
Gjesti i kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila vendosi të paguajë faturën prej 80 euro të disa turistëve italianë që u larguan pa paguar nga një restorant në Berat, ka ngjallur jo pak polemika.
Meloni është vlerësuar për gjestin, të komentuar si vendosje në vend e nderit të Italisë, por rivalët politikë e shohin ndryshe.
Duke komentuar vizitën e Melonit në Shqipëri, ish-kryeministri Matteo Renzi është shprehur: “Shpresojmë që vitin tjetër Meloni të bëjë një fushatë po aq të suksesshme për turizmin italian, sa ç’e bëri për atë shqiptar”.
I pyetur për pagesën e faturës, ai tha:
“Qeveria po mundohet të sillet si ai prindi, që e gjen djalin/vajzën të dehur dhe shkon e merr me taksi falas. Meloni dha 80 euro për një familje shqiptare. Ne kemi dhënë për vite të tëra me radhë shumë 80-eurosha për miliona familje italiane”.