. Për një jetë dinjitoze, qytetare dhe krenare. Aty ku ju kërkoni t’ju përfaqësohet e drejta, për t’u ndier individë të vlerësuar të kësaj shoqërie. Aty ku ju kërkoni t’ju përfaqësohen thirrjet për zhvillim, bazuar në vlera personale, profesionale dhe kombëtare, për një të ardhme më të sigurt për trashëgimtarët më të rinj: fëmijët tanë.

Dëmet politike dhe, mbi të gjitha, shtetërore janë shumë të mëdha, por nuk mund t’i ribëjmë këto 30 vjet në 50 vjet, për të kuptuar se po jetojmë në një analfabetizëm politik, duke mos kundërshtuar dhe luftuar për asnjë gjë. Unë zgjedh të kandidoj!

Këto janë arsyet personale, që më çuan në një zgjedhje për të pranuar kandidaturën time në qytetin e Korçës, pranë Bindjes Demokratike. Të dashur miq, uroj të kem mbështetjen tuaj! Uroj të jem një kandidaturë dinjitoze për Korçën, ashtu siç i ka hije këtij qyteti plot sharm, që ka identitet, dije, histori dhe traditë! Rroftë vota e lirë! Sinqerisht, Denata Toçe

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: