Categories Lajme

Rama tregon ambicjen për kriptovalutat, ekspertët i bien këmbanës

Një deklaratë e bërë rreth dy javë më parë nga Kryeministri për kriptovalutat kaloi pa ndonjë debat të gjerë në opinion. Ëndrra malteze e Shqipërisë ndoshta për momentin është e largët, por fakti që ka nisur të merret në konsideratë, duhet të shihet më seriozisht, shkruan Monitor.

Kriptovalutat sot përtej të lakuarit si e ardhmja e pashmangshme dhe avantazhet që servirin përkundrejt sektorëve të tjerë në tregjet financiare, mbeten ende të reja dhe të patestuara në kriza dhe ashtu siç quhen nga ekspertët ndërkombëtarë, një lojë me zjarrin.

Në ceremoninë e mbajtur me rastin e gazsjellësit TAP dhe duke nënvizuar avantazhet që i sjell ky projekt Shqipërisë, Kryeministri zgjodhi që të ndante për herë të parë një ambicie të re të Shqipërisë. Kriptovalutat!

“Në funksion të përpjekjes për të zgjeruar tregje, për të çelur tregje, për të krijuar mundësi të reja dhe mbi të gjitha, për të krijuar perspektivë për vende pune që paguhen shumë më mirë dhe që njerëz të kualifikuar dhe me profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluar apo në rrugën e zhvillimit sot në botën ku jetojmë, jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën, që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativ për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur për të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë vende shumë të zhvilluara apo janë më pak të zhvilluara. Për momentin jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator, pasi kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar dhe nëse rezultatet e kësaj pune do të jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë gatishmërinë e vendit për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë, që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale”, do të shprehej Kryeministri.

Ekspertët: Si po pastrohen paratë në kohën e kriptomonedhave, skemat

Në qershor të këtij viti, dy ekspertë të KPMG, Paskal Sprenger dhe Franzisca Balsiger në punimin me titull “Pastrimi i parave në kohën e kriptomonedhave: si po ndryshon loja”, japin në detaj sesi po përdoret ky kanal për pastrimin e parave. Sipas tyre, në disa vende, kripto-pastrimi përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare. Ky proces zakonisht përfshin pastrim dixhital të organizuar parash.

Krimineli blen një kriptomonedhë bazike në një exchange dixhital ose me cash dhe kartë krediti në një bankomat për monedha dixhitale. E para preferohet më shumë, pasi shumica e atyre që mundësojnë bankomate për kriptomonedha rregullohen nga entitete me detyrime përkatëse, kundër pastrimit të parave. Kur blejmë kriptomonedha në një exchange dixhital kriminelët zakonisht “punësojnë” dikë me rekorde të pastra si dhe me një punësim të rregullt të vërtetuar. Ata e forcojnë edhe më tej anonimatin e tyre, duke adoptuar pseudonime duke përdorur w-wallet anonimë, logime të kufizuara nëpër rrjete private, si dhe smartfone të përshtatur për blokchain.

Sapo personi fasadë verifikohet në exchange dixhital, monedha konvencionale ose transferta bankare përdoren për t’u vendosur si fonde për të blerë kriptomonedha primare, si për shembull Bitcoin, Ethereum, ose Litecoin. Këto monedha primare përdoren për të blerë monedha të tjera alternative në një këmbim më të avancuar. Kriptomonedhat alternative kanë specifikime të veçanta, disa prej të cilave janë monedha privatësie që ofrojnë një nivel superior anonimiteti.

Në mënyrë që të turbullojnë procesin e kontrollit në monedhat primare, pastruesit e parave përdorin një taktikë që njihet si miksim apo përmbysje. Kjo përfshin përdorimin e shërbimeve mikse si Bitmixer apo Helix, për të shkëmbyer adresat e monedhave primare për adresa portofolash dixhitalë të përkohshëm për të ngatërruar sistemin dhe për të thyer gjurmimin përmes kontrollit. Një tjetër taktikë është të përdorësh në mënyrë të qëllimshme adresa faturimi false për të riorientuar transaksionet në adresa të reja, duke krijuar kështu konfuzion në librin e adresave të sistemit. Në një tjetër hap, monedhat primare të përziera transferohen në një exchange të avancuar dixhital, për të blerë monedha privatësie si Zchash, Verge, Monero, Dash, Desire etj.

