Lajme

Rafineria në Ballsh e rimëkëmbur, por Bankers refuzon t’i shesë naftë

Edhe pse investimet që po e transformojnë, uzina e përpunimit të naftës në Ballsh po punon me kapacitet të ulët për shkak të mungesës së lëndës së parë, naftës bruto.

Një kompani e huaj që zotëron naftën shqiptare por nuk pranon t’ia shesë rafinerisë së vetme në vend, pavarësisht garancisë pasurore të ofruar dhe çmimit të njëjtë me të cilin e shet naftën jashtë. Kjo ka ndodhur deri tani me Bankers Petroleum, por drejtuesit e rinj të ARMO-s nuk kanë ndërmend ta tolerojnë më këtë situate.

Uzina është objekt i manovrave të tregut rajonal të naftës prej disa vitesh. Pozita e saj e dobët dhe mungesa e investimeve e ka çuar disa herë në prag falimenti në 6 vitet e fundit.

Tani, investimet serioze në teknologji po i kundërvihen fuqishëm faktorëve që e duan uzinën jashtë tregut të naftës.

Ndërtimi i një reparti të ri do të sjellë në treg edhe benzinën shqiptare, që pritet të përmbushë normat europiane të cilësisë së karburanteve.

Për herë të parë në 40 vitet e ekzistencës së saj, uzina do të riciklojë gazrat duke mos lejuar shkarkimin e tyre në ajër.

Po megjithë teknologjinë e përmirësuar, masa për mbrojtjen e mjedisit dhe punonjës të paguar në kohë, kombinatit i mungon nafta bruto të cilën Bankers e eksporton.

Fama e keqe e produkteve të uzinës rezulton pjesë e marifeteve të një tregu ku kompanive dominuese nuk u intereson një rafineri nafte në Shqipëri.

Dy vjet më parë, qeveria premtoi se nafta e Bankers do të furnizojë plotësisht rafinerinë e Ballshit, por kjo nuk ka ndodhur ende. Bankers Petroleum nuk pranon t’i shesë ARMO-s më tepër se 20 mijë tonë naftë, ndërsa uzinës i duhen mbi 70 mijë tonë naftë në muaj që të punojë me efiçencë. As premtimi i qeverisë dhe as 23 milionë Dollarët e ofruar si garanci Bankersit që kjo t’i shesë naftë, nuk e kanë ndryshuar situatën.

Pavarësisht refuzimit nga Bankers, uzina po punon duke shlyer pagat e punonjësve dhe detyrimet, në kohë.

Investitorët Bylis dhe Tosk Energy akuzuan Bankers Petroleum për abuzim me pozitën dominuese. Autoritetit të Konkurrencës i është kërkuar të hetojë, ndërsa qeverisë të ndërhyjë.

Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh ka 1000 punonjës, të gjithë naftëtarë me eksperiencë. Ndalesat e punës për shkak të kolapseve financiare të ARMO-s kanë çuar në protesta të naftëtarëve. Prej muajit Mars të këtij viti, uzina po menaxhohet nga kompanitë Tosk Energy dhe Bylis, të cilat për herë të parë pas dekadash po investojnë në teknologji.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close