Lajme

Reagon motra e Ornelës: Florindi ishte i mbyllur në psikiatri, ajo i çonte ushqim çdo ditë! E kishin paralajmëruar mjekët

Motra e Ornela Shehit, 28-vjeçares që humbi jetën tragjikisht në Nju Jork pasi u hodh nga ballkoni nga bashkëshorti i saj i cili më pas u hodh edhe vetë, ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të hedhë dritë mbi ngjarjen.

Migena ka zbuluar të shkuarën e vështirë dhe sakrificat e motrës së saj të ndjerë, për të cilën thotë se nuk e braktisi kurrë Florind Belliun, edhe pse ia kishte bërë jetën e vështirë prej vitesh. Ajo thotë se Florind Belliu, për një kohë të gjatë kishte qëndruar i izoluar në një klinikë psikiatrike dhe nuk kishte patur përmirësim.

Reagimi i plotë i motrës së Ornelës: E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë, motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa shkruar dy fjalë për motrën time, për ëngjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork.

Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që i mori jetën jo vetëm motrës tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës tonë…

Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën “ëngjëll”.

Ajo ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende nevojë për kurim, pasi nuk kishte përmirësim, por Ornela edhe për hatër të dy djemve të vegjël që kërkonin babin, kishte firmosur për ta sjellë Florindin në shtëpi, pa pandehur se ai do t’ia merrte jetën asaj dhe foshnjës që mbante në bark, pa u shqetësuar për të ardhmen e dy fëmijëve të mitur. Falenderoj me zemër të gjithë ata që kanë shkruar fjalë të mira, të ndjera për engjëllin tonë- Ornelën!

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close