
Edhe kjo e shtunë ka nisur me makthin e raketave ruse për ukrainasit. Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se ushtria e Vladimir Putin ka kryer sulme me raketa në veri të vendit, duke goditur qendrën e qytetit Chernihiv.
Në mesazhin e tij të fundit në Telegram, Zelensky shkruan se raketat ruse ranë në godinën e një teatrit dhe të një universiteti duke shkaktuar viktima dhe të plagosur, por nuk dha detaje të mëtejshme. “Një e shtunë e zakonshme tashmë, të cilën Rusia e ka shndërruar në një ditë dhimbjeje. Në Chernihiv ka disa të vdekur dhe të plagosur si pasojë e sulmeve me raketa”, tha presidenti ukrainas.
Ai shtoi se ndihma e Bashkimit Europian për Ukrainën ka qenë e vazhdueshme, e në të njëjtën kohë, sipas tij, Rusia ka dështuar të kryejë një pushtim të shpejtë të Ukrainës.