Lajme

Qeveria nuk heq dorë: TEC-i Vlorës me koncesion, do mbulojë 20% të deficitit të energjisë

Një dokument strategjik mbi klimën dhe energjinë i publikuar nga qeveria shqiptare për konsultime me palët e interesit nënvizon se synimi për ta dhënë me koncesion termocentralin e Vlorës vazhdon të mbetet në fuqi.

Në fakt dhënia e këtij koncesioni nuk rezultoi i suksesshëm pas një procedure të hapur më herët nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe pse në fazat e para u fol për një interes të lartë të kompanive.

Sipas dokumentit, futja në prodhim energjie e termocentralit shihet me prioritet në kushtet e garantimit të sigurisë energjetike. Shqipëria është e varur thellësisht nga burimet hidrike çka sikurse po shihet edhe sot po rezulton me një kosto të lartë për shkak të importeve për të plotësuar konsumin.

Në këtë kuadër dokumenti nënvizon se masa që duhet marrë është dhënia me koncesion e termocentralit i cili do të mbulojë 20 për qind të deficitit të energjisë që ka vendi.

Sigurisht futja në prodhim e TEC Vlorës për të qenë me leverdi mund të jetë vetëm përmes gazit dhe në këtë kontekst vlerësohet se tashmë që TAP ka nisur aktivitetin e transmetimit mund të përfitohet por Shqipërisë do t’i duhet që të shohë me kujdes pjesën e emetimeve të karbonit.

“Pas lidhjes së termocentralit të Vlorës me TAP-in, inkurajohet kalimi i tij nga përdorimi i naftës në përdorimin e gazit. Kjo do të kontribuonte në stabilizimin e gjenerimit të energjisë elektrike gjatë thatësirave në pjesën jugore të Shqipërisë. Megjithatë, kjo do të rrisë konsumin e gazit, e për rrjedhojë edhe shkarkimet e CO2, dhe duhet marrë në konsideratë përkatësisht në planifikimin strategjik” thuhet në dokument.

Qeveria gjithashtu përmend në dokument faktin që ka një plan për një termocentral në Korçë edhe pse ky i fundit duhet se është zbehur si projekt për shkak të kundërshtive që hasi por që mes rreshtave cilësohet si plan në vazhdim.

Termocentrali i Vlorës (i ndërtuar me financim nga BERZH-i në vlerën 40 milionë euro, financim nga BEI në vlerën 40 milionë euro dhe financim nga BB* në vlerën 20,5 milionë euro) nuk është vënë kurrë në funksionim që prej përfundimit të tij në vitin 2011. Kjo për shkak të një defekti në sistemin e ftohjes së impiantit, i cili nuk është riparuar ende./ Monitor

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: