Lajme

Rama nga Prishtina: E drejta është me Kosovën. Fantazma të dala nga varri pretendojnë se po mbrojnë integritetin serb

“E drejta është me Kosovën dhe pikë, Serbia nuk ka asnjë të drejtë për reciprocitetin”. Kështu deklaroi nga Prishtina kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun kosovar Albin Kurti, duke shprehur qartë qëndrimin e Shqipërisë për këtë çështje.

“Dua ta them këtu sot qëndrimin e Republikës së Shqipërisë që mbetet i pandryshuar që nga çasti kur iu shfaq ky konflikt; E drejta është me Kosovën dhe pikë, nuk është me Serbinë”.

Sipas tij, Serbia duhet të njohë këtë realitetin e pakthyeshëm, ndërsa shprehu keqardhjen për manovrat ushtarake serbe në kufi. Rama theksoi se ato manovra sollën në skenë hijen e së shkuarës, ndërsa iu përgjigj edhe deklaratave të udhëheqjes serbe për këtë situatë.

“Është Serbia që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur që në vend të përparimit të dialogut dhe çlirimit nga e shkuara që sot jemi dëshmitarë të manovrave e teatrale ushtarake të Serbisë në kufi me shtetin e Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës sikurse pretendohet nga udhëheqja e Beogradit madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur më shumë se 20 vjet më parë që sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush madje iu paguhen edhe faturat e energjisë nga qeveria e këtij shteti si askujt në Ballkan dhe në botë. Ato manovra risjellin në skenë hijen e të shkuarës dhe nxisin nacionalizmin vandal të zjarrvënësve të institucioneve publike që janë aty për t’iu shërbyer qytetarëve serbë. Aplikimi i reciprocitetit është e drejtë legjitime e Kosovës dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive”.

Rama përmendi edhe qëndrimin e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara sa i takon Kosovës.

“Më vjen mirë që vizitoj Prishtinën pas përfundimit të sesionit 76 të Asamblesë së OKB ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në Nju-Jork dhe mbetet e tille, po ashtu një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të OKB-së do të jetë nxitja e njohjes së Kosovës si përmbyllje e kapitullit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”.A2

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: