Lajme

Raportonin nga protesta kundër DokuFest në Prizren, sulmohen gazetari dhe kameramani (VIDEO)

Gazetari i portalit “Nacionales”, Vullnet Krasniqi dhe kameramani janë sulmuar sot derisa po raportonin nga protesta kundër DokuFestit në Prizren. Të dyshuarit janë arrestuar, siç ka konfirmuar tashmë edhe Policia e Kosovës.

Protesta ishte iniciuar nga komuniteti mysliman i qytetit dhe për këtë ka folur edhe hoxha gjatë faljes. Por gjatë marrjes së intervistave gazetari është sulmuar nga disa persona të cilët e kanë quajtur atë provokues.

Ndërkohë, Nacionale ka publikuar pamjet e këtij sulmi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi e ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari në lidhje me sulmin ndaj ekipit të Nacionales, duke shtuar se rasti është duke u cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.

“Hetimet i kemi filluar me Prokurorinë e shtetit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Momentalisht nuk mund të japë më shume informacione”.

Sulmi fizik ndaj ekipit të gazetës Nacionale është dënuar ashpër nga përfaqësuesit e gazetarëve dhe të shoqërisë civile.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sulmin ndaj gazetarëve e ka cilësuar të papranueshme, duke kërkuar dënimin e autorëve.

“AGK-ja e dënon sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales në Prizren. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren. Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”. Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi sot gjatë një proteste në Prizren.

Sipas disa videove të publikuara nga momenti i sulmit, prezentë janë rreth katër policë nga të cilët gazetari Krasniqi kërkon që të reagojë, por ata nuk shihet se kanë reaguar në mbrojtje të tij.

Për këtë rast, IPK në një përgjigje për Gazetën Express thotë se kanë filluar me procedurat dhe se kanë kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren.

“Duke ju referuar kërkesës suaj rreth angazhimeve të Policisë së Kosovës për menaxhimin e protestës në Prizren, IPK ju konfirmon se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me këtë rast. Përveç këtyre veprimeve , IPK ka kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren lidhur me angazhimet policore gjatë menaxhimit të protestës. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigje.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi gjatë raportimit të tij nga protesta në Prizren.

Konjufca tha se pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranueshme.

“Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri”, ka shkruar ai.

Konjufca foli edhe për rolin e medias, ndërsa i bëri thirrje organeve të rendit që të hetojnë rastin.

“Media përbën hapësirën dhe mjetin përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike. Bëj thirrje që organet kompetente ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësive dhe detyrave të tyre përkatëse”.

Për sulmin ndaj ekipit të Nacionales sot në protestën kundër Dokufestit në Prizren është arrestuar një person.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close