Pastruesit e parave kanë shumë monedha private, bëjnë shumë shkëmbime dhe adresa dixhitale, duke përgatitur në mënyrë efektive terrenin për pastrim dhe duke i kthyer pastaj në sistemin tradicional financiar.

Duke i shpëtuar sistemit të kontrollit, pastruesi i parave ka një seri opsionesh për të tërhequr paratë e pastruara, tashmë nga monedhë dixhitale në kartëmonedha.

Rrjedhja jashtë sistemit: është procesi kur mbajtja e monedhave private shkëmbehen për monedha primare dhe më pas në një monedhë bazike, që mund të tërhiqet në llogarinë e një banke me të cilën është lidhur ose transferohet në formën e një pasurie të paluajtshme, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore për të shmangur taksimin e përfitimit të kapitalit. Së dyti, transferimi i pjesës dixhitale mund të bëhet përmes një portofoli kriptomonedhash, ose printimit të një kodi QR (kod 2D) që mund të transportohet në çdo adresë kudo në botë”, thuhet në studim.

Një vit më parë, kur një kompani nga Kosova solli në Tiranë për të testuar një bankomat për Bitcoin, institucioni financiar kyç në vend, Banka e Shqipërisë, në një reagim të gjatë nënvizonte se qytetarët duhet të ishin të kujdesshëm me paratë virtuale, pasi nuk i mbronte askush.

Flet Elio Pashaj, bashkëthemelues i Blockchain Western Albania

A është momenti për të pasur një kuadër rregullator që rregullon pjesën e kriptovalutave në Shqipëri?

Nuk është ende momenti për të pasur një kuadër rregullator që rregullon pjesën e kriptomonedhave në Shqipëri, pasi implementimi i tyre kërkon një informacion të detajuar sesi funksionojnë apo rreziqet që hasen. Shqipëria është ende në fazën 0 të të kuptuarit të kriptomonedhave, është rrezik tepër i lartë të zbatosh një kuadër rregullator në një vend me 3 milionë banorë, në të cilin maksimumi vetëm 1 mijë banorë mund të merren me kriptomonedha.

Fillimisht duhet bërë një plan-zbatim në shtrirjen dhe përkrahjen e bizneseve të vogla për pranimin e pagesave me kriptomonedha dhe më vonë, mund të kalohet në përkrahjen e komuniteteve të Blockchain dhe Kriptomonedhave që merren me edukimin e personave ndaj këtyre fushave dhe hapi i tretë është implementimi i teknologjisë Blockchain në sistemin shkollor për t’u thelluar më tej. Nëse zbatohet një kuadër rregullator, ai duhet të bëhet në një moment kur tregu i Kriptomonedhave të jetë stabilizuar dhe kjo mund të dojë disa vite në Shqipëri.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Nusja na kërcënoi se…”/ Dëshmia e gjyshit të 3-vjeçarit të zhdukur në Durrës: S’tregoj ku ndodhet djali, më bëni çfarë të doni

Para pesë ditësh në Durrës, është zhdukur një 3-vjeçar, ku sipas policisë së Durrësit, ende…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar sot një dollar amerikan do të blihet me 94.4…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

La pas gruan dhe dy fëmijët, kush është shqiptari që humbi jetën në punë në Itali

Kur vendi i tij ishte mes kaosit, ai ishte një ndër të parët shqiptarë që…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Bie nga biçikleta, ndërron jetë 76-vjeçari

Një person në Korçë ka rënë nga biçikleta dhe ka ndërruar jetë. Ngjarja ka ndodhur pranë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dibër, shiste lëndë narkotike kokainë, vihet në pranga 30-vjeçari

Dibër, shiste lëndë narkotike kokainë, vihet në pranga 30-vjeçari. Në zbatim të masave të përcaktuara…

LEXO ME SHUME