fbpx
Lajme

Rama uron Filip Çakullin, një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare

Kryeministri Edi Rama uroi sot me rastin e ditëlindjes Filip Çakullin, një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare. “Filip Çakulli është një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare, që tek humori gjeti kamerdaren e shpëtimit në detin e ferrit të diktaturës së proletariatit, ku kush nuk ngjeshej fort në kominoshen e Njeriut të Ri brenda Titanikut komunist, mund të mbytej sa hap e mbyll sytë nën goditjen e dallgëve të pamëshirshme”, tha Rama.

Rama tha se “me atë kamerdare Filipi erdhi vërdallë rrotull Titanikut, herë u zhyt si polumbar, herë u ngjit marinar e herë u përvodh si peshkatar, herë u pa si shpëtimtar e herë u duk si notar, në një karrierë ku nga afër ai i ngjante kapitenerisë si shërbëtor i popullit e nga pak më larg i përngjante si gjarpër në gji, derisa Titaniku u mbyt dhe Filipi doli pa lagur në bregun e lirisë”.

“I rrahur me vaj e me uthull, i lexuar e i papërtuar, po mbi të gjitha mjaftueshëm i aftë për të mos e marrë veten aq seriozisht sa për t’u ngjeshur fort në kominoshen e re të demokracisë dhe mjaftueshëm i regjur sa për të mos e mbajtur kamerdaren e vjetër si të vetmin mjet të pandashëm prej vetes, Filip Çakulli u përfshi në Lëvizjen Demokratike, në Rilindjen Demokratike, në Partinë Demokratike, po mbeti njësoj i dyzuar e i dyshuar”, tha Rama. Kryeministri tha se “fati e desh që kamerdarja e tij të ngecte një ditë në gjirin e Top Channel-it dhe më në fund këmbët gjithnjë në ujë të Filipit të puthnin Tokën e Premtuar të dikujt si ai, që as e kupton e as e jeton dot jetën pa humorin si artin e komunikimit me të tjerët e të ndërveprimit me shoqërinë”.

“Aty lindi nën komandën e Filip Çakullit edhe njësiti më subversiv i revolucionit kopernikan të Tanit të Topit në botën e medias shqiptare, “FIKS FARE”, i cili solli një nga ndryshimet më mbresëlënëse në historinë e humorit shqip, duke e kthyer humorin në një thikë jo me dy, po me dyzet presa”, tha Rama. Kryeministri tha se “sot që Filip Çakulli mbush nuk ka rëndësi se sa shumë vjeç, më kujtohet hera e parë kur e kam hasur fytyrën e tij dykuptimshe, në Lushnjë, në dritaren e apartamentit të vogël të poetit Bujar Xhaferri, ku babai i ardhshëm i “FIKS FARE”-s, futi kokën dhe tha, të rrojë Partia”. “Të rrosh sa malet Filip, bashkë me partinë natyrisht! Të rrallë”, tha Rama.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button