Lajme

Rama për “La Repubblica”: Blerja e votave, flet për Tom Doshin

“Ne do të bëjmë një revolucion digjital dhe që nga shtatori i vitit 2022 të gjithë fëmijët shqiptarë do të studiojnë me detyrim anglishten që nga klasa e parë”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, ku ka folur për prioritetet e mandatit të tretë, por edhe për çështje të tjera.

Rama gjithashtu iu është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me shitblerje të votave në zgjedhjet e 25 prillit. Lidhur me këtë çështje ai tha se këto janë zgjedhjet e pesta radhazi që opozita humb dhe duhet të reflektojë jo të merret me akuza kundër nesh.

”Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh. Dhe përsëri humbin. Sidoqoftë, këto zgjedhje japin një mesazh: kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinhos”.

I pyetur nëse do të qeverisë me mbështetjen e socialdemokratëve të Tom Doshit, i regjistruar në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, kryeministri shqiptar thekson:”Hera e tretë ishte më e vështira, por është edhe më e bukura. Ne kemi fituar një shumicë absolute, kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje. Ndoshta mund të kishim një diferencë më të madhe, por këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor, me lista dhe preferenca gjysmë të hapura dhe kishte shumë vota të pavlefshme. Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme”, thotë Rama.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: