Lajme

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore: Uniformat, sipas standardeve ndërkombëtare

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka hedhur poshtë akuzat e deputetes së PD-së, Oriola Pampuri në lidhje me cilësinë e dobët të uniformave të personelit të këtij institucioni.

Kështu, përmes një njoftimi për mediet, QKUM sqaron se uniforma e re e personelit mjekësor është sipas standardeve të urgjencës mjekësore, bazuar në ligjin që përcakton standardin e uniformave të urgjencës, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

“Procedura e blerjes së uniformave të personelit mjekësor të urgjencës është transparente, e bazuar në ligjin e prokurimit publik, dhe është kryer nga Ministria e Brendshme, që është autoriteti i ngarkuar me VKM për blerjen e përqëndruar të të gjitha uniformave, siç parashikohet në normativat EN 20471”, thuhet në reagimin e QKUM-it.

Përballë akuzave që QKUM i cilëson pa asnjë bazë, institucioni rendit disa fakte dhe shifra në lidhje me uniformat e personelit të urgjencës.

  1. Çmimi dhe specifikimet teknike janë deklaruar publikisht. Fondi total është 38 milionë dhe jo 45 milionë lekë, siç thuhet në deklaratë.
  2. Uniforma është e përbërë nga 10 pjesë, në total 3.760 copë, për 366 punonjës.
  3. Standardet janë ato ndërkombëtare për shërbimin e urgjencës, që nga xhupat me vizibilitet të lartë, deri tek materiali i i papërshkueshëm, dhe me elemente mbrojtëse për personelin mjekësor nga infeksionet.

Përballë akuzave të pavërteta dhe me qëllime politike, sqarojmë qytetarët se sot, falë investimeve të kryera, urgjenca mjekësore ofron një standard krejt të ri.

Më konkretisht:

– 23 monitor-defibrilatorë.

– 100 sete të urgjencës traumatike;

– Shërbimi i urgjencës mjekësore nëpërmjet numrit unik 127 është shtrirë në tetë qarqe, të gjitha thirrjet e tyre vijnë pranë Njësisë së Koordinimit në QKUM në Tiranë, gjë e cila ka përmirësuar mjaft cilësinë e shërbimit. Brenda vitit 2018 shërbimi do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me të gjitha standardet.

– 32 autoambulanca të reja, të gjitha të pajisura me të gjitha aparaturat moderne, do të jenë në dispozicion të urgjencës brenda vitit 2018.

“Teksa shërbimi i urgjencës mjekësore po përmirësohet dita-ditës, duke plotësuar gradualisht projektin e modernizimit të saj, deklarata të tilla shërbejnë veçse për të njollosur padrejtësisht punën e palodhur të ekipeve të urgjencës mjekësore, që janë 24 orë në 24, në shërbim të jetës së qytetarëve”, përfundon QKUM.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close