Categories Lajme

Rilindja, 21 mijë rrogëtarë për të bërë share dhe like në FB

Nga një hulumtim i gazetës MAPO rezulton se në tri vite janë 23 vendime për rekrutimin e 13 mijë personave me kontrata të përkohshme në administratën qendrore, dhe së bashku me punësimet në pushtetin vendor ky numër shkon në më shumë se 21 mijë. Fatura financiare që paguajnë shqiptarët është rreth 147 milionë euro.

Sektorët më të pëlqyer mbeten tatimet dhe doganat, ku vetëm në vitin 2017 drejtoria e Tatimeve ka punësuar në sektorin e “mirëmbajtjes” 500 persona. ALUIZNI duket të ketë qenë një tjetër vend për punësime. Nga ana e tij kryeministri, ka 30-fishuar numrin e operatorëve, të cilët nuk janë gjë tjetër vetëm se persona që punësohen për shpërndarjen e statuseve të Facebook apo kronikave të ERTV.

Ishte viti 2013 kur Edi Rama në çdo takim elektoral, thuajse në çdo konferencë për shtyp, bashkëbisedim në rrjetet sociale etj., kishte një refren që e përsëriste shpesh kur pyetej për punësimet në administratë “S’i ndaj të papunët sipas teserës së partisë!”, thoshte shpesh duke lënë të kuptohet se parimi i punësimeve të “Rilindjes” do ishte meritokracia. Por, ndryshimi i Edi Ramës, së 2013 me Edi Ramën e një viti më vonë ishte dukshëm shumë i thellë. Në mediat e asaj kohe u publikua një dokument që tregohej se si rekrutoheshin militantët e PS-së në Tatime e Dogana. Taulant Balla dhe Saimir Tahiri mbanin rekord punësimesh atje.

Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, në medie del një email i dërguar nga Taulant Balla, i cili u kërkonte deputetit Tom Doshi, ministrave Mimi Kodheli, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, zv.kryeministrit Peleshi, deputetëve Etjona Hoxha, Fidel Ylli, Ulsi Manja, Ben Blushi dhe një të punësuare në zyrën elektorale të deputetit Koço Kokëdhima pozicionet e lira që Drejtoria e Administratës Publike ka shpallur sipas qarqeve dhe manualit për të aplikuar online. Ai i këshillon të sipërpërmendurit që të vendosin në zyrat elektorale persona që të administrojnë dhe instruktojnë njerëzit e PS që të aplikojnë për t’u futur në poste të administratës publike, duke e shndërruar kështu në farsë garën dhe meritokracinë. “Për këtë qëllim nevojitet që në nivel qarku dhe rrethi në zyrat qendrore elektorale të vendosen persona përgjegjës që të administrojnë dhe të instruktojnë njerëzit tanë që të aplikojnë”, thuhej në email-in e Taulant Ballës që mban datën 11 shtator 2014.

Më 30 dhjetor 2014 ministrja e Inovacionit aso kohe Milena Harito u drejtohet të njëjtëve persona me një tjetër email. “Të nderuar. Në vazhdim të shkëmbimit me Taulant Ballën si më poshtë, dhe për shkak të numrit të ulët të fituesve në konkurset e DAP, lutem më transmetoni emrat e 1-3 personave për qark të cilët do të instruktohen për procedurën e aplikimit, në mënyrë që të kenë mundësi të ndihmojnë këdo që kërkon ndihmë pranë zyrave elektorale.” Në të njëjtën mënyrë edhe ministrja Harito u sugjeron deputetëve që të ndihmohen të gjithë militantët socialistë që të kërkojnë punë pranë zyrave të PS dhe jo në zyrat e punës, siç e kërkon ligji.

Kjo praktikë e punësimit të militantëve duket se është ndjekur dhe në vitet në vijim, dhe sa më shumë afronin fushatat aq më shumë thellohej fenomeni. Por me plotësimin e vendeve të punës së përhershme, pas spastrimit që iu bë administratës në periudhën 2014-2015, filloi të aplikohej një metodë e re. Ajo e kontratave të përkohshme, që nuk ishte gjë tjetër vetëm së një mënyrë për të punësuar në masë militantë sidomos në kohë zgjedhjesh. Në numrin e sotëm gazeta MAPO do mundohet të japë një pasqyrë të asaj çfarë ka ndodhur që nga viti 2017 e këtej, kur Rama deklaroi se “tepsinë e punësimeve do e dërgonte për skrap”, por që në të vërtetë e ka thelluar dhe më shumë fryrjen e panevojshme të administratës, me inspektorë tatimorë dhe punonjës doganash, praktikantë të FRESSH që punësohen në institucione,operatorë që merren me Facebook etj.

