Lajme

Rezervuaret e oksigjenit të lëngët ende jofunksionale në spitalet rajonale

Rezervuari prej 10 tonë për oksigjen të lëngët është vendosur dhe montuar pranë Spitalit Rajonal të Gjilanit  me 19 të këtij muajit, veçse ende nuk është funksionalizuar. Sipas drejtuesit të këtij spitali, Nusret Hajrullahut testimet janë kryer dhe se janë në pritje të funksionimit të saj. Megjithatë nuk është që ka shtrirje të mjaftueshme të rrjetit për furnizim me oksigjen në këtë hapësirë spitalore . “Jo çdo dhomë ka rrjetin e instaluar, një pjesë e kemi të shtrirë diku 132 dalje. Po shpresojmë që të kemi zgjerim, të paktën kështu na është premtuar nga menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinike e Universitar të Kosovës që do të ketë një projekt për zgjerim të rrjetit dhe të na instalohen diku 36 dalje të reja”, deklaroi Drejtuesi i Spitalit të Gjilanit, Nusret Hajrullahu.

E furnizimi vazhdon të bëhet me bombola të oksigjenit dhe koncentratorëve. Në fakt edhe në Spitalin e Pejës një tank i ngjashëm për gazin medicinal është vendosur të martën. Zyrtari për informim i këtij institucioni Naim Sahiti  tha për Klan Kosovën se po shpresojnë që brenda një jave t`iu vihet në dispozicion. “ Edhe pse nuk i kemi të gjitha dhomat e reparteve me rrjet të instaluar për furnizim të oksigjenit, sidoqoftë puna do të na lehtësohet diku prej 60-70%, aktualisht mesatarja e shpenzimit të bombolave të oksigjenit është rreth 70 copa”, tregoi Naim Sahiti, Zyrtar për Informim nga SP i Pejës.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës thanë se në planet e saj kanë edhe zgjerimin e shtrirjes së brendshme të rrjetit të oksigjenit në QKUK dhe spitalet e përgjithshme. “Projekti ka filluar në Klinikën Inflektive dhe do të vazhdojë në klinikat e tjera në QKUK dhe spitalet e përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të SHSKUK-së.

Sipas menaxherit Hysni Hoxha nga kompania  N.P.T “ Lindi”, operator ekonomik ky, që ka fituar kontratën nga SHSKUK  në fundvitin e kaluar për vendosjen e tankeve të oksigjenit, tha se edhe në Spitalin e Gjakovës është instaluar një i tillë me hapësirë prej 10mijë litra, po ashtu gjatë ditës së djeshme është montuar edhe në Spitalin e Mitrovicës dhe me 10 shkurt pritet që të vendoset edhe tek Spitali i Vushtrrisë.

Ndonëse asnjëra nga këto tanke nuk janë funksionalizuar ende përveç asaj të Spitalit Rajonal në Prizren që disponon një të tillë prej disa muajve, kërkesa për furnizim me oksigjen  mbetet e lartë. Kështu të paktën thotë kreu i kompanisë për furnizim dhe shpërndarje të gazit medicinal  Skënder Kutllovci nga  “Medical Group”  që furnizon shërbimin spitalor me oksigjen të lëngët dhe bombola. Kutllovci tha se është vërejtur një trend më i lartë për oksigjen ditëve të fundit , kjo për dallim nga fundi i muajit të dhjetorit dhe fillimit të janarit.

“ Ne aktualisht po furnizojmë rezervuarët e QKUK-së dhe atë të SP të Prizrenit me kapacitet prej 20 tonë nga katër herë në javë, derisa me bombola bëjmë furnizimin e klinikave COVID në QKUK dhe në SP e Gjilanit dhe Ferizajt. Përafërsisht furnizimi në këto institucione është diku 1800 bombola në javë apo mesatarja 220 sosh në ditë”. Tregon Skënder Kutllovci nga “Medical Group”. Kurse operatori tjetër ekonomik “ Medika” bënë furnizimin me bombola për spitalet e tjera.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo edhe:

Close
Back to top button
Close