Një fenomen që i ka kushtuar taksapaguesit rreth 147 milionë euro në katër vjet, së bashku me 8100 punësimet në pushtetin lokal, nga ku 55 milionë euro janë kostot për punësimet në pushtetin qendror dhe 92 milionë euro kostot e punësimeve në pushtetin lokal. Përgjithësisht janë njerëz që nuk bëjnë thuajse asnjë punë, në institucione nuk i ka parë askush, madje as ditën e rrogave pasi tashmë tërhiqen në bankë apo qëndrojnë para kompjuterit për të shpërndarë propagandë në rrjetet sociale, sepse administratat janë plotësuar me njerëz prej kohësh, që në vitin e parë të pushtetit. Fjala vjen, për çfarë i duhen Ministrisë së Arsimit 48 sanitare me kontrata vjetore për të ardhur vetëm 4 orë në punë. Përse duhen 6 ditë para zgjedhjeve 420 inspektorë shtesë pyjesh, e kështu me radhë në të gjitha institucionet.

Viti 2017, tatimet rekrutojnë 500 punëtorë mirëmbajtjeje

Dhurata Çupi ish-deputete e PD-së thotë për MAPO se në rekrutime nuk ekziston asnjë lloj transparence. “Fillojnë me kontratë përkohshme, por rinovohen çdo vit dhe kthehen të përhershme. Edi Rama e ka shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet” thotë ajo. Sipas saj janë rreth 23 vendime të Këshillit të Ministrave, që nga viti 2017 që flasin për rekrutime në administratë. Po ku janë vendet më të preferuara për njerëzit që synojnë administratën qoftë dhe me kontratë të përkohshme. Në një vendim të vitit, vihet re se vendet e punës janë shpërndarë në të gjitha nivelet. Sanitarë, elektricistë, punëtorë shtëpish pushimi të Ministrisë së Brendshme, të punësuar me orar të reduktuar prej katër orësh në ditë, ose e thënë më shkoqur sa për të marrë një rrogë. Por, sektori më i lakmuar është ai i Tatimeve dhe Doganave. Kështu në janarin e vitit 2017 janë rekrutuar vetëm në sektorin e tatimeve rreth 500 punëtorë mirëmbajtjeje (në rast se nuk është një lapsus, por kështu e ka të shkruar Fletorja Zyrtare numër 5 e vitit 2017). Në relacionin bashkëshoqërues nuk shpjegohet se përse i duhen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve 500 punëtorë në këtë sektor me një afat gjashtëmujor, pra deri në qershor të atij viti kur ishin dhe zgjedhjet. Në po atë vit, ALUIZNI rekruton 600 specialistë dhe 100 teknikë të mesëm. Ndërsa ministria e Arsimit ka pasur nevojë të ngutshme për sanitarë, dhe punëson 44 persona me orar të reduktuar prej katër orësh.

Vitet 2018-2019

Një vit më vonë, në vitin 2018 drejtoria e Tatimeve, rekruton 300 punonjës të tjerë me kontratë të përkohshme, këtë herë në sektorin e shërbimit. Në dogana rekrutohen 50 doganierë të rinj, dhe 83 punonjës mirëmbajtjeje, ndërsa ALUIZNI 392 specialistë dhe 54 teknikë të mesëm. Në vitin 2019 ka pasur disa vendime të njëpasnjëshme. Përveç atij të janarit ku vihet re dhe një herë numri i lartë i të punësuarve në sektorin e tatimeve dhe ALUIZNI-t, rreth 550 nga 1300 kontrata,ka pasur të tjera shtesa me numër të konsiderueshëm punonjësish, ku vihet re një shtim prej 96 punonjësish në sektorin e shërbimit në dogana, dhe 30 të tjerë në mirëmbajtje, në një total prej 358 kontratash të reja. Më pasvetëm 6 ditë para zgjedhjeve, rekrutohen dhe 420 të tjerë në sektorin e shërbimit pyjor. Vendim i datës 24 qershor 2019. Vetëm në qershor të këtij viti elektoral janë lidhur rreth katër mijë kontrata të përkohshme, me vendet e punës që shpjeguam më sipër. Në fakt po ta vësh re grafikun e kontratave ka një rritje të ndjeshme të numrit të personave që punësohen në administratë në kohë fushate. Me të njëjtin ritëm duket se qeveria ka shtuar punonjës dhe në kohë pandemie, ku në sektorin e tatimeve janë rekrutuar sërish 300 persona në sektorin e shërbimit, dhe 96 doganierë, më shumë se sistemi shëndetësor që në fillim të vitit kishte rekrutuar vetëm 54 persona.

Operatorët, kryeministri 30-fishon sektorin e propagandës

Por ajo që bën habi në vendimet për rekrutimet e punonjësve me kontrata të numrit të punonjësve është shtimi i numrit të operatorëve, dukuri që vihet më së shumti re në institucionin e kryeministrisë. Për sqarim, operatorët janë ata që merren rëndom me telefonatat, dhe në një urdhër të nxjerrë nga kryeministri Rama në tetor të vitit 2017, për strukturën e institucionit, vihet re se vendet për operator, nëpunës i kategorisë IIIb është vetëm një. Por e kundërta ndodh në realitet. Duket se vetë kryeministri ka një pasion të shtuar për operatorët, sepse sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, gjithmonë që nga viti 2017, e ka 30-fishuar numrin e tyre. Kështu për shembull në vitin 2017 nga 45 punonjës që i janë nevojitur për nevojat e institucionit, 34 prej tyre kanë qenë vetëm operator. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në vitin 2018, ku janë rekrutuar 29 operatorë apo dhe në vitin 2019 në prag të zgjedhjeve kur janë rekrutuar 30 të tillë. Pasioni për operatorët nuk e ka lënë dhe në vitin e pandemisë kur ka rekrutuar 25 të tillë.

Për ta sqaruar më tej rolin e operatorëve në kryeministri. Burime nga administrata shtetërore thanë për MAPO se personat që rekrutohen si të tillë nuk janë gjë tjetër vetëm se agjentët e propagandës së zyrës së kryeministrit, që merren dhe me komentet në Facebook. Këta të fundit, janë rekrutuar në të gjitha institucionet dhe është një praktikë që e ka futur më së pari Erion Veliaj, kur ishte Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, një praktikë që e ka transferuar dhe nëinstitucionin e bashkisë. Me qindra të rinj e të reja, që firmosin në bordero si elektricistë, specialistë apo qoftë dhe sanitarë, qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterave, për t’i bërë share, like, apo dhe komente favorizuese kreut të institucionit apo dhe vetë kryeministrit. Në Bashkinë e Tiranës, p.sh. thuajse e gjithë administrata e ujësjellësit është e urdhëruar të shpërndajë çdo ditë postimet e Erion Veliajt.

Pushteti lokal

Mateo Spaho, Këshilltar i PD më datë 11 gusht të këtij viti, në një deklaratë për mediat do shprehej se fenomeni i rekrutimeve është shtrirë dhe në pushtetin vendor, ku në 2 vjet janë rekrutuar rreth 8100 persona.“Teknikët dhe specialistët janë figura profesionale që do të zgjidhnin shumë probleme për menaxhimin më të mirë të punëve të bashkisë, për ndërtimin apo riparimin e ujësjellësve, kanalizimeve, ndriçimit publik, menaxhimit të mbetjeve etj. Kjo nuk ka ndodhur. Në raport me 2 vite më parë ka 3% më pak teknikë dhe specialistë. Është rritur gati me 15% numri i nëpunësve të lartë dhe drejtuesve. Këta janë njerëzit që ngrohin karriget e zyrave, nuk bëjnë asnjë punë dhe sjellin njerëzit vërdallë. Ne harxhojmë 46 milionë euro në vit për pagat e tyre që këta parazitë të pushtetit të bëjnë like dhe share në Facebook-un e Edi Ramës dhe të keqpërdoren në fushatë elektorale”, është shprehur këshilltari i PD-së. Në vitin 2017, Erion Veliaj pushoi 1000 persona me arsyetimin e organikës së fryrë. Por vetëm një vit më pas, u vu re se ata persona ishin zëvendësuar me militantë partie apo njerëz që njihen si përkrahës të rilindjes, duke marrë rroga të majme. Nga kontratat në pushtetin vendor, shteti në dy vjet mendohet të ketë humbur rreth 92 milionë euro.

Kostot e militantizmitPër të qenë të ndershëm, rekrutimet me kontrata të përkohshme janë përdorur nga çdo qeveri, por jo në masën që po përdoren tani. Nga një vëzhgim i viteve të mëparshme, na rezulton se viti kur është kryer numri më i lartë i rekrutimeve në qeverisjen e djathtë ka qenë viti 2013 me 920 të tillë. Më parë, numri i kontratave të përkohshme vjetore nuk e kalonte numrin pesëqind. Por gjithsesi janë larg shumë larg numrit prej 13 mijë në pushtetin qendror dhe 8 mijë të tjera në pushtetin vendor në tre vjet nga pushteti i të majtës. Janë para që taksapaguesi i paguan për elektricistë e sanitarë që vetëm firmosin në bordero dhe nuk shihen kurrë në institucione, ose për njerëz që si detyrë primare kanë propagandën dhe votën për pushtetin. Askush s’duhet të habitet, nga komentet pozitive që bëhen nëpër faqet e ministrave apo krerëve të bashkive. Pra, as më shumë e as më pak, të gjithë ne paguajmë persona që në ditën e zgjedhjes të zgjohen herët dhe të vihen në rresht për të votuar. Në 3 vjet shqiptarët kanë blerë me taksat e tyre korrupsionin, vendimet absurde, shkatërrimin e drejtësisë. Kanë blerë mungesën e qetësisë që vjen nga propaganda. Kanë paguar, për punësime militantësh, që as e dinë se çfarë detyre kanë në institucione. Një rrëmujë e organizuar në mënyrë të tillë, që të shfrytëzohet atëherë kur i duhet pushtetit. Dhe borxhi vazhdon e rritet, taksat gjithashtu. Të gjithë ne po paguajmë haraçin e paaftësisë dhe militantizmit.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak të Himarës, zgjidhet kryetari i komanduar

Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngjarja në Memaliaj, policia: 41-vjeçari qëlloi në ajër për të kanosur dy persona

Një person ka qëlluar në ajër në Memaliaj ditën e djeshme dhe si pasojë e të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngacmimi nga interneti, Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve. Kuçova renditet e dyta

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është…

LEXO ME SHUME